Zv.trajneri flet për objektivat dhe Pogradecin, Beqiri: Qetësia erdhi te Korabi, por “lufta” sapo ka filluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2026 | 14:38

Zv.trajneri flet për objektivat dhe Pogradecin, Beqiri: Qetësia erdhi te Korabi, por “lufta” sapo ka filluar

Korabi arriti një fitore shumë të rëndësishme ndaj Kastriotit, falë golit të shënuar vetëm tre minuta para përfundimit të takimit. Ky sukses ka rikthyer qetësinë në kampin dibran, ku objektivi kryesor mbetet qëndrimi në kategori dhe kapja e zonës “play-off”, pra vendet e para në gjashtëshe. Pas ndeshjes, Ardit Beqiri, zëvendëstrajner dhe trajner i përgatitjes atletike te dibranët foli për “Panorama Sport” mbi momentin e skuadrës dhe sfidën e radhës në Pogradec.ARDIT BEQIRI KORABI

Beqiri është një emër i njohur i futbollit shqiptar. Ai e nisi karrierën me Partizanin, ndërsa ka luajtur edhe për Tiranën (2004–05), Elbasanin (2008–2009), Vllazninë (2009–2010) dhe Kamzën. Në karrierën e tij ka regjistruar edhe 12 ndeshje me Kombëtaren kuqezi si mesfushor. Duke komentuar fitoren ndaj Kastriotit, në një duel ku përballë ishte edhe ish-trajneri i tij te Kamza, Ramazan Ndreu, Beqiri u shpreh: “Ishte një fitore që na dha shumë qetësi, pasi skuadra kishte kaluar disa momente delikate psikologjike, sidomos kur dy javë më parë u afruam me zonën ‘play-out’. Tani kjo qetësi u jep më shumë siguri lojtarëve për të dhënë maksimumin. Fitorja erdhi në momentin e duhur dhe meritat i takojnë të gjithë ekipit”.

OBJEKTIVI- Më tej ai theksoi se Korabi është shumë pranë objektivit sezonal: “Jemi të kënaqur me pozicionimin, pasi jemi vetëm tri pikë larg objektivit tonë — gjashtëshes së parë. Por mbi të gjitha më kënaq performanca e ekipit. Me prurjet e reja skuadra po ripërtërihet, edhe pse na duhet ende shumë punë dhe duhet të veprojmë me qetësi. Qetësia erdhi, tani na duhet më shumë punë”. Beqiri paralajmëroi gjithashtu se gara mbetet e fortë: “Janë rreth gjashtë ekipe që luftojnë për të njëjtat objektiva. Duhet të ruahemi nga euforia dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Te Korabi kam vënë re një shpirt dibrani të veçantë. Grupi është i mirë, i konsoliduar dhe luan futboll cilësor. Të gjithë e duan realizimin e objektivit madhor, zonën ‘play-off’. Shpresoj që në fund të sezonit ta kemi arritur”.

POGRADECI- Në fund, ndaloi te sfida e radhës në transfertën e Pogradecit. “Pogradeci është një skuadër shumë e mirë, me lojtarë me përvojë dhe ne do ta kemi të vështirë, sidomos sepse ata frymëzohen nga tifozëria e tyre. Gjithsesi, ne do të kërkojmë maksimumin nga lojtarët tanë dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv,” përfundoi Ardit Beqiri.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL