VIDEO/ Gol për të eliminuar Interin, e ardhmja e sulmit të Shqipërisë nuk ndal së shënuari me fanellën e Juventusit
Arman Durmishi po tregon çdo ditë e më shumë potencialin e tij të jashtëzakonshëm duke shkëlqyer me fanellën e ekipit U20 të Juventusit, ku aktivizohet rregullisht edhe pse është vetëm 17-vjeçar.

Lojtari i cili braktisi Slloveninë për të veshur ngjyrat kuqezi, ka shkëlqyer edhe sot, duke lënë shenjën e tij në çerekfinalet e Kupës së Italisë për këtë grupmoshë, ku përballë kishte Interin, në portën e të cilit aktivizohej që në start Alain Taho.
Durmishi e nisi ndeshjen nga stoli, për t’u aktivizuar vetëm në pjesën e dytë të sfidës të cilën ekipi i tij e kryesoi që në minutat e parë. Sulmuesi nuk kishte shumë raste për shënim pasi ishin vendasit që diktuan ritmin, por në mundësinë e parë që iu shfaq në minutën e 81-të, nuk gaboi duke shënuar atë që ishte goli i rezultatit të përkohshëm 2-0.
SHIH VIDEON
Skuadra e tij më pas shënoi edhe golin e tretë dhe siguroi fitoren 3-0 që e çon në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë për këtë grupmoshë.
Ky ishte goli i 7 për Durmishin në këtë sezon, në të cilin ka luajtur 15 ndeshje me fanellën e Juventusit U20.
PANORAMASPORT.AL













