Vllaznia “mbyll gojën”, nuk ka konferencë para ndeshjes me Dinamon
Vllaznia nuk ka dalë sërish në konferencë zyrtare për shtyp në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme, si ajo ndaj Dinamos, duke vijuar një “traditë” të qetësisë që ka shoqëruar skuadrën prej disa javësh tashmë.
Në kampin shkodran, heshtja duket se nuk është më thjesht një zgjedhje momentale, por po shndërrohet gradualisht në një lloj “fiksimi” apo edhe “bestytnie”. Kujtojmë se edhe përpara sfidës kundër Egnatias, Vllaznia nuk organizoi konferencë zyrtare për shtyp, ndërsa më pas skuadra doli fituese në fushën e lojës me rezultatin minimal 1-0.
Ky precedent pozitiv duket se ka ndikuar në vendimin e stafit dhe drejtuesve për të ndjekur të njëjtën linjë edhe para përballjes me Dinamon. Në Shkodër kanë zgjedhur të lënë pas fjalët dhe deklaratat publike, duke u përqendruar maksimalisht vetëm te përgatitja dhe performanca në fushën e lojës.
Një strategji e pazakontë, por që deri tani ka dhënë sinjale pozitive, teksa mbetet për t’u parë nëse “heshtja” do të vazhdojë të shoqërohet me rezultate edhe në një duel kaq delikat dhe vendimtar.
PANORAMASPORT.AL













