VIDEO/ Merr fund pritja tetëvjeçare, Teuta mund Vllazninë në Shkodër dhe i heq kreun
Teuta është kthyer të fitojë përsëri pas 8 vitesh në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe e ka bërë këtë në një moment të rëndësishëm pasi kthen durrsakët fuqimisht në garë për vendin në katërshe, ndërsa i heq kreun shkodranëve.

Në një ndeshje të luftuar, me pak raste për shënim e shumë ndalesa, diferencën e kanë bërë një gol në fund i Beshirajt. Por ka pasur edhe raste për diskutim dhe polemika të vazhdueshme për çdo faull, teksa është anuluar një gol që në start për durrsakët, ndërsa në fund kryesori iu nxori edhe një lojtar me të kuq para se të zëvendësohej.
VLLAZNIA 0-1 TEUTA
84′ Beshiraj
NGJARJET KRYESORE
90’+10’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Teutës.
90’+9’ I kuq edhe për drejtorin sportiv të Teutës, Renato Arapi, për protesta. (VIDEO)
90’ Jepen 9 minuta shtesë.
90’ Gjyqtari Vrapi lë Teutën me 10 lojtarë! Fadairo bëhet gati për zëvendësim, por duke u vonuar të dalë nga fusha, gjyqtari i tregon të verdhin e dytë dhe e largon me të kuq. (VIDEO)
87’ Kubazi merr vendin e Bajramit te Vllaznia.
86’ Tjetër moment i rrezikshëm në zonën shkodrane, ku kuqeblutë detyrohen të dhurojnë një goditje këndi.
85’ Karton i verdhë për Beshirajn pasi hoqi fanellën në momentin e festimit të golit.
84’ GOOOL TEUTA! Kundërsulm i shpejtë i durrsakëve me Beshirajn i cili i shpëton pozicionit jashtë loje pas një gjuajtje të devijuar dhe mposht Pohls. (VIDEO)
81’ Harkime radhazi nga krahët të shkodranëve, të cilët janë orientuar plotësisht drejt sulmit, por askush nuk gjen hapësirën për të gjuajtur në portën e Selmanit.
77’ Beshiraj vë menjëherë në trysni Pohls dhe fiton një goditje këndi.
76’ Beshiraj dhe Jazxhi hyjnë në fushë në vend të Tolit dhe Arifit në radhët e Teutës.
72’ Hakaj hyn në fushë në vend të Jagos te Vllaznia.
70’ Shumë ndërprerje për faulle në pjesën e dytë, shumë pak lojë efektive nga të dy skuadrat.
67’ Vidal merr vendin e Votlait në radhët e Teutës.
63’ Murataj gjen hapësirë para zonës dhe gjuan tokazi, por gjen Selmanin e pozicionuar. (VIDEO)
61’ Loja ndërpritet për dy minuta, pas një përplasje në ajër pasi Boçi dhe Bajrami kanë pësuar dëmtim. (VIDEO)
55’ Në një goditje dënimi të durrsakëve, topi shkon te Vila në kufijtë e zonës ku gjuajtja e tij me të djathtën devijohet dhe shkon në duart e Pohls. (VIDEO)
51’ Kastrati nga ana tjetër harkon në shtyllën e dytë për Jagon, i cili fluturon topin larg portës. (VIDEO)
50’ Boçi ka një mundësi të artë për të gjuajtur, por dërgon sferën jashtë në tentativën e tij. (VIDEO)
49’ Murataj merr vendin e Bismark te shkodranët.
48’ Telashe të tjera për Vllazninë, pasi Bismark dëmtohet pas një përplasje me Votlain dhe lë fushën duke çaluar. (VIDEO)
46’ Pjesa e dytë nis me Tafilin e Pusin në vend të Malës dhe Kallakut në radhët e Vllaznisë.
45’+4’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.
45’+4’ Pohls shpëton Vllazninë nga një gol i sigurt, pas një aksioni të shpejtë të Teutës me Maçollin i cili gjuan në ecje e sipër në hyrje të zonës. Portieri devijon sferën jashtë katërkëndorit.
45’+4’ Një goditje dënimi e Gurishtës devijohet me kokë nga Bismark, por shumë lehtë dhe nuk shqetëson Selmanin.
45’ Jepen 3 minuta shtesë.
42’ Mala nga e djathta lëshon një gjuajtje-kros që shkon rrezikshëm drejt portës, Selmani devijon me vështirësi mbi traversë. (VIDEO)
39’ Kastrati provon nga ana tjetër, gjuajtja shkon jashtë.
38’ Fadairo merr një pasim të artë nga Boçi, por rrëshqet në hyrje të zonës dhe humb topin.
36’ Maçolli lëshon një predhë nga distanca, gjuajtja e tij kalon jashtë ngjitur me shtyllën në të djathtë të Pohls. (VIDEO)
34’ Bismark shkakton faull në sulm, por është Vila ai i cili ndëshkohet për protesta nga gjyqtari Vrapi. (VIDEO)
32’ Kallaku pason në zonë në të djathtën për Malën i cili nuk gjen kohën të godasë dhe shoqëron topin në fundore.
26’ Kastrati nga e djathta depërton në zonë, një ndërhyrje e Votlait i heq topin nga këmbët. (VIDEO)
25’ Shkodranët ekzekutojnë një goditje këndi me Jagon në shtyllën e parë ku Gurishta me thembër fut sferën në qendër, por askush nga shkodranët nuk e devijon dot drejt portës.
21’ Fadairo ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli në sulm ndaj Qatos. (VIDEO)
19’ Një top i gjatë gjen Bismark i cili del në të majtën drejt fundores, por sinjalizohet në pozicion jashtë loje. (VIDEO)
14’ Në një goditje këndi të shkodranëve, askush nuk ia del të devijojë sferën para portës së mbrojtur nga Selmani.
12’ Në zhvillimin e një goditje këndi, Vila gjuan shumë lart mbi traversën e portës së Teutës.
10’ Balaj tenton me një goditje dënimi nga jashtë zonës, sfera shkon shumë lart mbi traversë.
7’ Gol dhe protesta në Shkodër! Një pasim mbrapa i gabuar i shkodranëve sjell golin e Boçit. Gjyqtari Vrapi sinjalizon nga qendra e pastaj anulon menjëherë golin, duke bërë shenjë për pozicion jashtë loje. Më pas goli anulohet për faull mes protestave të durrsakëve të cilët pretendojnë se nuk ka pasur kontakt mes Arifit dhe Pohls. (VIDEO) (VIDEO)
1′ Starton sfida!
FORMACIONET ZYRTARE
VLLAZNIA: Pohls, Gjini, Gurishta, Bajrami, Bismark, Mala, Qato, Jago, Kastrati, Balaj, Kallaku
Trajner: Edi Martini
TEUTA: Selmani, Zhongo, Maçolli, Boçi, Kotobelli, Përgjoni, Fadairo, Arifi, Toli, Vila, Votlai
Trajner: Enkeleid Dobi
PANORAMASPORT.AL













