Trajneri Martini me “dhimbje koke” te Vllaznia, rrezikohet me 5 mungesa ndaj Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 15:20

Trajneri Martini me “dhimbje koke” te Vllaznia, rrezikohet me 5 mungesa ndaj Vorës

Problemet me mungesat për Vllazninë kanë filluar të shfaqen, me shkodranët të cilët në dy sfidat e fundit në kampionat kundër Partizanit dhe Teutës nuk kanë pasur të gatshëm 3 nga futbollistët e tyre. Fjala është për portierin, Aron Jukaj, i cili do të mungojë për 3-4 javë, dhe dyshen Qato-Kuros. Me këta të fundit, që po ashtu si “gardiani” kanë probleme fizike, por të një shkalle më të lehtë.

vllaznia

Megjithatë, Kristi Qato dhe Aleksander Kuro po mbahen në monitorim dhe në ditët në vazhdim do të shihet nëse mbrojtësi dhe mesfushori mund të jenë të gatshëm për ndeshjen e radhës kundër Vorës. Por, një mungesë e sigurt në javën e 5-të për Vllazninë do të jetë Erdenis Gurishta. Mbrojtësi shkodran i kuqebluve u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhave, në duelin e barazuar 1-1 ndaj Teutës.

Në këtë mënyrë, ai nuk do të jetë i gatshëm për 9 herë kampionët e vendit ndaj Vorës. Në këtëo kushte, te Vllaznia patjetër kërkojnë rikuperimin sa më të shpejtë të Kuros, në mënyrë që mëngjarashi të rikthehet dhe të jetë titullar në repartin e prapavijës, duke iu bashkuar në këtë mënyrë edhe dyshes Bajrami-Gjini për ndeshjen e radhës në kampionat.

BISMARK- Një tjetër futbollist që shqetëson te Vllaznia është edhe Çarls Bismark. Sulmuesi u mendua se do ta niste titullar ndaj Teutës, por një shqetësim në orët e fundit para sfidës bëri që ganezi të përfundonte në stol ndaj durrsakëve. Pavarësisht se ai u hodh në fushë në minutën e 68- të, shtatlarti qëndroi në lojë vetëm për 18 minuta. Në të 86-ën, Bismark ia la vendin Hakajt, duke treguar se problemi fizik ende e shoqëronte. Pra, plot 5 futbollistë të cilët mund të konsiderohen titullarë në radhët e shkodranëve që rrezikojnë të mos jenë pjesë e ekipit në ndeshjen e së dielës. Me trajnerin Martini që duhet të gjejë formulën dhe futbollistët e duhur që do hedhë në fushën e lojës ndaj Vorës.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL