“Trajner megaloman, ka ego të sëmurë”, ish-drejtori i Flamurtarit kundër Morieros: Klubi ta çojë diku për t’u kuruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2026 | 23:22

“Trajner megaloman, ka ego të sëmurë”, ish-drejtori i Flamurtarit kundër Morieros: Klubi ta çojë diku për t’u kuruar

Vangjel Laluci kërkon largimin e trajnerit Françesko Moriero. Ish-drejtori i klubit apelon që teknikut italian t’i jepen pushime, pasi sipas tij ai ka probleme serioze dhe duhet të dërgohet për kurim.

Moriero

Për “Panorama Sport”, Laluci thekson se Moriero është kokëfortë dhe nuk ka bërë asnjë ndryshim te Flamurtari. “Unë mendoj se edhe klubi duhet të kujdeset pak për shëndetin e trajnerit. Mesa duket ai ka shqetësime të rënda dhe unë them se është mirë që klubi t’i japë pushimet, ta çojë diku për t’u kuruar, sepse ndoshta shqetësimi mund të jetë i rëndë. Ndoshta do të ishte mirë edhe për atë. Nëse është i sëmurë, duhet të largohet.

Ky trajner… mua më bën përshtypje që ai ka një lloj megalomanie, ka një ego të sëmurë. Edhe nga kritikat që bëhen, por edhe ai vetë duhet ta kuptojë që një gjë nuk shkon. Një modul apo një vendosje nuk funksionon, pas dy-tre ndeshjesh duhet të bësh një ndryshim. Ky nuk…

Mua më çudit kokëfortësia që ka. Një kokëfortësi si qëllim në vetvete, nuk e kuptoj. Unë prandaj them se ky trajner duhet të largohet. Nuk e kisha këtë mendim kur erdhi ai, por duke e parë u binda se ky trajner neve nuk na shpëton. Ai nuk reagon dhe nuk bën asnjë lloj ndryshimi, atëherë pse duhet të qëndrojë akoma”, shprehet fillimisht Laluci.

laluci

SITUATA – Ish-drejtori i klubit veçon vetëm portierin Aleskovski, që sipas tij bën diferencën. Laluci thekson se nevojitet një skuadër më agresive në mbrojtje. “Ne kemi një portier të mrekullueshëm. Për mua është një nga pikat tona më të forta. Me këtë portier dhe me një mbrojtje të konsoliduar mund të bënim shumë më mirë. Unë do të rreshtoja pesë mbrojtës në një linjë. Ne jemi një ekip për mbijetesë.

Duhet të jemi agresivë në aspektin mbrojtës, por pa lënë pas dore sulmin. Ke edhe lojtarë të shpejtë si Maksuti, Ememe dhe Bolzan dhe mund të kapësh kundërsulmin. Por rëndësi ka mënyra si e kompozon ekipin dhe çfarë fryme i jep. Me atë shpërndarje që bën ai, siç thoshte një profesori ynë: ‘Si dhitë e Romësit në Mesarak të Armenit’, njëri atje e tjetri këtu, nuk bëhet dot. Ne jemi në kushtet që duhet të jemi bllok, nuk duhet të lëmë hapësira fare dhe kështu mund të mbijetosh. Duhet të jemi më të thjeshtë”, thotë ish-drejtori.

I DOLI PARASHIKIMI – Një javë më parë, Vangjel Laluci u shpreh se Flamurtari është “sakat”, ndërsa thekson se ndeshja me Partizanin i dha sërish të drejtë. Sipas tij, ekipi nuk ka bosht. “E thashë një javë më parë dhe kjo ishte në kuadrin e vazhdimësisë. Do të uroja që ai parashikim të mos dilte dhe Flamurtari të mos ishte ‘sakat’ në ndeshjen me Partizanin, por të merrte pikët.

Nuk ishte diçka e re për ne. Flamurtari mbetet një ekip që nuk të jep besim. Ka minus 10 golavarazhin dhe shumë gola të pësuar. Edhe kur realizojmë, pësojmë. Është një ekip që nuk ka kolonë vertebrale, është një ekip pa bosht”, përfundon Laluci.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL