Tjetër formulë për “Final Four”, FSHF tregon axhendën për fazën vendimtare në futbollin e vajzave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 15:00

Tjetër formulë për “Final Four”, FSHF tregon axhendën për fazën vendimtare në futbollin e vajzave

FSHF ka konfirmuar kalendarin për fazën “Final Four” në kampionatin e vajzave. Ndeshjet do të luhen në periudhën 17-29 maj, ndërsa kujtojmë se formula është e ndryshme nga futbolli i djemve.

fshf

Kështu fillimisht është shorti me dy vazo. Në vazon e parë vendoset vendi i parë dhe dytë, ndërsa në vazon e dytë shfaqet vendi i tretë dhe katërt. Më pas gjysmëfinalet do të jenë me sistem vajtje-ardhje, ndërsa në rast barazimi pikësh pas dy ndeshjeve do të kualifikohet skuadra e renditur më mirë në kampionatin e rregullt. Ekipet që kalojnë më tej do luftojnë në finalen e madhe për titullin kampion, ndërsa humbësit për vendin e tretë.

NJOFTIMI I FSHF-së

Departamenti i Garave në FSHF ka zyrtarizuar kalendarin e fazës “Final 4” për kampionatin e vajzave, fazë që do të përcaktojë skuadrën kampione për edicionin 2025/2026.

Sipas rregullores, katër ekipet e renditura në vendet e para në përfundim të sezonit të rregullt do të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë fazë finale.

Ndeshjet e “Final 4” do të zhvillohen në periudhën 17–29 maj. Takimet e para gjysmëfinale janë planifikuar më 17 maj dhe do të luhen në fushat e skuadrave të renditura më poshtë në klasifikim, ndërsa sfidat e kthimit do të zhvillohen më 23 maj.

Ndeshja finale për vendin e tretë dhe të katërt do të luhet më 28 maj, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion është programuar më 29 maj, në ora 17:00. Të dyja finalet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, duke kulmuar sezonin me një event të rëndësishëm për futbollin e vajzave.

Shorti për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.

Si funksionon “Final 4”

Në fazën “Final 4” marrin pjesë katër skuadrat më të mira të sezonit të rregullt. Ekipet ndahen në dy vazo: vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë) dhe vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt). Përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Në rast barazimi të pikëve pas dy ndeshjeve, kualifikohet skuadra e renditur më mirë në klasifikimin e sezonit të rregullt.

Skuadrat fituese të gjysmëfinaleve përballen në finalen për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse luajnë për vendin e tretë, duke përmbyllur kështu një sezon konkurrues dhe në rritje për futbollin e vajzave në Shqipëri.

Web-FINAL-4-vajza-01-2048x1152 (1)

PANORAMASPORT.AL