VIDEO/ Dominim dhe fitore e Vllaznisë në “Klasike”, Shehi nuk e “zgjon” dot Tiranën në debutim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2026 | 23:44

VIDEO/ Dominim dhe fitore e Vllaznisë në “Klasike”, Shehi nuk e “zgjon” dot Tiranën në debutim

Vllaznia i është kthyer shpejt fitoreve, duke lënë pas hapin e gabuar ndaj Bylisit në kampionat, teksa ka mundur në “Klasiken” e futbollit shqiptar Tiranën me përmbysje.

bandicam 2026-02-27 20-34-46-722

Shkodranët kanë dominuar ndeshjen që në startin e saj, duke krijuar më shumë volum loje, por u goditën nga një pavëmendje në prapavijë që solli golin e Xhixhës për miqtë. Megjithatë, barazimi nuk do të vononte shumë pasi Bismark gjeti devijimin e duhur me kokë për të vendosur baraspeshën në shifra.

Pjesa e dytë foli tërësisht për Vllazninë e cila kërkoi me ngulm golin dhe e gjeti atë falë një dhurate të Kortez, i cili shënoi në portën e skuadrës së tij. Pak minuta më vonë, erdhi edhe penalltia e fituar nga Mala dhe e transformuar saktësisht nga i zakonshmi Balaj, për t’i dhënë Vllaznisë qetësinë në këtë ndeshje.

Shkodranët nuk ndalën sulmet edhe në vijimin e duelit, por nuk ia dolën të kalonin më Bekajn, duke u dashur të kënaqen vetëm me 3 gola në këtë ndeshje ndaj rivalëve historikë. Nga ana tjetër, Shehi nuk mundi të bënte shumë për të nxjerrë skuadrën bardheblu nga kriza e rezultateve që e zhysin gjithnjë e më shumë në zonën e ftohtë.

VLLAZNIA-TIRANA 3-1
31′ Bismark, 48′ (ag) Kortez, 71′ (p) Balaj / 25′ Xhixha

NGJARJET KRYESORE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-1 të Vllaznisë.

90’+4’ Dodaj provon me një gjuajtje nga distanca, Bekaj përsëri grushton dhe çon topin në këndore. (VIDEO)

90′ Jepen 4 minuta shtesë.

89’ Çelikoviç dhe Murataj hyjnë në lojë në vend të Malës dhe Kallakut në radhët e shkodranëve.

88’ Falaje dhe Alvarez hyjnë në fushë në vend të Xhixhës dhe Mysloviç në radhët e Tiranës.

87’ Kallaku hyn në zonë nga e majta, lëshon një gjuajtje të fortë që ndalet nga Bekaj. (VIDEO)

83’ Pas një goditje dënimi të Kastratit, Pusi gjuan me kokë por gjen përgjigjen e Bekajt. (VIDEO)

82’ Tabeku ndëshkohet me të verdhë pasi ndal në mënyrë të parregullt Kastratin.

81’ Ernest ka mundësinë e parë të rrezikojë portën shkodrane në të djathtën, Pohls devijon gjuajtjen e tij në këndore. (VIDEO)

79’ Balaj dhe Krymi largohen nga radhët e Vllaznisë për t’i bërë vend Dodajt dhe Salës.

73’ Vogli merr vendin e Kobiljar në radhët e Tiranës.

71’ GOOOL VLLAZNIA! Shënon Balaj me penallti. (VIDEO)

68’ Penallti për Vllazninë! Depërtim në zonë i Malës i cili ndalet në mënyrë të parregullt nga Halili dhe për gjyqtarin Lata nuk ka dyshime, duke bërë shenjë nga pika e bardhë mes protestave të bardhebluve që pretendojnë një prekje topi me dorë të Kallakut gjatë aksionit. (VIDEO)

64’ Edhe Martini bën lëvizjen e parë, duke larguar Jago për t’i bërë vend Kastratit.

62’ Shehi vendos të largojë Kortez pas gabimeve të njëpasnjëshme, duke hedhur në fushë Ernest në radhët e Tiranës.

60’ Kortrz bën një ndërhyrje të gabuar dhe ndëshkohet me karton të verdhë. (VIDEO)

58’ Bajrami nga e majta provon një harkim në zonë që nuk devijohet nga askush dhe përfundon jashtë.

55’ Rrëmujë në zonën e Tiranës pas një goditje dënimi të Malës nga e djathta, në fund mbrojtja e bardhebluve ia del të largojë topin.

48’ GOOOL VLLAZNIA! Qato nis Balajn në të majtën, pasimi i sulmuesit në qendër kthehet në portën e Bekajt nga Kortez i cili shënon autogol. (VIDEO)

46’ Halili merr vendin e Lleshit në radhët e Tiranës në startin e pjesës së dytë.

45’+4’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin 1-1.

45’+1’ Protesta të shkodranëve që pretendojnë për prekje topi me dorë nga Haxhiu në zonë, por gjyqtari lë lojën të vazhdojë. (VIDEO)

45′ Jepen 3 minuta shtesë.

43’ Mala nis një top në thellësi, Bekaj del e mbërthen sferën.

40’ Protesta të shkodranëve pasi gjyqtari Lata ndal një aksion të vendasve pas një rrëshqitje të Kortez, ku ai merr një goditje nga Balaj. (VIDEO)

38’ Sulme të vazhdueshme të shkodranëve, të cilët provojnë të gjejnë një tjetër gol të shpejtë.

31’ GOOOL VLLAZNIA! Pas një goditje dënimi të Malës, Bismark me kokë gjen devijimin e duhur për të mposhtur Bekajn. (VIDEO)

29’ Qato merr një pasim të mirë në zonë dhe gjuan menjëherë, por nuk gjen portën në të djathtë të Bekajt. (VIDEO)

25’ GOOOL TIRANA! Xhixha pason te Tabeku i cili nuk gjuan siç duhet por sfera kthehet te Xhixha i cili nuk gabon me diagonalen e tij. (VIDEO)

22’ Pas një aksioni të gjatë të kuqebluve, Mala tenton nga e djathta, por sfera devijohet e shkon në duart e Bekajt.

19’ Krymi ndëshkohet me të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Kobiljar. (VIDEO)

19’ Qato harkon në fundore nga e majta, Bismark nuk ia del të devijojë para portës.

17’ Balaj provon një gol nga distanca, sfera nuk gjen portën e mbrojtur nga Bekaj. (VIDEO)

15’ Xhixha dhe Haxhiu tentojnë të shpërthejnë në zonë nga e majta, gjuajtja e anësorit të bardhebluve ndalet nga mbrojtja e Vllaznisë.

10’ Bismark rrëzohet në zonë pas një kontakti me Kortez, gjyqtari lë lojën të vijojë. (VIDEO)

10’ Vllaznia ka iniciativën në këto minuta të parë duke qarkulluar topin e kërkuar më shumë aksionet sulmuese.

4’ Jago shfaqet nga e majta dhe tenton me një diagonale, Bekaj devijon sferën në këndore. (VIDEO)

3’ Xhixha futet në zonë dhe shmang dy futbollistë, por më pas sugjerimi i tij në qendër devijohet në këndore nga mbrojtja kuqeblu. (VIDEO)

1’ Shkelmohet topi i parë në “Loro Boriçi”.

FORMACIONET ZYRTARE

Vllaznia: Pohls; Pusi, Gjini, Bajrami, Jago, Qato, Krymi, Kallaku, Mala, Balaj, Bismark

Trajner: Edi Martini

Tirana: Bekaj; Vera, Kortez, Kreshiç, Lleshi, Haxhiu, Kobiljar, Mysloviç, Rafael, Tabeku, Xhixha

GJYQTARËT

Arbitër kryesor: Florjan Lata

Asistent 1: Mario Shazivari

Asistent 2: Ergys Spahiu

Arbitër i 4: Dorjan Maletaj

VAR: Albert Doda

AVAR: Andi Koçi

PANORAMASPORT.AL