“Tifozeria heshti nga magjia Sinani”, zyrtari i Flamurtarit: I keqardhur kur një gjyqtare që duhet të kishte kurajën aq sa ishte e bukur dhe e paraqitshme…
Klubi i Futbollit “Flamurtari” reagon pas ngjarjeve të ndodhura në Vlore gjatë dhe pas ndeshjes Flamurtari-Elbasani. Drejtori i Përgjithshëm i Bordit për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Median, Rinald Bezhani gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, thotë se e keqja e Flamurtarit nuk vjen nga fishekzjarrët dhe tymueset dhe në këtë drejtim vendimet e Disiplinës mbeten të paqarta. Ai e cilëson të çuditshme edhe reagimin e tifozëve të Elbasanit.

“Një dekor folklorik kuqezi ishte ndeshja Flamurtari-Elbasani. Një atmosferë e shkëlqyer sportive. Një tifozëri që nuk rreshti 90 minuta me kulturë. Një tribunë që brohoriste dhe mbështetëse e skuadrës edhe kur po humbiste. E keqja e Flamurtarit nuk vjen nga fishekzjarrët, nga ndonjë tymuese kuqezi në entuziazëm që i pret si miq në stadium. Ajo që më shqetëson nuk është tifozëria. As veprimet e tifozërisë kundërshtare. Ajo që nuk kuptova ishte tifozëria e Elbasanit që në fund të fundit edhe pse kishte fituar ndau mendjen që të prishte stolat e stadiumit dhe t’i thyente.
Ndodhi edhe një çudi që e quaj në nivelin e mrekullive. Sinan Idrizi pa shoqërues iu afrua tifozëve dhe me buzëqeshjen e tij prindërore u tha: ‘Djema suksese. Shkoni në shtëpi se ju presin prindërit’. Dhe si me magji, atë që do ta quaja magjia Sinani tifozëria heshti. Pashë njerëz që u ngritën nëpër gardhe dhe e uruan presidentin. Pati edhe nga ata që thanë: ‘President na kanë thyer edhe stolat’. Por me buzëqeshjen e tij ai i tha: ‘Do t’i ndërrojmë të gjitha’.
Vlora nuk është qytet vandalësh. Në stadiumin tonë dhe jashtë tij nuk ka ndodhur asnjë akt vandalizmi. Horrave që kanë vendosur që të thyejnë stolat nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Ka ndodhur sot do të ndodhi për aq kohë sa sport dhe tifozëri në stadium. Pashë një përfaqësim të presidencës së Elbasanit me të cilët shtrënguam duart. Jemi munduar t’i presim më mirë se na kanë pritur në qytetet e tjera”, shprehet fillimisht Bezhani.
SUPERIORJA DHE GRUPI – Rinald Bezhani theksoi se Flamurtari nuk do të bjerë nga Superiorja, por do të vijojë te jetë pjesë e saj. ”Ne në Superiore do të qëndrojmë. Flamurtari nuk do ta diskutojë në javët e fundit qëndrimin. As me pikët e fundit, as me pazaret e rëndomta që ndodhin. Mos harroni Flamurtari edhe këtë vit edhe në vitet që vijnë do të jetë pjesë e elitës shqiptare. Flamurtari po krijon një ansambël lojtarësh. Ardhja pas një kohe të gjatë në Superiore ka edhe vështirësi. Seleksionimi nuk është aq i lehtë. Ata që afrojmë jo gjithmonë mund të jenë në nivelet që ne duam. Flamurtari ka rigjetur shpirtin e garës. Mos të harrojmë se Elbasani udhëheq kampionatin shqiptar me trefishin e pikëve tona. Elbasani është nga ekipet më të vështira. Por interpretimi i lojës jo vetëm sportive nuk është e nivelin që skuadrat paraqiten në fushë”, thotë drejtori i përgjithshëm.
MESAZHI PËR QEVERINË – “Problemi nuk është i kampionatit shqiptar por i qeverisë shqiptare. Ministria e Sportit është ajo që licencon FSHF-në. Kjo e fundit ka një kolegjium gjyqtarësh. Është një grup në dispozicion të Superiores mbi 30 vetë. Unë nuk mund të mendoj që papërgjegjshmërinë totale të kolegjiumit të gjyqtarëve, të paaftë për të vendosur edhe kur i thërret VAR. Unë ndihem i keqardhur kur një gjyqtare futbolli qe duhet të kishte kurajën aq sa ishte e bukur dhe e paraqitshme kur iu dha mundësia në VAR…
Flamurtari nuk kërkon mëshirë por drejtësi. Flamurtari në këto ndeshje është i dëmtuar dhe i vrarë. Penallti të dhëna, gola të anuluar, penallti të padhëna, penallti që nuk shikohen. Ai rasti flagrant i minutës së 3-të. Protesta ishte kot? VAR duhet të kishte analizuar pamjen. Qeveria shqiptare duhet t’i kërkojë FSHFsë të ndërhyjë. Pse nuk detyron kolegjiumin e gjyqtarëve që brenda tij ka dy komisione vlerësimi dhe merite? Përse vendimet e kolegjiumit të gjyqtarëve nuk bëhen publike për mediat”, përfundon Bezhani.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













