Thirrja e ish-kapitenit Sakaj: Flamurtar, ndrysho strategji! Klubi të investojë tek akademia
Artan Sakaj ka qenë kapiteni i fundit i Flamurtarit që i është afruar titullit kampion, pikërisht në sezonin 2010- 2011.

Sot ish-mbrojtësi vlonjat drejton Orikumin në Kategorinë e Parë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për gjithçka, ndërsa nuk ngurron të bëjë një apel për klubin, që strategjia për të ardhmen të nisë nga akademia.
Artan, si është ndryshimi i shpejtë nga futbollist në trajner?
Kur je futbollist të duket sikur di shumë gjëra, por kur bëhesh trajner shikon se nuk ke ditur asgjë.
E keni nisur me Orikumin në Kategorinë e Parë, keni ambicie për të drejtuar në Superiore?
Ne që e kemi pasur jetën të lidhur me sportin, me atë do ta vazhdojmë gjithmonë. Për momentin jam i përqendruar për të bërë punën sa më mirë tek Orikumi. E ardhmja nuk parashikohet.
Ish-lojtarët e brezit tuaj si Shkëmbi, Devolli, por edhe Shehi drejtojnë sot në Superiore…?
Më pëlqejnë këta trajnerë të rinj. Kanë bërë shumë mirë në ekipet e tyre, sado që janë në hapat e parë. Duket sikur kanë vite trajnerë, pasi i ka ndihmuar ajo që kanë qenë lider në skuadrat e tyre. Kanë pasur rolin e trajnerit në fushë dhe në këto kushte bëjnë shumë dallim.

Të flasim për Flamurtarin. Duket sikur janë të njëjtat probleme, ku mbetet ai ngërç financiar…
Nuk jam në brendësi të ekipit, por më vjen keq që janë në këtë gjendje. Më vjen keq edhe për lojtarët që kanë ikur. Nuk i di problemet e tyre të brendshme, por largimi i lojtarëve ka qenë negativ për ekipin. Kanë pasur një grup shumë të mirë kur u formuan. Këtë vit me atë grup që kishin, do të ishin për tri vendet e para.
Si e shpjegoni që skuadra shpërbëhet gjithnjë në janar?
Nëse flasim për këtë vit, ekipi ishte shumë mirë me atë grup lojtarësh. Më pëlqenin dhe ishin në nivelin e tri skuadrave më të mira. Nuk kishin dallim fare ndeshjet në transfertë dhe ndeshjet brenda. Ishim shumë superiorë me skuadrat e tri vendeve të para.
Ku ndryshon ky Flamurtar me atë kur ju ishit kapiten dhe iu afruat titullit tetë vite më parë?
Ka shumë ndryshime. Edhe atëherë ka pasur problematika, por jo të kësaj natyre që ikin lojtarë në mes të sezonit. Ka pasur probleme të tjera. Atëherë u ndërtua një grup dhe vazhdoi deri në fund, pavarësisht gabimeve që patëm. Kurse këtë vit nuk janë pjesa e lojtarëve kryesorë që ishin në verë. Tani duhet të bazohen te lojtarët e akademisë, por ata nuk kanë eksperiencën e duhur në Superligë.

Me këtë kontingjent mendoni se është e mundur Europa?
Përderisa të lejon matematika, edhe shpresa mbetet. Nuk e di pasi tani bëhen gjërat më të vështira. Ekipet janë më të etura për pikë, janë skuadra që luftojnë për kategori dhe do të luftojnë fort.
Ka elementë që i veçoni nga akademia?
Kur vjen nga akademia, është pak e vështirë për ata që të mbajnë barrë të madhe. Nga lojtarët e akademisë mua më kanë pëlqyer Deliaj dhe Rrapaj. Pjesën tjetër nuk e kam parë, por këta të dy më kanë pëlqyer.
Mendoni se Flamurtari ka çaluar në afirmimin e elementëve vlonjatë në këto vitet e fundit?
Nuk ka lidhje elementë vlonjatë apo jo. Ke vlonjatë që luajnë sot në ekipe të tjera si Bregu, Hoxhaj, Beqiri dhe ndonjë tjetër. Nëse do t’i kishe, patjetër që do të kishin më vlerë për ekipin. Dëshira ime do të ishte që të kishte sa më shumë lojtarë vlonjatë në ekip. Por sot si kanë ardhur kohët, nuk mund të thuash më jo vlonjat, jo kështu e jo ashtu. E ndien apo nuk e ndien fanellën. Sot pak ke lojtarë vendës, madje po të shikosh edhe në të gjithë botën. Nuk jam kundër lojtarëve të huaj, kush të jetë më i vlefshëm, ai të luajë.
Çfarë strategjie duhet të ketë klubi?
Duhet punuar fort tek akademia. Duhet që Flamurtari të investojë këtu. Të ketë një projekt të qartë për akademinë, kjo duhet të jetë parësore.
Çfarë përshtypjeje ju ka lënë Ilir Daja në pankinë?
Nuk ka nevojë që t’i bëj unë elozhe Dajës. E njohin të gjithë, ai është një trajner kampion. Unë e kam pasur trajner Dajën dhe nuk ka nevojë fare që të flas për të, pasi ai ka folur vetë me vepra.
Flamurtari luan me Tiranën të shtunën, si e shikoni?
Edhe Tirana nuk është në pozita të mira, por ekipin e ka të mirë. Me Tiranën historikisht ne kemi luajtur ndeshje shumë të bukura. Flamurtari duhet të marrë pikë në këtë takim, kushdo që luan duhet të lërë pas problemet nëse ka për të cilat nuk më pëlqen të flas.
Kush e fiton titullin këtë sezon?
Këtë vit mua më pëlqen Partizani, sepse ka qenë një ekip që ka bërë futboll të bukur dhe kanë qenë në heshtje gjithë kohën.
/PANORAMASPORT.AL/
ERMAL SIKA













