“Tradhtia” brenda Partizanit
Nga EMANUEL LOCI

Partizani u trondit pas eliminimit nga Egnatia në Kupë. Dështimi rëndon te të kuqtë sepse zhgënjimi nuk erdhi rastësisht, por ishte paraprirë. Një sërë ngjarjesh kanë ndjekur njëra-tjetrën këtë vit ku premtimet sollën “tradhti”.
11 janar, trajneri i Partizanit, Aleksandër Veselinoviç sulmoi klubin për lëvizjet në merkato:
“Kam 24 vite trajner. Kudo që kam punuar kam marrë përgjegjësinë e plotë dhe kam punuar me raporte të shkruara. Në raport është shkruar, më 5 janar, kam dërguar te i gjithë menaxhmenti i klubit Partizani. Jam munduar të shpjegoj ku kemi qenë, ku jemi dhe ku po shkojmë në raport me ambiciet që ka klubi. Kam shpjeguar gjithçka nëpërmjet argumenteve tek ai raport i shkruar.
Kam shkruar tek ai raport që momentalisht nuk jemi konkurrentë të denjë dhe nuk kemi cilësi të mjaftueshme për të garuar me konkurrentët më cilësorë që janë në kampionat. Nëse analizohet situata që para 3 javësh kur luajtëm me Vllazninë, ne sot luajtëm pa pesë lojtarë(Hadroj, Rrapaj, Cara, Mba dhe Kote) dhe ato nuk janë vetëm lojtarë të thjesht, por kanë qenë liderë të ekipit. Të mërkurën, vetëm dy minuta para se të dalim në stërvitje, jam lajmëruar që nuk do kem edhe Mban. Mund të them me përgjegjësi të plotë se në këtë moment nuk kemi cilësi të mjaftueshme në raport me ambiciet e klubit, nuk kemi ekuilibër në ekip. Mbase kemi disa alternativë përsa i përket ndërrimeve, por nuk kanë qenë lojtarë stabël. Dje në stërvitje dhe sot në ndeshje kemi pasur në protokoll vetëm 15 lojtarë, hiq portierët. Nuk kemi as 20 lojtarë të mjaftueshëm për të realizuar idetë taktike në fushë, dhe si të 16-të kemi thirrur Jatën nga ekipi i të rinjve.
Mbase është shumë me rëndësi që të thuhen këto gjëra. Jam nga ato persona që dua të them të vërtetën dhe të qëndroj pas saj. Nuk e di sa seriozisht e kanë marrë raportin njerëzit që ja u kam dërguar atë. Unë bashkë me stafin nuk kemi ardhur për kot këtu, por për ambicie të caktuara dhe kjo që po ndodh tani nuk është që më plotëson as ambiciet e mia, por besoj as të klubit.
Fillimisht nuk mund të komentoj intervistën e drejtorit sportiv(Abilaliaj) pasi nuk e kam parë. Momentalisht mund të verifikoj se nuk kemi tre përforcime, por vetëm një, Padstrelau. Përsa i përket Sodiq nuk e di as ku ndodhet, në cilën pjesë të planetit jeton, nuk e kam fare idenë. Gudjufi ka ardhur po nuk është se jam konsultuar apo informuar nga dikush. Jam informuar vetëm që po kalon testet mjekësore dhe është përfshirë në proces të punës”.
11 janar, Gjelbrim Taipi, lojtar i Partizanit, pranoi se Partizani ka humbur kualitetin:
“Normalisht ne jemi munduar në garderobë, të gjithë futbollistët që kemi ngelur tani që të bashkohemi fort sepse e dimë që ikja e futbollistëve siç është Tedi, Ari, Andi dhe Mba është humbje shumë e madhe për ne. Të gjithë kanë qenë mendoj futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe jo rastësisht janë shitur. Dhe ne e dimë që është e vështirë t’i zëvendësosh ato, kur kanë ardhur si futbollistë shumë dhe gradualisht jan rritur të gjithë dhe kanë ikur si burra.
Është shumë e vështirë që brenda një periudhe shumë të shkurtër të zëvendësohen cilësitë e Tedit, Arit, Andit apo Mbas, mirëpo mendoj çdokush që merret me futbollin në Shqipëri duhet të ketë prurje. Klubi besoj po punon dhe e di se duhet të sjellë lojtarë sepse ambiciet janë gjithmonë që të qëndrojë në vendet e para, kështu shpresoj dhe dëshira ime që deri në fund të merkatos të na vijnë lojtarë cilësorë”.
17 janar, drejtor sportiv i Partizanit, Arbër Abilaliaj e quajti histori suksesi dhe shembull atë që po ndodhte në merkato:
“Partizani në vetvete futet për të dyja kompeticionet, si Kupë dhe kampionat, pavarësisht çfarë kemi arritur vitet e fundit në kompeticionin e Kupës.
E kuptoj dhe trajnerin, është një gjë mëse normale, por trajneri nga ana tjetër ka marrë garanci që sado e vështirë të jetë merkato e janarit, ne futbollistët që janë larguar do t’i zëvendësojmë. Patjetër mund të ketë kosto në rezultate për periudhë afatshkurtër përsa i përket mënyrës së kolaudimin të gjithë futbollistëve, e kemi marrë parasysh. Na e jep këtë komoditet deri diku skema e kampionatit që është në fuqi. Ne vjet kemi shitur mos harrojmë edhe trajnerin në rrugë e sipër, që ka qenë e paprecedent në kampionatin shqiptar. Duhet parë si histori suksesi dhe si shembull për të gjitha klubet e tjera për t’u ndjekur.
Veselinoviç jetë i qetë për të bërë punën e vet, e dimë që presioni është i madh të punosh në klub të rëndësishëm siç është Partizani, por ka marrë garanci dhe nga presidenca që futbollistët e larguar patjetër që do zëvendësohen me lojtarë kualitativë, ndoshta akoma më kualitativë po themi se ata që kanë qenë”.
26 janar, Partizani humbi vendin e parë në kampionat dhe merkato ishte drejt fundit.
21 shkurt, njoftimi për shkarkimin e Veselinoviç u mbyll me delir nga klubi. Të gjithë e kishin parë çfarë po tregonte ekipi në fushë:
“Duke filluar nga dita e nesërme, ekipi do të nis përgatitjet me përqëndrim maksimal për të luftuar deri në fund si në Kupë edhe në Kampionat dhe për ta kthyer PARTIZANIN ATY KU I TAKON… P.M.T.P”.
23 prill, Partizani rezulton i skualifikuar nga Egnatia në Kupë dhe jashtë Final Four, rrjedhimisht edhe pa Europë. Nëse të larguarve në merkaton e dimrit si Rrapaj, Cara, Hadroj dhe Mba vazhdon t’u ndihet mungesa, nga afrimet e janarit vetëm Eleke e nisi si titullar në humbjen me Egnatian. Trajneri Gega vazhdimisht po sulmon lojtarë të ndryshëm të Partizanit, ndërsa është prej 1 muaji pjesë e klubit. Lind pyetja, kush e dërgoi Partizanin në këtë pikë?
PANORAMASPORT.AL













