Tirana, gjobë 68 mijë dollarë me vulë të falsifikuar. Akuza bie mbi Rauf Dimrajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2012 | 14:03

Tirana, gjobë 68 mijë dollarë me vulë të falsifikuar. Akuza bie mbi Rauf Dimrajn

Drejtuesit e Tiranës besojnë realisht se mund të fitojnë në FIFA pas apelimit të vendimit për sa i përket çështjes së hapur me sulmuesin kenian, Xherri Santos. Ky i fundit duhej të vishte fanellën e Tiranës më 1 dhjetor të 2011- ës, por nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri, për arsye që te Tirana pohojnë se nuk kanë asnjë përgjegjësi, përderisa nuk kishin dijeni për lojtarin në fjalë. Sakaq, tjetër gjë theksonte disa ditë më parë ishshefi i klubit, Rauf Dimraj, për sa i përket çështjes në fjalë. Dimraj konfirmonte se klubi ka qenë i lajmëruar me shkresë zyrtare për këtë lojtar, që ai do të ishte pjesë e bardhebluve prej 1 dhjetorit, kur i përfundonte edhe kontrata me Simba SC (Tanzani). Gjithsesi, sipas juristit të klubit, Lorin Burba, lojtari e ka fituar çështjen në FIFA, nga e cila përfiton 68 mijë dollarë, por KF Tirana do ta apelojë dhe në bazë të dokumentacionit që disponon, do arrijë ta fitojë këtë çështje.
Juristi – “Është sa e komplikuar dhe absurde po ta mendosh. Pikë së pari, ne si klub jemi në pritje të vendimit të zbardhur nga FIFA, jo vetëm për çështjen me Xherri Santosin, por edhe ndaj Kamerun Heples dhe ndaj klubit të Debrecenit. Për sa i përket Santosit, mendoj se ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për një lojtar, i cili fizikisht nuk ka shkelur asnjëherë në Shqipëri dhe nuk e ka veshur qoftë edhe një herë të vetme fanellën e Tiranës. Ai ka firmosur një kontratë më 1 dhjetor të 2011- ës, për të cilën klubi nuk ka qenë fare i njoftuar dhe nuk disponon qoftë edhe një kopje dhe për më tepër me një vulë të falsifikuar. Kontrata, edhe nëse e marrim të mirëqenë vetëm për një moment, është firmosur dhe vulosur nga persona të paautorizuar nga klubi. Ish-shefi i klubit ishte larguar nga vendi i punës që më 22 gusht të 2011-ës, ndaj pas kësaj dite nuk kishte mundësi vendimmarrje apo të vuloste kontrata lojtarësh, ndaj besojmë se pas apelimit do ta fitojmë këtë çështje”, – shpjegon Burba.
“Debreceni” – Më tej juristi i klubit ka sqaruar edhe gjyqin me klubin hungarez të Debrecenit, pjesë e të cilit deri në verën e 2011-ës ishte ish-sulmuesi i Tiranës, Esama Etogo. “Debreceni na ka hedhur në gjyq dhe pretendon 30 mijë euro për lojtarin e tyre, i cili ishte dhënë në huazim te Tirana. Por fakt është ama se për këtë gjyq, ne si klub nuk jemi njoftuar fare dhe nuk kemi marrë pjesë kur është dhënë vendimi. Ndaj kemi të gjithë të drejtën që ta apelojmë dhe të kërkojmë anulim të këtij vendimi, ku ne si palë e paditur nuk kemi qenë njoftuar fare. Me shumë gjasa hungarezët do të kërkojnë një rigjykim të kësaj çështjeje, por gjithsesi ajo që ne pretendojmë dhe do ta apelojmë është fakti se Debreceni pretendon 30 mijë euro për një vendim të dhënë në mungesë të palës së paditur dhe pa asnjë njoftim”, – ka sqaruar juristi i Tiranës.

ÇFARË THA RAUF DIMRAJ
Ish-shefi i klubit, Rauf Dimraj, e pat shpjeguar çështjen “Santos” në një intervistë të publikuar më 16 nëntor në “Panorama Sport”. “Z.Tagani është paralajmëruar zyrtarisht më datë 29.12.2011 nga menaxheri i zyrtarizuar i klubit, z.Hektor Çomo, i cili sqaronte se në muajin gusht nga Kenia ishte kontraktuar lojtari Xherri Santos. Ai do të ishte pjesë e ekipit më 1 dhjetor 2011. Por për neglizhencë të klubit, lojtari nuk mbërriti kurrë në Shqipëri. Në letër z.Çomo shpjegonte se Tirana mund të penalizohej në të ardhmen për mosmarrjen e këtij lojtari. Për çudi, Z.Tagani bën të paditurin dhe thotë se fajtori është Dimraj. Më duhet të them se ky zotëri nuk di asgjë nga administrata, pasi do të ishte në gjendje të kuptonte se pranë FIFA-s nuk mund të dënohesh vetëm nga një kontratë e fotokopjuar, pasi në ato organe ndodhen të depozituara email- e të KF Tirana ndaj futbollistit, i cili është lënë padrejtësisht jashtë nga drejtuesit që erdhën pas meje në këtë klub. Në qoftë se Tirana do i shohë problemet kaq përciptazi, sipas meje do marrë gjoba e stërgjoba. Mua më dhimbset ai klub, pasi jo vetëm që kam fituar trofe, por në fund të fundit jam ushqyer, kam marrë rrogën për të mbajtur familjen. Dhe sinqerisht e them, s’më vjen aspak mirë kur shikoj një problematikë të tillë”.

Borxhet dhe gjyqet e klubit bardheblu
Tirana është zhytur në borxhe me shifra stratosferike. Duke filluar që nga Rudi Vata e deri te lojtarët e huajt të sezonit të fundit, që të gjithë pretendojnë se nuk janë paguar me disa rroga nga klubi. Sakaq, te Tirana theksojnë se kanë nisur me pagesat parciale për disa lojtarë dhe janë drejt apelimit për tri çështje të tjera. Ja lista e plotë e borxheve:
RUDI VATA – Ish-mbrojtësi pretendon 75 mijë dollarë rroga të papaguara kur luante me Tiranën në 2002.
ESAMA ETOGO – Sulmuesi pretendon 33 mijë euro nga kontrata e firmosur një vit më parë me Tiranën.
DEBREÇEN – Klubi kërkon 30 mijë euro nga Tirana për kontratën e huazimit të lojtarit të vet, Etogo.
KAMERUN HEPLES – Mesfushori nga Bahamas kërkon 105 mijë dollarë nga kontrata që firmosi me bardheblutë.
IVAN GVOZDENOVIÇ – Mbrojtësi i Skënderbeut pretendon 13.400 euro rroga të papaguara kur luante për Tiranën.
PERO PEJIÇ – Sulmuesi pretendon 14.000 euro rroga të papaguara kur luante për Tiranën.
MLLADEN ZIZOVIÇ – Mesfushori boshnjak pretendon 9.900 euro.
ORJAN ABAZAJ – Ka fituar gjyqin në gjykatë për 10.5 milionë lekë rroga të papaguara.
XHULIAN RRUDHO – Pretendon 3.6 milionë lekë rroga të papaguara.
HEKTOR ÇOMO – (ish-menaxheri) e ka çuar klubin në gjykatë për zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe pretendon rreth 40 milionë lekë.
DANIEL XHAFAJ pretendon 12 milionë lekë rroga të papaguara.

I kërkon Tirana, por Prishtina s’i lejon
Mentor Mazrekaj dhe Enis Gavazaj janë dy lojtarët e KF Prishtina që janë pëlqyer nga drejtuesit e Tiranës gjatë turneut “Pavarësia” dhe që mendohet të jenë afrimet e para në merkaton e janarit. Por fakt është se si Mazrekaj, edhe Gavazaj janë nën kontratë me klubin kosovar, për rrjedhojë do të jetë shumë e vështirë që ata të prishin kontratat aktuale pa iu paguar klubit të Prishtinës një shumë parash. Mazrekaj ka kontratë deri në fund të këtij sezoni, ndërsa Gavazaj është i lidhur me Prishtinën për deri në qershor të 2014-ës. Që të dy cilësohen si lojtarë mjaft cilësorë. I pari, një sulmues i spikatur, i cili është duke kaluar një formë të mirë te prishtinasit. Ai premton shumë, madje këtë e vërtetoi edhe në kupën “Pavarësia”, ku u shpall edhe si lojtari më i mirë i turneut. Sa i përket 17-vjeçarit Enis Gavazaj, ai la gjurmë në Shqipëri-Bjellorusi, pra me Kombëtaren U-19, ku realizoi atë supergol nga 35 metra. Për këtë futbollist, një mesfushor tepër i spikatur, fill pas këtij takimi ka shfaqur interes të hapur ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika.

Gjyqet, klubi “përfiton” kohë nga festat
Nëse deri para pak ditësh flitej për një ultimatum ndaj Tiranës i ardhur nga FIFA, i cili skadonte më 7 dhjetor, tanimë drejtuesit japin afate të reja, duke shpresuar në një përgatitje sa më të mirë para se të apelojnë. Kështu, duke qenë se FIFA nuk ka sjellë ende të zbardhuara vendimet për çështjet “Kamerun Heples”, “Xherri Santos” dhe “Debreçen”, te Tirana sqarojnë se i ashtuquajturi ultimatum mund të vazhdojë deri për vitin 2013. “Dosjet nuk kanë ardhur ende në klube dhe nga ai moment ne kemi në dispozicion 21 ditë për të apeluar sipas rregullave në FIFA. Duke qenë se më datë 22 merren pushimet e fundvitit, të cilat vazhdojnë deri më datë 5 janar të 2013, edhe sikur vendimet të vijnë sot (dje) në klub, përsëri apelimi do të bëhet në 2013, gjithmonë duke llogaritur kohën prej 21 ditësh qe ne kemi në dispozicion”, – sqaron juristi i klubit.
LEONARD KARAJ