Terrenet e reja, një klub i harruar gati për ringjallje sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2025 | 21:44

Terrenet e reja, një klub i harruar gati për ringjallje sportive

Në Prrenjas, puna për ndërtimin e terreneve të reja sportive po ecën me ritme të kënaqshme. Punimet janë në fazën finale dhe shumë shpejt sportdashësit librazhdas do të kenë në dispozicion fushat e reja të stërvitjes dhe të ndeshjeve.

fusha Prrenjas

Kryebashkiaku i Prrenjasit, Nuri Belba, ka udhëhequr inspektimet për punimet që po kryhen nga firma kontraktuese, duke vlerësuar nga afër progresin e deritanishëm. Deri tani, kompania ka përfunduar me sukses dranazhimin, stabilizimin dhe rrethimin e të dyja terreneve. Tashmë mbetet vetëm shtrimi i tapetit artificial dhe vendosja e infrastrukturës sportive, përfshirë portat, rrjetat dhe vijëzimet e fushës.

Projekti, i financuar nga Bashkia Prrenjas dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), parashikon ndërtimin e një fushe sportive sintetike me përmasa olimpike dhe një tjetër terren sportiv sintetik si aneks, për stërvitje dhe aktivitete të grupmoshave të qytetit. Sipas firmës, punimet pritet të përfundojnë në fund të muajit mars, duke lejuar që në pranverë prrenjasakët të kenë terrene moderne dhe bashkëkohore në dispozicion.

Qyteti i Prrenjasit ka marrë pjesë për herë të fundit në kategorinë e dytë në sezonin 2017-2018. Pas këtij edicioni, ekipi i Domozdovës u shkri për shkak të mungesës së një fushe sportive ku të zhvillonte ndeshjet. Ndërtimi i terreneve sportive, 7 vjet më pas, konsiderohet si një dritë në fund të tunelit për futbollin lokal dhe për ekipin Domozdova, që synohet të rijetësohet nga drejtuesit aktualë.

LEDION QOSHKU – PANORAMASPORT.AL