U shpall kampion me Tiranën, mbrojtësi i njohur largohet nga klubi i Kategorisë së Parë
Kristjan Toshevski nuk do të jetë më pjesë e Pogradecit. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut, ka mbyllur bashkëpunimin me liqenorët dhe tashmë do të jetë një lojtar i lirë, duke mos bërë më pjesë në planet e trajnerit Emiljano Çela.

32-vjeçari i cili ka qenë pjesë edhe e Tiranës në elitën e futbollit shqiptar, si dhe numëron 9 paraqitje me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ishte titullar te skuadra e Pogradecit sezonin që sapo u mbyll, duke u aktivizuar 32 ndeshje në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë, teksa kontribuoi me 4 gola dhe 4 asiste.
Për sa i përket karrierës Toshevski ka veshur edhe fanellën e Teteksit, Pelisterit, Vardarit dhe Shkupit.
Në sezonin 2021/2022, mbrojtësi u shpall kampion i Superiores me Tiranën si dhe në sezonin 2019/2020, fitoi titullin me Vardarin në Maqedoninë e Veriut.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













