Tersi me dëmtimet, askush si Partizani këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2025 | 20:11

Tersi me dëmtimet, askush si Partizani këtë sezon

Partizani i këtij sezoni është klubi më i penalizuar në Superiore, sa u përket dëmtimeve të rënda. Së fundmi është Albion Marku, që i shtohet listës në infermieri. Asnjë klub tjetër nuk është përballur me të njëjtën situatë si Partizani, ndërsa shërbimet e Markut nuk do të llogariten për pjesën e mbetur të sezonit.

Albion Marku

Vetëm në gjashtë muaj, Partizani ka humbur pesë futbollistë. Këtu flitet pa llogaritur pjesën tjetër që ka munguar për shkak dëmtimesh në periudha diçka më shumë apo më pak se një muaj. Emrat e parë që vijnë ndërmend për dëmtimet e fundit janë Arafat Doumbia dhe Marçelino Preka.

DËMTIMET E RËNDA- Gjithçka nisi me Albers Kekon, i cili u dëmtua te ndeshja e parë në Europë me Kaljun. Tjetër dëmtim shumë i rëndë erdhi në gusht, ndërsa Amos Nondi i sapo afruar u dëmtua në seancat e para stërvitore. Më pas ishte Karlos Martinez, që theu dorën në fundin e muajit gusht.

Dëmtimi i radhës i rëndë regjistohej në tetor. Atëherë kur Mateo Çipit që po i besohej fanella e titullarit, duhet të largohej nga fusha e blertë në Vlorë. Tashmë është Albion Marku, të cilit të paktën gjashtë muaj do i duhen për rikuperimin. Martinez është kthyer, ndërsa për Nondin dhe Kekon duhet ende kohë. Çipi dhe Marku ndërkohë janë jashtë planeve për muajt e mbetur.

PANORAMASPORT.AL