Ringjallja e traditës te Tomori, Oldi Dyshniku: Mundja beratase po rikthehet aty ku e ka vendin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2026 | 19:06

Ringjallja e traditës te Tomori, Oldi Dyshniku: Mundja beratase po rikthehet aty ku e ka vendin

Mundja klasike në Berat po përjeton një periudhë rigjallërimi, falë punës së stafit teknik të Tomorit dhe angazhimit të sportistëve të rinj. Kryetrajneri Oldi Dyshniku, duke folur për “Panorama Sport”, vlerësoi progresin e ekipit dhe rezultatet e arritura në garat kombëtare.

Screenshot 2026-06-05 190527

“Ajo për të cilën dua të ndalem nuk është vetëm vendi i dytë në kampionatin e 20- vjeçarëve, por progresi i dukshëm i mundjes klasike në qytetin e Beratit”, u shpreh Dyshniku. Sipas tij, rezultatet nuk janë rastësi, por fryt i një pune të vazhdueshme së bashku me ndihmësin Tan Therepeli, me synimin për të rikthyer traditën e lavdishme të mundjes beratase. Ai theksoi se fokusi kryesor ka qenë puna me moshat e reja dhe seleksionimi i talenteve në shkollat e qytetit.

“Gjithçka e nisëm nga pika zero dhe sot jemi krenarë që kemi krijuar baza të forta për të ardhmen e mundjes në Berat”, deklaroi trajneri. Dyshniku vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bashkisë Berat dhe Klubit Shumësportësh Tomori, duke nënvizuar se kjo ka qenë vendimtare për ringritjen e ekipit. Në fund, ai zbuloi se po punohet me Federatën Shqiptare të Mundjes për organizimin e një aktiviteti kombëtar në Berat. “Një event i tillë, i zhvilluar në një ambient të hapur si stadiumi ‘Tomori’, do të ndihmonte shumë në promovimin dhe masivizimin e mëtejshëm të mundjes në qytetin tonë”, përfundoi Oldi Dyshniku.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL