Vlerat e sulmuesve të Tiranës në treg, rekordi i Vioresin Sinanit i paprekur
Tirana ka qenë një nga skuadrat më të forta në merkaton e lojtarëve, ku disa herë ka shitur futbollistë me çmime të larta. Gjithsesi, te bardheblutë ende nuk është thyer një tabu e madhe. Ajo e çmimit të kartonit të lojtarëve me një milion euro e lart.

Prej shumë viteve, asnjë lojtar i tyre nuk vlen më shumë se 650 mijë euro. Në 2006-tën e largët, Tirana kishte në skuadër një emër të madh si Vioresin Sinani. Atë vit shkodrani vlente 2 milionë euro, çmimi më i madh i një futbollisti të KF Tiranës. Këtë tabu nuk e kanë thyer as Devi Muka apo Elis Bakaj, ndërsa vitet e fundit, lojtari më i vlerësuar është Taulant Seferi me 650 mijë euro, por edhe ky i larguar nga Tirana. Gjendja aktuale është më e ulët.
Lojtari më me vlerë është Ualid Zharmuni, i cili është në merkato. Francezi ka refuzuar një ofertë nga Rusia. Më saktë, ka qenë skuadra e FC Soçit që militon në Kategorinë e Parë, e cila ka dashur të blejë francezin për rreth 350 mijë euro. Në fillim, Zharmuni ka thënë “Po”, ndërsa më pas është tërhequr, pikërisht në momentin e firmës. Klubi Tirana, rekordi i Vioresin Sinanit i paprekur Tirana ka edhe një ofertë nga Suedia dhe Hajduku i Splitit.
25-vjeçari ishte golashënuesi kryesor i Tiranës, ndërsa “Panorama Sport” mëson se klubi kroat ka shfaqur interes për shërbimet e tij. Më saktë, palët kanë mbyllur në parim transferimin në Kroaci. Gjithsesi, ende nuk ka një vendim final. Te bardheblutë, nuk donin ta shisnin sulmuesin pa të paktën 400-450 mijë euro dhe kjo kishte bllokuar një lëvizje të tij në një skuadër tjetër, por duket se 26 herë kampionët janë dorëzuar dhe do ta lëshojnë për 200-300 mijë euro.
Francezi shënoi 13 gola në kampionat, ku dhe asistoi dy të tjerë. Vlera në “Transfermarkt” e Zharmunit është 450 mijë euro, shifër kjo që është më e larta në skuadrën e kryeqytetasve. Më parë, francezi ka spikatur me golat e tij te Progres Niederkorn në Luksemburg. Karriera e tij ndërkohë ka filluar në Francë, ku luajti rreth 5 vite. Edhe Mahamadu Dembele kërkohet në Austri, Turqi, si dhe ka interesim nga skuadrat skandinave. Vlera e Dembelesë shkon në 250 mijë euro.

PANORAMASPORT.AL













