Teuta rikthehet në fushë, Arifi: Synojmë tri pikët ndaj Vorës
Teuta rikthehet të dielën në fushë për ndeshjen e dytë të sezonit në kampionat ndaj Vorës. Blutë kanë mbyllur zyrtarisht përgatitjet për këtë duel dhe janë të përqendruar tek objektivi, suksesi.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori Ergis Arifi ka folur për pritshmëritë e tij dhe të skuadrës ndaj Vorës, duke theksuar se sfida do të jetë e vështirë, por ka besim tek ekipi i tij.
Mbyllini zyrtarisht përgatitjet për duelin ndaj Vorës. Çfarë prisni? Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes, duam ta nisim me rezultat pozitiv ndaj Vorës, por çdo ndeshje është një histori më vete. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje pozitive. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për këtë ndeshje.
A keni presion për të marrë pikët ndaj Vorës? E dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe gjithmonë kërkojmë maksimumin. Por jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, ndaj kemi durim dhe besim.
Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja e parë? Ekipi ka mundësinë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë që duan patjetër të bëjnë sukses, veçanërisht për t’i dhënë kënaqësi qytetit që e do ekipin dhe kërkon që të jetë gjithmonë lart në renditje.
Sa i fortë është ekipi juaj dhe sa i dobët është Vora? Jemi optimistë për sfidën e radhës. Sa i përket Vorës, mund të themi që është një ekip i mirë, nuk ka dallime të mëdha me të tjerët.
Ju kënaq edhe një pikë të dielën? Siç thashë më lart, ne do të luajmë për tri pikët. Pas 90 minutave, rezultati mund të jetë një pikë ose tri, por çdo pikë ka rëndësinë e vet. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jemi të përqendruar.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













