VOLEJBOLL FEMRA/ Pogradeci është kampion i dimrit, liqenoret pa humbje në fazën e parë
Shtatë ndeshje dhe po kaq fitore për Pogradecin e volejbollit të femrave, me liqenoret që e mbyllin në krye fazën e parë të Superligës. Triumfi më i fundit për skuadrën e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha, erdhi të shtunën kundër Partizanit në kryeqytet.
Pogradecit i mjaftuan 1 orë e 22 minuta për të mbaruar punë me të kuqet në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke futur në kasafortë 3 pikët e radhës në kampionat dhe për t’u konfirmuar si një nga favoritet kryesore për titullin kampion, trofe që nuk ka shkuar asnjëherë në histori në qytetin liqenor. Për sa i përket ndeshjes, Pogradeci mori bindshëm dy setet e para, me rezultatin e njëjtë, 15-25, ndërsa i dyti ishte me rivalitet, i mbyllur 23-25 për miket.
Kejda Kodra me 14 pikë dhe Kennedy Stanford me 13 shkëlqyen në sulmin pogradecar, ndërsa për Partizanin shënuesja më e mirë ishte Joana Kushi, autore e 11 pikëve. Në përballjen tjetër të së shtunës, për Skënderbeun ishte një formalitet fitorja ndaj Korabit. Korçaret i mbyllën llogaritë në shifrat 3-0 (25-8, 25-13, 25-13) në harkun kohor të një ore.
Izabela Da Silva e korçareve, me 14 pikë, ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes. Kujtojmë që në ndeshjet hapëse të javës, takime të luajtura të premten, Dinamo mposhti Tiranën 3-2 në derbi, ndërsa më të njëjtin rezultatin Vllaznia mundi Teutën në Durrës. Me mbylljen e fazës së parë të kampionatit, tashmë do të jetë radha për Kupën e Shqipërisë.
PANORAMASPORT.AL













