Hiqet apo jo Final Four, vendos Komiteti Ekzekutiv në FSHF. Mundësia për risinë e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2026 | 21:44

Hiqet apo jo Final Four, vendos Komiteti Ekzekutiv në FSHF. Mundësia për risinë e madhe

Komiteti Ekzekutiv në FSHF pritet të vendosë në javën e ardhshme, nëse Final Four do të hiqet apo jo. Gjasat janë të mëdha që pas tre vitesh eksperimentesh, të jetë fundi i këtij formati.

fshf

Vetë presidenti i FSHF, Armand Duka, foli në fundin e Final Four duke konfirmuar se vendimi do vijë deri më 15 qershor. Ndërkohë nuk përjashtohet mundësia e një formati të ri. Presidenti Duka përmendi mundësinë e “play off”, që do të sillte ndarje të skuadrave që luftojnë për objektiva të ndryshëm në një moment të sezonit.

“Për edicionin e ardhshëm është e pamundur që të ketë një ndryshim në numrin e skuadrave sepse është e palejueshme nga rregulloret e FSHF dhe kompeticioneve në përgjithësi. Për formatet është diçka që duhet të diskutojmë. Faktin që mund të rikthehemi për një vendim tjetër për ‘Final Four’ është se mesa duket tifozeritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë në Tiranë dhe mbështesin skuadrat tyre. Pjesëmarrja në Final Four nuk ka qenë e kënaqshme. Dhe pjesëmarrjen e tifozëve e ka penalizuar mospjesëmarrja e Tiranës dhe Partizanit, që do jepnin më shumë atmosferë në ‘Air Albania’. Për edicionin tjetër do të rishohim çfarë formati do kemi. Këtë e vendosim brenda 15 ditëve të para të qershorit.

Ndryshim? E pamundur, për në edicionin 2026/27 do jenë 10 skuadra. Nëse do ketë katër faza, apo play-off, kemi pajtuar kompani të specializuar që ka bërë formatin e Champions dhe formatin e ardhshëm të ekipeve kombëtare. Do shohim të gjitha versionet dhe do marrim vendim në Komitetin Ekzekutiv”, u shpreh presidenti Duka.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL