Tirana B, kampione e së Tretës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2014 | 10:11

Tirana B, kampione e së Tretës

Tirana BTIRANA B – TEUTA B 2-0
GOLAT: Kosova 9′ 12′ (11-m)
TIRANA B: Çela, Lala, Taku, Lita, Muça (Bregasi 83′), Roshi, Kosova, Kacoli (Gaci 74′), Trimi, Vladi, Toli (Kaloshi 59′). Trajner: Ilir Muça
TEUTA B: Rexhepaj, Gjyli, Peqini, Xhixha, Rapi (Kodraziu 28′), Tepshi, Teku, Arifi, Tavani (Mitralozi 74′), Kaçi (Dervishi 71′), Abazi. Trajner: Xhevahir Kapllani
GJYQTARË: O.Ferataj, Q.Shehaj, S.Hanaj (Patos)
DELEGAT: Argid Sheme (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Kacoli 24′, Çela 41′, Taku 72′ / Gjyli 75′, Lala 90+1′

Tirana B ka mundur 2- 0 Teutën B, duke u kurorëzuar si kampione e Kategorisë së Tretë. Nën një rivalitet të fortë u zhvillua ndeshja finale e së Tretës, ku kryeqytetasve u mjaftuan vetëm 12 minuta për ta zgjidhur ndeshjen. Ka qenë dopieta e Franci Kosovës, që ka shuar ankthin e më shumë se 2500 të pranishmëve në shkallët e stadiumit, për të mësuar ekipin që do të ngrinte trofeun.
Ndeshja – Loja ka nisur e shpejtë dhe të parët që do të gjejnë rrugën e golit janë të besuarit e trajnerit Muça në minutën e 9-të me anë të kapitenit Kosova. Roshi vepron bukur, duke nxjerrë në pozicion të volitshëm kapitenin Franci Kosova, që i vetëm me portierin durrsak, Rexhepaj, nuk e ka pasur të vështirë ta mposhte atë, duke i nxjerrë të tijtë në avantazh. Kryeqytetasit kanë qenë më të qartë në lojën e tyre, duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare. Dhe, pas 3 minutash, kanë arritur t’i dyfishojnë shifrat. Kacoli vepron bukur në krahun e majtë dhe jep një pasim në zonë aty është Peqini që tenton ta zmbrapsë, por e ka prekur topin me dorë dhe gjyqtari Ferataj akordon 11-metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër Kosova, duke e shndërruar në gol. Pas këtij momenti janë shtuar përpjekjet e durrsakëve, që veprojnë bukur në mesfushë me anë të Tekut, por që nuk kuptohen nga sulmuesit. Vetëm në njërin prej aksioneve ka rrezikuar seriozisht Zini Tavani, duke e vënë në vështirësi portierin Çela. Në minutën e 31-të Kosova depërton bukur dhe në hyrje të zonë, godet fort, por portieri Rexhepaj mrekullisht dërgon në korne. Pjesa e parë do të mbyllet me fitoren e Tirana B, ndërsa fraksioni i dytë do të jetë një lojë jo fort e qartë. Teuta B ndihet apatike, e lodhur dhe e paaftë të kundërpërgjigjet për të ngushtuar ose barazuar. Vetëm në fundin e ndeshjes, madje në kohën shtesë prej 3 minutash, durrsakët do të kryejnë dy aksione të rrezikshme me anë të Tekut, i cili me dy gjuajtje njëra nga goditje dënimi nuk ka mundur të shënonte. Rezultati nuk ndryshon deri në fund, Tirana B ngre trofeun e titullit kampion në Kategorinë e Tretë, që i është dhënë nga përfaqësuesi i FSHF-së, Abdyl Kuriu.
Ceremonia – Pas përfundimit të takimit është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të kupës për kampionët e Tirana B. Ish-futbollisti kavajas në vitet 1985-1998 dhe, më pas, sekretar klubi dhe trajneri i Besës, Abdyl Kuriu, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, si dhe Millan Baçi përgjegjës për organizimin e kampionatit të së Tretë kanë shpërndarë medaljet për kampionët. Në fund, kapiteni Franci Kosova ka ngritur trofeun, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit. Më pas, ka vijuar festa.

Ilir Muça: Sollëm në klub një trofe të munguar
Trajneri i ekipit të Tirana B, Ilir Muça, pas ndeshjes u shpreh: “Ka qenë një ndeshje mjaft e vështirë për ne. Jam i lumtur që e fituam një trofe të tillë, të cilin nuk ka pasur asnjë mundësi ndër vite për ta marrë. Kjo, pasi asnjëherë klubi ynë nuk e ka provuar një gjë të tillë as kur ekzistonte ekipi i rezervave në vitin 1956. Uroj që edhe ekipi i parë në Superiore ta realizojë këtë titull në sezonin e ardhshëm. Mendoj se fitimi i titullit kampion të Tirana B do të jetë një stimul nxitës dhe do të na japë më shumë shtysë që ne të punojmë më shumë në të ardhmen për t’u rritur si skuadër, pasi kemi shumë të rinj në përbërje. Rruga deri këtu ka qenë shumë e vështirë, por ia dolëm mbarë”.

Kapiteni Kosova
Franci Kosova, kapiteni i Tiranës B, si dhe autori i dy golave u shpreh: “Fakti që trofeu u realizua në saj të dopietës sime më gëzon pa masë, dua të vë në dukje mungesën e vigjilencës së klubit ndaj meje, duke mos më aktivizuar në ekipin e parë. Gjithashtu kjo arritje i dedikohet punës së palodhur të trajnerit tonë Ilir Muça, si dhe gjithë grupit të lojtarëve. Është një grup që gjithmonë ka dhuruar trofe. Këtë gjë e kemi bërë një vit më parë me ekipin e të rinjve”.

Xhevahir Kapllani
Xhevahir Kapllani, trajneri i Teutës B, pas ndeshjes pohoi: “E rëndësishme për ne ishte që djemtë luajtën bukur, pavarësisht humbjes. Lojtarët tanë nuk janë mësuar në fushë me bar natyral dhe kjo ndikoi jo pak edhe në lodhjen e tyre, që nuk mundën të përballonin gjatë pjesës së dytë. Sidoqoftë, kjo ka qenë një arritje e madhe për ekipin tonë debutues dhe shpresojmë që ta bëjmë në sezonin e Kategorisë së Dytë, ku do të synojmë ngjitjen”.
ABDULLA DUSHKU