Tre duelet e fundit në barazim pa gola, Dinamo kërkon fitoren e parë ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2026 | 11:54

Tre duelet e fundit në barazim pa gola, Dinamo kërkon fitoren e parë ndaj Bylisit

Dinamo do të përballet sot me Bylisin në transfertë për ndeshjen e javës së 31-të të Superiores. Blutë do të tentojnë të marrin më të mirën për të pasur mundësi që të jenë sërish në garë për një vend në Europë ose në “Final 4”, teksa nga ana tjetër, pikët janë jetike edhe për Bylisin për një vend në Superiore. Fitorja e fundit e Tiranës, nuk i jep mundësi tjetër ballshiotëve në luftën për të mbijetuar ndërkohë që në Ballsh pritet që të jetë një “luftë”.

bylis-dinamo

Këtë sezon, asnjëra nga skuadrat nuk e ka provuar shijen e fitores në përballjet direkte e madje, asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Të tria ndeshjet e kampionatit në 3 fazat e luajtura, janë mbyllur në barazime pa gola dhe skuadrat do të kërkojnë që të marrin më të mirën në takimin e sotëm për objektivat që kanë.

Rivalët e Bylisit, kanë luajtur duke marrë të gjitha pikë pasi Tirana fitoi ndaj Egnatias, ndërsa nga ana tjetër, Flamurtari e Vora ndanë nga një pikë në Vlorë. Kështu, ballshiotët nuk kanë mundësi të tjera, teksa Dinamo duhet të fitojë dhe të presë e qetë ndeshjen e Partizanit që luhet në mbrëmje kundër Elbasanit në transfertë, me shpresën që verdheblutë të fitojnë.

PANORAMASPORT.AL