Trajneri Deliallisi: Pika në derbin në Burrel vlen, Korabi nuk heq dorë nga objektivi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2026 | 12:50

Trajneri Deliallisi: Pika në derbin në Burrel vlen, Korabi nuk heq dorë nga objektivi

Korabi ishte përgatitur për maksimumin në startin e fazës së tretë, por duke ditur se përballë kishte derbin e Qarkut Dibër në transfertën e Burrelit, edhe një pikë u konsiderua e vlefshme. Për këtë sfidë dhe për ecurinë e mëtejshme të skuadrës, trajneri Alfred Deliallisi foli për “Panorama Sport”.

deliallisi

“Mendoj se fillimin e lojës e nisëm jashtëzakonisht mirë, me raste të pastra. Më pas i dhamë shumë terren kundërshtarit, duke na vënë në vështirësi. Ishte një kundërshtar i fortë, jo më kot ndodhet aty ku është në renditje. Prandaj mendoj se ishte një ndeshje e luftuar, ku ne treguam karakter dhe personalitet.

Është e vështirë të vish në Burrel dhe të marrësh pikë, sepse realisht është një kundërshtar i fortë për këdo dhe shfrytëzon maksimalisht fushën e vet. Në fund, mendoj se është një pikë me vlerë, edhe pse me rastet që krijuam në fillim mund të bënim diçka më shumë”, u shpreh Deliallisi. Tekniku i Korabit theksoi se skuadra u ndikua edhe nga mungesat e rëndësishme: “Sigurisht që patëm disa mungesa, ku më kryesoret ishin mbrojtësi Xhika dhe sulmuesi Morina, të cilët ishin të pezulluar. Këta janë lojtarë faktorë dhe shumë të rëndësishëm për ekipin. Mendoj se mungesa e tyre ndikoi, pasi nuk patëm shumë alternativa për t’i zëvendësuar”.

Në lidhje me objektivat e sezonit, trajneri dibran mbetet i vendosur: “E kam theksuar vazhdimisht se nuk heq dorë nga objektivi ynë për të kapur gjashtëshen e parë. Do të luftojmë deri në ditën e fundit për të qenë mes gjashtë ekipeve më të mira. Misioni ynë vazhdon, kemi ende shumë ndeshje për të luajtur. Do të ecim përpara me karakter dhe personalitet. Objektivi është më se i arritshëm dhe pikët janë aty”, përfundoi Deliallisi.

Abdulla Dushku-PANORAMASPORT.AL