Tetova: Egnatian e vërtetë do ta shihni në “Final 4”, ende nuk kam vendosur për rotacionin kundër Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2025 | 10:55

Tetova: Egnatian e vërtetë do ta shihni në “Final 4”, ende nuk kam vendosur për rotacionin kundër Bylisit

Egnatia kërkon ta ruajë me çdo kush vendin e parë tani që kanë siguruar “Final 4”, ndaj në kampin rrogozhinas presin fitoren pas tri barazimesh radhazi në kampionat.Edlir TetovaPër këtë arsye ndaj Bylisit shihet si një ndeshje e rëndësishme. Në daljen e tij para mediave një ditë para ndeshjes, trajneri Edlir Tetova i gëzohet rikthimit të disa lojtarëve nga dëmtimet dhe pezullimet. Shpreson që ngjeshjen e kalendarit ta përballojë me kontigjentin që ka në dispozicion, ndërsa ende nuk ka menduar për finalet që e presin në fund.

Tetova, si po e përballoni kalendarin e ngjeshur?

Edhe para Kombëtares kishte ngjeshje të kalendarit, ashtu si edhe tani. Të paktën, tani na janë rikuperuar tre lojtarë, por sërish ka ngjeshje. Megjithatë, me kontingjentin që do kem në dispozicion mendoj se do t’i përballojmë ndeshjet.

Si ndiheni që nuk e keni ende kontingjentin e plotë?

Çdo trajner do ta ketë kontingjentin e plotë dhe ekipin tim e ka shqetësuar jo pak. Thuajse çdo javë kemi pasur ndryshime të tre apo katër lojtarëve. Mendoj që nga dita e sotme grupi është i mbledhur dhe i gjithi në stërvitje.

Keni dilema për formacionin?

Pezullime nuk kemi, por siç e thashë janë rikthyer të gjithë lojtarët, përveç Malotës dhe Ndrecës. Malota është me grupin, ndërsa Ndreca ende jo, ndërsa pjesës tjetër është e plotë. Për formacionin do të shohim.

Tri barazime radhazi, janë shumë për Egnatian?

Jo, nuk mendoj se janë shumë. Kampionati bëhet me pikë dhe barazimet janë pikë. Jemi aty, të parët. Objektivin e parë në “Final 4” e kemi arritur, tani objektivi tjetër është që të jemi në dy vendet e para, për të përfituar edhe nga barazimi në finalet. Megjithatë, do të shohim në vazhdim.

Ekipi i parë që keni siguruar “Final 4”. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Mendoj që është viti i dytë i një eventi shumë të bukur që luhet në “Arena Kombëtare”. Është viti i dytë radhazi që ne jemi në “Final 4” dhe kjo na gëzon tej mase. Mendoj që më e mira të jetë në fund.

A do të bëni më shumë rotacion për të menduar rreth finaleve për “Final 4”?

Do të shohim, nuk kam vendosur gjë për këtë. Siç e dimë të gjithë mbyllim muajin e Ramazanit dhe 13 lojtarë kanë agjëruar. Mendoj që është një ogur i mirë dhe do të shohim më pas sesi do të jetë gjendja e tyre me lojtarët që do të vijnë nga rikuperimet dhe do të shohim format e rotacionit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL