U shënon shpesh “demave”, Musta: E shkurtuam diferencën me Partizanin, Elbasanin e presin edhe 9 finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2025 | 21:44

U shënon shpesh “demave”, Musta: E shkurtuam diferencën me Partizanin, Elbasanin e presin edhe 9 finale

Emiljano Musta ishte heroi i Elbasanit me dopietën e tij, duke i dhënë fitoren që mban gjallë shpresat për “Final 4”. Përballë Partizanit, mbrojtësi i dha fund edhe makthit të penalltive këtë sezon, teksa ndaj të kuqve realizoi dopietën e dytë personale.

musta

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Musta pohon se tani skuadrën e presin edhe nëntë finale të tjera dhe kurrsesi nuk duhet të ulin ritmin. Ai beson se ndaj Skënderbeut do të koleksionojnë fitoren e radhës, edhe pse nuk i pret një sfidë e lehtë.

Emiljano, sa e kishit pritur këtë fitore?
Në fakt, kishim kohë që e prisnim. Ekipi po zhvillonte ndeshje mjaft të mira, ku po prodhonim lojë dhe raste. Ishte thjesht goli dhe fitorja, që na kishte munguar paska. Për fat të mirë, me Partizanin arritëm të merrnim tri pikët.

Realizuat dopietë, jo pak për një mbrojtës, apo jo?
Më shumë sesa golave, i gëzohem faktit që ekipi mori tri pikë. Gjithashtu, më e rëndësishmja është që mbajtëm portën tonë të paprekur, sepse na kishte munguar në këto javët e fundit kjo gjë. Golat dhe këtë fitore ia dedikojmë Arsen Lleshit, i cili ka bërë edhe një operim për shkak të dëmtimit.

Dopieta e parë për ju apo e patët shijuar edhe më herët?
Në fakt, kjo nuk është dopieta e parë, pasi kam shënuar edhe herë të tjera. Madje, njëra nga dopietat është realizuar po kundër Partizanit, kur isha në radhët e Kukësit. Për koiçidencë, ndeshja është zhvilluar pikërisht në “Elbasan Arena”.

Na trego pak emocionet te penalltitë, duke ditur historitë jo të mira të Elbasanit me to…
Të them të drejtën, nuk kisha aspak presion apo emocione, pasi isha i bindur dhe i qetë që do të shënoja. Penalltitë e kaluara i përkasin së shkuarës dhe futbolli është i bukur, pasi çdo javë është një fillim i ri dhe një sfidë e re.

Gjashtë gola deri më tani në kampionat, i prisnit?
Është e vërtetë që 6 gola nuk janë pak për një mbrojtës, por unë personalisht të gjitha sezonet e mia i kam mbyllur diku te kuota e 5 golave të shënuar. Ndaj, për mua personalisht, nuk është surprizë.

Partizani është gjashtë pikë larg, mendoni se do ia dilni për në “Final 4”?
Kjo fitore i ka shkurtuar disi diferencat me Partizanin, por tani e dimë që kemi nëntë finale të mbetura. Detyra jonë është të bëjmë maksimumin deri në fund. Shpresojmë të arrijmë në “Final 4”, ku do të ishte një sukses për ne.

Ndeshja e radhës me Skënderbeun, si e prisni?
Siç e thashë pak më lart, çdo ndeshje është si një finale. Skënderbeu ka një ekip mjaft cilësor dhe nuk e meriton pozicionin që ndodhet në tabelë. Do ta përgatisim me kujdes dhe shpresojmë të dalim me tri pikë përsëri.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL