Vëzhgimi i “Panorama Sport”, Tirana me sulmin më të dobët të dekadës pas 11 javëve
Tirana, një skuadër që historikisht e ka ndër tuar suksesin te forca shënuesve, këtë sezon po përballet me një krizë të qartë në repartin ofensiv. Pas 11 javëve të para, bardheblutë kanë realizuar vetëm 8 gola, duke regjistruar mesataren më të ulët të 10 viteve të fundit, 0.73 gola për ndeshje. Kjo shifër e vendos ekipin në nivelin më të ulët sulmues që nga statistikat e dekadës, duke ndezur dritat e alarmit në ambientin bardheblu.

Kur shihen në harkun kohor të nëntë sezoneve, shifrat tregojnë qartë se problemi i Tiranës në këtë fillim edicioni në sulm nuk është episodik, por rënie e dukshme krahasuar me standartet që ka pasur skuadra. Bardheblutë ndër vite kanë qenë ndër ekipet më sulmuese të kampionatit, me periudha ku mesatarja i afrohej 2 golave për ndeshje në fazën e parë të sezonit. Kjo e bën akoma më të fortë kontrastin me vitin aktual. Në sezonin 2025-2026, me vetëm 8 gola në 11 ndeshje, Tirana regjistron jo thjesht një fillim të dobët, por fillimin më pak produktiv të dekadës, duke rënë ndjeshëm edhe nën mesataren historike të saj. Vetëm dy herë në 10 vitet e fundit skuadra ka prodhuar një mesatare më të ulët se 1 gol për ndeshje, por asnjëherë kaq pak sa këtë sezon.
Megjithatë, rënia prej ndërmjet 30-40% në prodhimtarinë sulmuese sugjeron probleme strukturore, ritëm më i ulët, mungesë fantazie në ndërtimin e aksioneve, efektivitet i dobët i sulmuesve dhe ulje e kontributeve nga mesfusha. Për më tepër, shpërndarja e golave në sezonet e kaluara tregon se Tirana shpesh e ka mbajtur ekipin në majë falë një sulmi të qëndrueshëm, duke shënuar 17-21 gola në këtë fazë të kampionatit. Kjo ka qenë një garanci e qartë për rezultate. Ndërkohë, sezoni aktual e vë klubin përballë vështirësisë për të prodhuar raste të pastra shënimi dhe për të krijuar presion te kundërshtari, një element që ka qenë identitet i Tiranës në edicionet me sukses.
E SHKUARA E AFËRT – Sezoni i kaluar kishte një nisje shumë më pozitive me 13 gola, ndërsa në periudhat më të arrira sulmuese, si në sezonin 2021-2022, Tirana arrinte të shënonte 21 herë në të njëjtin interval. Edhe sezonet 2022-2023 dhe 2019- 2020, me nga 19 gola, krijonin një diferencë të konsiderueshme me realitetin e sotëm. Krahasimi i këtyre shifrave tregon jo vetëm rënie në prodhimtarinë sulmuese, por një rënie të thellë dhe të vazhdueshme, që thekson se problemi nuk është rastësor.
Tirana ka 5 gola më pak se një vit më parë dhe deri në 13 gola më pak se sezonet kur reparti i avancuar ishte arma më e fortë e ekipit. Diferenca është mjaftueshëm e madhe sa të tregojë se mungesa e efikasitetit është kthyer në një çështje serioze dhe jo në një periudhë të keqe forme. Analiza shkon edhe më tej. Në shumicën e viteve të fundit, Tirana ka qenë skuadër kompakte, që krijon shumë raste dhe shënon rregullisht. Por këtë sezon, ndeshjet tregojnë vështirësi në finalizim, mungesë lëvizjesh decizive në zonë dhe pak zgjidhje kreative në të tretën e fushës.
Shumë prej golave të viteve të mëparshme vinin nga skemat e shpejta, goditjet nga distanca apo shtytja e mesfushorëve që arrinin në kohë në zonë, elementë që tashmë duken dukshëm më të rrallë. Në një kampionat që po bëhet gjithnjë e më konkurrues, Tirana rrezikon të penalizohet rëndë në renditje nëse nuk e gjen shpejt versionin e vetë më efikas në sulm. Me shifrat aktuale, çdo objektiv madhor bëhet i vështirë, sidomos kur kundërshtarët po tregojnë rritje të dukshme në aspektin ofensiv. Pesha e pritshmërive është e lartë dhe skuadra duhet të reagojë. Me këtë ecuri, stafi teknik ka përpara një detyrë të qartë, rikthimin e identitetit sulmues që historikisht ka qenë ADN-ja e Tiranës. Sepse nëse ky repart nuk zgjohet, sezoni rrezikon të marrë trajektoren më të vështirë të viteve të fundit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













