Vllaznia me qetësi dhe besim, rezultatet negative nuk shqetësojnë
Pavarësisht një momenti jo shumë pozitiv në kampionat, Vllaznia duket se po e përballon situatën me qetësi dhe maturi. Kuqeblutë nuk kanë arritur të fitojnë në tre ndeshjet e fundit, duke humbur disi terren ndaj ndjekësve në renditje, por atmosfera brenda skuadrës mbetet larg çdo lloj tensioni apo paniku.

Në një periudhë ku shumë ekipe do të ndjenin peshën e rezultateve negative, në Shkodër po ndodh e kundërta. Futbollistët kanë përfituar nga ndalesa e kampionatit për të kaluar disa ditë pushimi, duke u shkëputur nga ngarkesa dhe presioni i ndeshjeve. Ky vendim është parë si një mënyrë për të rigjeneruar energjitë dhe për t’u kthyer më të freskët në sfidat e ardhshme. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se si drejtuesit, ashtu edhe stafi teknik, nuk kanë ushtruar asnjë presion mbi skuadrën.
Përkundrazi, ecuria e fundit është konsideruar si një fazë normale brenda një sezoni të gjatë dhe të vështirë. Në ambientin kuqeblu mbizotëron bindja se ekipi ka potencialin për t’u rikthyer shpejt te rezultatet pozitive, pa pasur nevojë për masa drastike apo reagime të nxituara. Një tjetër detaj interesant që del në pah është mbështetja e vazhdueshme e presidencës ndaj skuadrës. Sipas asaj që mësohet, para ndeshjes ndaj Dinamos ka pasur edhe një premio të vendosur në rast fitoreje.
Edhe pse suksesi nuk u arrit, ky veprim tregon qartë se drejtuesit janë të gatshëm të motivojnë maksimalisht ekipin në çdo moment. Kjo qasje pozitive dhe mbështetëse nga lart shihet si një faktor kyç për ruajtjen e balancave brenda grupit. Futbollistët ndihen të vlerësuar dhe të mbështetur, çka ndikon drejtpërdrejt në moralin dhe përkushtimin e tyre në fushë. Në vend të kritikave të ashpra, në Shkodër është zgjedhur rruga e besimit dhe e qetësisë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













