Tirana e pëson si zakonisht rëndë nga Disiplina, i bën “stivë” dënimet. Paralajmërohet klubi i Kategorisë së Parë
Klubi i Tiranës vazhdon të përsëritë një problem i cili është bërë i zakonshëm prej vitesh, edhe pse rrallëherë me pasoja reale për bardheblutë. Ato kanë humbur një tjetër gjyq ndaj një lojtari dhe u është bllokuar merkato nga FSHF, gjë që nuk është e re për kryeqytetasit.

Komisioni i Disiplinës sot ka dhanë një tjetër vendim ndaj tyre. “KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 10, datë 28.07.2025 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit”, shkruhej në vendimin e sotëm, duke bërë të qarët se bardheblutë nuk kanë shlyer ende detyrimet që i janë njohur palës paditëse që në muajin korrik. Hera e fundit ku Disiplina ka dhënë një vendim të ngjashëm për bardheblutë, ishte në muajin nëntor, që ishte vendimi i tretë i atij lloj brenda vitit 2025 e me sa duket, që do të trashëgohet edhe në 2026.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe klubi i Kukësit, pasi ka humbur një gjyq ndaj Apolonisë për futbollistë të transferuar te verilindorët, për të cilët këta të fundit nuk kanë shlyer detyrimet. “Pranimin e kërkesës së kërkuesit FK Apolonia. FK Kukësi, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 01, datë 13.01.2026 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin”, shkruhet në vendimin e sotëm.
PANORAMASPORT.AL













