Tirana ka alarm në mbrojtje, dëmtohet Kola dhe trazon bardheblutë para derbit me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2025 | 8:41

Tirana ka alarm në mbrojtje, dëmtohet Kola dhe trazon bardheblutë para derbit me Dinamon

Edison Kola rrezikon ndeshjen me Dinamon. Në prag të derbit me blutë, mbrojtësi shtatlartë dhe titullari i bardhebluve, në stërvitjen e fundit ka marrë një goditje në kavilje, dëmtim që e ka shqetësuar jo pak mbrojtësin, i cili ka probleme në ecje dhe gjuajtjen e topit.kolaStafi mjekësor ka vizituar lojtarin dhe normalisht ai duhet të qëndronte disa ditë pushim që të rikuperohej nga dëmtimi. Gjithsesi, në situatën që ndodhet skuadra dhe me shpresën që dëmtimi të mos përkeqësohet, Kolës i duhet të sakrifikojë për të qenë në fushën e lojës. Mjekët kanë vendosur që ta aktivizojnë, duke i lidhur këmbën dhe duke i bërë edhe një gjilpërë. Nga ana tjetër, skuadrës i duhen edhe tri ditë të luajë sfidën me Dinamon e planifikuar për javën e fundit të fazës së tretë dhe nga Shkëmbi shpresohet që Kola të kalojë dhimbjet që ka nga kavilja e dëmtuar.

ZËVENDËSUESIT – Në rastin më të keq, në vend të Kolës, janë dy lojtarë që mund ta zëvendësojnë atë. I pari është Henry Marku, ndërsa futbollisti i dytë, Ermal Meta. Të dy mbrojtës ose që luajnë para mbrojtjes, mund të jenë futbollistë idealë për atë pozicion. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në orët në vazhdim dhe nëse Kola do t’ia dalë.

STËRVITJA – Skuadra, veç të dëmtuarve Ismajli, Mihana dhe Haxhiu që ka nisur vrapimet, do të ketë në dispozicion të gjithë kontingjentin tjetër. Kozi e Gjumsi janë kthyer nga pezullimi për kartonë, ndërsa në Durrës, Mici ishte në stol. Ian Soler ka kaluar plotësisht dëmtimin, çka do të thotë se ai me shumë mundësi do të jetë titullar ndaj Dinamos. Me një skuadër gati të plotë, Shkëmbi do të hedhë në fushën e lojës pothuajse të njëjtin formacion si në Durrës.

Në portë luan Selmani. Më pas Meta, Dembele, Kola ose Marku e Përgjoni. Mesfusha do të “pikturohet” me katërshen Vera, Soler, Rafael dhe Ndreca. Në repartin e avancuar do të jetë “artileria” e rëndë Ernest-Zharmuni. Tre janë lojtarët që rrezikojnë për çështje kartonësh tek Tirana. Ata janë Selmani, Prengaj dhe Meta, të cilët, nëse ndëshkohen në sfidën me Dinamon, humbasin takimin e parë të fazës së katërt me Laçin.22OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL