EKSKLUZIVE/ Kërkesa për Esat Malën, financat ndajnë rrugët me Vllazninë
Pas katër sezonesh të mbushura me paraqitje të rëndësishme dhe rol protagonisti, aventura e Esat Malës te Vllaznia duket se ka mbërritur drejt fundit. Mesfushori i krahut me shumë gjasa nuk do të jetë pjesë e kuqebluve në sezonin e ardhshëm, duke u përgatitur kështu për një ndryshim ambienti pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme në Shkodër. Kontrata e 27-vjeçarit skadon këtë verë dhe gjithçka të çon drejt mosrinovimit të saj.

Ndonëse për një kohë u mendua se palët mund të gjenin gjuhën e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin, zhvillimet e fundit tregojnë se kjo mundësi tashmë është zbehur ndjeshëm. Sipas asaj që mëson gazeta, arsyeja kryesore e mosarritjes së marrëveshjes lidhet ekskluzivisht me aspektin ekonomik. Klubi shkodran i ka propozuar futbollistit një kontratë të re me parametra financiarë më të ulët se ata që përfiton aktualisht, një kërkesë që nuk është pranuar nga ana e lojtarit. Prizrenasi ka qëndruar në pozicionin e tij dhe për pasojë negociatat mes palëve nuk kanë avancuar më tej.
Në këto kushte, duket se bashkëpunimi mes Malës dhe Vllaznisë është drejt mbylljes, me të dyja palët që pritet të ndajnë rrugët pas katër vitesh. Gjatë qëndrimit në Shkodër, Mala ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. I aftë të luajë në disa pozicione në fushën e lojës, ai është shquar për vazhdimësinë, sakrificën dhe kontributin e tij në lojën e ekipit.
Në të gjitha sezonet ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm, ndërsa performancat e tij e kanë bërë shpesh një nga futbollistët më të spikatur jo vetëm të Vllaznisë, por edhe të kampionatit shqiptar. Ndërkohë, e ardhmja e Malës pritet të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos verore. Interesi për të nuk mungon dhe disa klube të Superiores po monitorojnë situatën e tij. Përvoja, cilësitë teknike dhe fakti që mund të merret si lojtar i lirë e bëjnë ish-futbollistin e Partizanit një nga emrat më të kërkuar të kësaj vere, teksa gara për firmën e tij duket se sapo ka nisur.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













