“Tirana dhe Flamurtari rrezikojnë rënien nga Kategoria”, ish-mesfushori analizon blutë: Dinamo solide për titullin, lideri i saj është… (E PLOTË)
Dinamo po bën një sezon me fytyra të ndryshme, ku herë duket si skuadra që lufton për titull kampion, e herë shfaq oshilacione.

Megjithatë, ish-mesfushori Artion Poçi e sheh Dinamon si skuadër që ka stabilitet pavarësisht se nuk ka arritur të konkretizojë rastet e golit. Ai është i bindur se blutë janë në garë për titull, ndërkohë që Tiranën e Flamurtarin i sheh si skuadrat që rrezikojnë seriozisht.
Si e vlerësoni paraqitjen e Dinamos deri në këtë fazë të kampionatit?
Sa i përket ecurisë së Dinamos deri tani, do të thoja që skuadra ka treguar një stabilitet të dukshëm në lojë. Ata prodhojnë lojë cilësore dhe krijojnë mundësi, por deri tani i ka munguar goli në disa ndeshje. Mungesa e lojtarit Zabërgja ndihet dhe ndikon në finalizimin e aksioneve, por megjithatë Dinamo e drejtuar nga Ilir Daja është një skuadër e konsoliduar dhe e strukturuar mirë në çdo repart.
Oshilacionet e shfaqura në fazën e parë kanë qenë të dukshme. Sipas jush, çfarë nuk ka funksionuar si duhet?
Unë e kam ndjekur Dinamon në disa ndeshje dhe, ndoshta ajo që po përmendni ju ka të bëjë me zhbllokimin e golit. Ekipi ka prodhuar lojë të mirë, por shpesh nuk ka arritur të konkretizojë mundësitë.
Në fazën e dytë skuadra ende nuk ka arritur të marrë një fitore. Si e interpretoni këtë mungesë rezultatesh?
Situata vazhdon të jetë e njëjtë si në ndeshjen në Shkodër; Dinamo vazhdon të prodhojë lojë, por i mungon goli dhe, rrjedhimisht, rezultati pozitiv. Për mua, kjo është një pengesë që është kryesisht psikologjike, dhe besoj se këtë javë profesor Daja do të arrijë ta zhbllokojë këtë ngërç dhe skuadra do të marrë rezultate më të mira.
Në fundjavë Dinamo do të përballet me Elbasanin. A e sheh këtë takim si një mundësi reale për të krijuar pikën e kthesës?
Për fat të mirë, unë e kam parë ndryshimin e Dinamos në ndeshjen e parë me Elbasanin. Aty Elbasani fitoi 1-0, por Dinamo dominoi pjesën më të madhe të takimit edhe pse luante me një lojtar më pak. Kjo më jep besim se ndeshja e ardhshme mund të jetë pika e kthesës dhe fillimi i rezultateve pozitive për skuadrën këtë javë.
Sa besim keni te cilësia aktuale e skuadrës së Dinamos?
Kam besim te arkitekti i këtij ekipi. Dinamo ka lojtarët e duhur dhe potencialin e nevojshëm për të realizuar pritshmëritë e të gjithë tifozëve. Çdo repart është i strukturuar mirë, dhe ekipi ka një balancë të mirë midis lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë.
Golat e shënuar kanë qenë të pakët. A mendoni se ekipi ka nevojë për ndërhyrje në merkato, apo e shihni këtë si një situatë të përkohshme që mund të ndryshojë?
Siç e përmenda më lart, mungesa e golave është ndikuar nga largimi i lojtarëve si Mandela dhe Zabërgja. Megjithatë, ekipi ka përforcuar repartin me Guindon, i cili për mua është një lojtar shumë i mirë dhe mund të sjellë energji të re në sulm. Megjithatë, ekipi nuk duhet të mbështetet vetëm tek sulmi; golat duhet të vijnë edhe nga mesfushorët. Në pak fjalë, mund të jetë e nevojshme një përforcim i vogël, por skuadra ka bazën për të arritur rezultate pozitive.
Cili prej lojtarëve ju ka bindur më shumë deri tani dhe mendoni se mund të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr skuadrën?
Naser Aliji është lojtari ideal për të udhëhequr Dinamon, pasi ka eksperiencën e nevojshme dhe mund të marrë përgjegjësinë kur skuadra ka nevojë. Së bashku me Bregun, ai mund të jetë një udhëheqës i vërtetë në fushë dhe të ndihmojë ekipin të arrijë objektivat e tij.
Si e vlerësoni ecurinë e pjesës tjetër të kampionatit deri në këtë moment?
Sipas meje, Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Elbasani do të jenë katër skuadrat që do të rivalizojnë për titull deri në fund të sezonit. Këto ekipe kanë cilësinë, stabilitetin dhe potencialin për të qenë konkurrentë seriozë për vendin e parë.
Cila skuadër ju duket më e rrezikuara për të rënë nga Kategoria?
Tirana dhe Flamurtari, për fat të keq, i shoh si më të rrezikuarat për t’u përfshirë në garën për mbijetesë. Të dyja ekipet kanë pasur vështirësi gjatë kampionatit dhe do të duhet të përmirësojnë shumë gjëra për të shmangur rënien nga kategoria.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













