Trajneri i Dinamos kërkon “recetën”, ka një formacion fitues. Improvizime dhe rezultate historike, ja si i surprizon
Dinamo e këtij sezoni ka pasur shumë luhatje e oshilacione dhe kjo është pasqyruar edhe në rezultatet e marra e njëkohësisht edhe në klasifikim. Shpesh herë skuadra e Dajës ka dhuruar paraqitje shumë të mira duke bindur, edhe pse disa raste paraqitja në fushë nuk ka sjellë rezultatet e duhura.
Por ka pasur edhe shumë ndeshje ku loja e Dinamos ka zhgënjyer dhe natyrisht rezultatet nuk kanë qenë të pritshmet e sot, Dinamo ndan vendin e katërt me Partizanin me pikë të barabarta duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në “Final 4”. Daja ka pasur një organikë të pasur me lojtarë dhe opsionet në stol kanë qenë të shumta, pavarësisht mungesave për shkak të kartonëve apo edhe dëmtimeve që e kanë shoqëruar skuadrën disa herë këtë sezon në mënyrë të përsëritur.
Për të ndryshuar situatën që nuk i përgjigjet, Daja ka ndryshuar shpesh herë edhe skemat me të cilat ka zbritur në fushë dhe aktualisht janë 5 skema të ndryshme të përdorura nga Daja deri në këtë pikë të sezonit. Dhe në fakt, Dinamo e ka një skemë fituese që ka qenë edhe më e suksesshmja deri në këtë pikë të kampionatit.
4-4-2 Me këtë vendosje në fushë, Dinamo ka zbritur 8 herë duke fituar plot 7 prej tyre ndërkohë që ka humbur vetëm një ndeshje. me 4-4-2, Dinamo ka dhuruar spektakël dhe ka arritur të marrë fitore të rëndësishme duke mundur edhe skuadra si Partizani, Flamurtari, Vllaznia apo edhe Tiranën në derbi me rezultatin e thellë 6-2. Me këtë vendosje, Daja ka preferuar 4 mbrojtës, dy mesfushë të vendosur para mbrojtjes dhe dy mesfushorë në krah, të cilët kanë avancuar shpesh herë për të ndihmuar dyshen e sulmit që shpesh herë ka qenë Guindo-Vila.
4-3-3 Nëse me formacionin 4-2- 2 Dinamo ka shumë fitore, nuk mund të thuhet e njëjta gjë në rreshtimin me 3 sulmues. Dinamo ka luajtur 6 herë me këtë formacion dhe në këto sfida, numëron plot 4 humbje si edhe 1 fitore dhe 1 barazim. E vetmja fitore e Dinamos me këtë skemë, ka qenë ajo në Vlorë me rezultatin e pastër 0-3, teksa ka barazuar me Tiranën.
4-2-3-1 Me këtë rreshtim, Dinamo ka luajtur pjesën më të madhe të ndeshjeve këtë sezon duke qenë një nga skemat më të preferuara për trajnerin Daja. 12 ndeshje të zhvilluara këtë sezon kanë qenë me këtë skemë, ku sërish për Dinamon ka një ecuri më negative. Në total, blutë kanë fituar vetëm 4 prej tyre ndërsa 7 ndeshje të tjera kanë qenë humbje. Sa i përket barazimeve, Dinamo ka barazuar vetëm 1 herë.
3-3-3-1 Ndeshjen e fundit të muajit janar, Dinamo e luante me Bylisin në atë sfidë ku në stol për herë të parë ishin Malomo dhe Mustafa, të afruar vetëm pak orë para ndeshjes. Daja vendosi të provonte këtë skemë, i detyruar edhe nga mungesat e shumta por skuadra e tij nuk arriti të merrte më shumë se një barazim pa gola në shtëpi.
3-4-3 Të premten e shkuar, Dinamo u përball me Egnatian në transfertë ku u mund me rezultatin e ngushtë 1-0. Daja provoi për herë të parë këtë sezon një skemë të re, e cila nuk rezultoi me shumë fat për skuadrën e tij. blutë zhvilluan një ndeshje pozitive por rezultati nuk foli në favorin e tyre, duke u mundur vetëm pak sekonda para fundit.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













