Tiranën tani e udhëheq një francez, shiriti i kapitenit si mallkim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 10:51

Tiranën tani e udhëheq një francez, shiriti i kapitenit si mallkim

Te Tirana, shiriti i kapitenit ka qenë gjith monë një simbol i fortë, që bart jo vetëm përgjegjësi sportive, por edhe peshën e historisë së klubit më të titulluar në Shqipëri. Por, në gjashtë sezonet e fundit, ky rol nuk ka gjetur një mbajtës afatgjatë. Çdo vit bardheblutë kanë nisur me një kapiten të ri, një tregues i qartë i ndryshimeve të vazhdueshme brenda grupit dhe të cikleve të reja që ka kaluar skuadra.

dembele

Nga Karabeci te Dembele – Në sezonin kampion 2019- 2020, shiriti mbahej nga Erando Karabeci, një nga mesfushorët me më shumë përvojë në grup, i cili përfaqësonte lidhjen mes brezave. Ndryshe nga pritshmëritë, aventura e tij te Tirana u ndërpre pas vetëm një viti, duke ia dorëzuar stafetën Idriz Bathës. Ky i fundit mbajti shiritin gjatë sezonit 2020-2021, por edhe ai u largua sapo mbylli sezonin, duke e bërë rotacionin e kapitenëve një praktikë që do të përsëritej vit pas viti.

Në sezonin 2021-2022, përgjegjësia kaloi tek Erion Hoxhallari, një nga mbrojtësit më “vendws” të viteve të fundit për bardheblutë. Shkodrani ishte një lider në fushë, por edhe ai nuk e vazhdoi rrugën më gjatë, duke u larguar menjëherë pas përfundimit të edicionit. Ndërkohë, sezoni 2022-2024 solli në qendër të vëmendjes një figurë ikonike si Ilion Lika. Portieri veteran, i cili ka një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar, përfaqësoi stabilitetin dhe përvojën, duke i dhënë shiritit një vlerë të veçantë.

Lika e mbylli karrierën në vitin 2024, duke lënë pas një trashëgimi që mungoi te pasardhësit. Në vitin 2024- 2025 shiriti kaloi tek Filip Najdovski, mbrojtësi maqedonas, por edhe ky eksperiencë ishte jetëshkurtër, pasi lojtari u largua në fund të sezonit. Sot, në sezonin 2025-2026, shiriti mbahet nga Mahamadu Dembele. Tirana i beson një lojtari të huaj rolin e kapitenit. Kjo është një zgjedhje që reflekton ndryshimin e qasjes në klub.

Nga figura tradicionale shqiptare, drejt një lideri të huaj, i cili falë personalitetit dhe kontributit në fushë, është pranuar nga grupi dhe tifozët. Ky ndryshim i vazhdueshëm tregon se Tirana nuk ka gjetur ende një figurë të qëndrueshme që ta përfaqësojë për disa vite me radhë si kapiten. Ndryshe nga e kaluara, kur lojtarë si Devi Muka apo të tjerë kishin një lidhje afatgjatë me shiritin, sot kemi të bëjmë me një situatë ku çdo cikël mbyllet me largimin e liderit. Një arsye kryesore lidhet me lëvizjet e shpeshta të lojtarëve, por edhe me strategjinë e klubit për të rinovuar grupin çdo sezon.

Nga ana tjetër, kjo ka krijuar edhe një boshllëk. Mungesën e një lideri afatgjatë që të mishërojë vlerat e klubit në fushë dhe jashtë saj. Për Tiranën, sfida kryesore është të krijojë një bosht me lojtarë që jo vetëm japin kontribut sportiv, por edhe marrin përgjegjësi të gjatë. Shiriti i kapitenit nuk është thjesht një simbol, por një element i rëndësishëm për stabilitetin e grupit. Nëse Dembele do të qëndrojë për disa vite, apo nëse një lojtar tjetër vendas do të marrë përsipër këtë rol në të ardhmen, mbetet për t’u parë. Ajo që është e sigurt është se pasardhësit do të duhet të përballen me peshën e një historie të pasur dhe me pritshmëritë e mëdha të tifozërisë bardheblu, që kërkon jo vetëm fitore, por edhe figura të forta që mishërojnë klubin.

Screenshot 2025-09-24 104946

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL