Trajneri i bardhebluve, Nuhiju: Tirana, merkatoja e hapur deri në limite. Pres edhe një surprizë tjetër
Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiju, foli për situatën e merkatos dhe sfidat e ardhshme të ekipit.
Ai dha një pasqyrë të qartë për planet e klubit dhe pritshmëritë për lojtarët dhe tifozët, ndërsa heksoi se, edhe pse skuadra ka bërë tashmë përforcime, merkatoja nuk është e mbyllur zyrtarisht dhe gjithmonë ekziston mundësia për të integruar lojtarë cilësorë që mund të rrisin nivelin e grupit dhe të bëjnë diferencën në fushë.
“Mund të themi që merkatoja është mbyllur apo pritet ndonjë lëvizje përveç Bekajt? Në fakt, duhet të shohim. Gjithmonë ka hapësirë për ndonjë lojtar me kualitet, që t’i shtohet grupit dhe të rrisë nivelin e skuadrës. Nuk e konsiderojmë merkato të mbyllur. Në momentin që na shfaqet ndonjë lojtar cilësor, patjetër do ta integrojmë”, deklaroi Nuhiju, duke nënvizuar strategjinë e klubit për të mbajtur skuadrën konkurruese dhe të përgatitur për sfidat e vështira.
Trajneri u ndal edhe te tre ndeshjet e ardhshme, që përbëjnë një seri derbesh me peshë të madhe për kampionatin. Ndaj Egnatias, Dinamos dhe Partizanit. Ai pranon se janë sfida të forta, pasi kundërshtarët janë të motivuar dhe kërkojnë pikët maksimale, por ai beson te kualiteti dhe karakteri i skuadrës së tij.
“Pa diskutim, janë ndeshje të forta, sepse janë kundërshtarë që po ndjekin kampionatin dhe kërkojnë të marrin maksimumin në çdo sfidë. Por unë gjithmonë mbështetem te kualiteti i skuadrës sonë. Do të analizojmë çdo ndeshje me kujdes, duke nisur nga e ardhmja me Egnatian, dhe ndeshje pas ndeshje duhet të marrim maksimumin nga skuadra,” tha Nuhiju.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e qetësisë dhe përqendrimit. Ekipi duhet të përdorë potencialin e plotë të lojtarëve, të tregojë karakter dhe durim, dhe të shfrytëzojë çdo mundësi për të arritur rezultatet që duhen në fazën vendimtare të kampionatit. Trajneri nënvizoi se mbështetja e tifozëve do të jetë një faktor vendimtar, duke u bërë pjesë e këtij procesi sfidues dhe duke ndihmuar skuadrën të qëndrojë e fortë në çdo ndeshje.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













