TURI I FRANCËS/ Pogaçar triumfon në Alpe d’Huez, thyen rekordin e Pantanit
Tadej Pogaçar dhuroi një nga momentet më të mëdha të karrierës së tij në Turin e Francës, duke fituar etapën legjendare në Alpe d’Huez dhe duke thyer rekordin e Marko Pantanit.
Edhe pse ekipi UAE u përball me probleme shëndetësore dhe dyshime pas disa ditësh të vështira, kampioni slloven tregoi edhe një herë forcën e tij të jashtëzakonshme. Në ngjitjen finale me 21 kthesat e famshme, Pogaçar sulmoi 11 kilometra para finishit dhe u shkëput nga rivalët pa lënë asnjë mundësi reagimi.
Ai zhvilloi një betejë të vetmuar kundër kohës, shkëputjes dhe rekordit historik të Pantanit, duke e ulur kohën e ngjitjes me 1 minutë e 27 sekonda. Riçard Karapaz bëri një përpjekje heroike nga grupi i shkëputur dhe luftoi deri në fund për fitoren, por ritmi i Pogaçarit ishte i papërballueshëm. Slloveni kaloi vijën e finishit i vetëm, duke regjistruar fitoren e pestë në këtë Tur dhe duke realizuar një tjetër sukses të madh në Alpe d’Huez.
Kjo fitore ishte një përgjigje ndaj të gjitha dyshimeve që u ngritën pas dobësimit të ekipit të tij, ndërsa Pogaçar dëshmoi se mbetet lideri absolut i garës. 27-vjeçari e ka hipotekuar fanellën e verdhë, duke marshuar i sigurt drejt titullit të pestë kampion në Turin e Francës. Slloveni, me ritmin e tij të jashtëzakonshëm, mbetet i pakonkurrueshëm për rivalët dhe vijon të shkruajë historinë e çiklizmit botëror.
PANORAMASPORT.AL













