Te Partizani “zien” për penalltitë, Skënder Gega i jep zgjidhje. Ja çfarë ndodhi me tre sulmuesit e të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2025 | 20:26

Te Partizani “zien” për penalltitë, Skënder Gega i jep zgjidhje. Ja çfarë ndodhi me tre sulmuesit e të kuqve

Penalltitë janë kthyer në çështje te Partizani. Pasi nuk kishin fituar asnjë deri në mars, përgjatë pesë ndeshjeve të fundit, kampionat dhe kupë, janë fituar tri penallti.

Screenshot 2025-04-14 202531

Në të tre rastet, nuk kanë munguar kërkesat e lojtarëve të ndryshëm për të goditur. E para ishte ndaj Dinamos rreth dy javë më parë. Bintsuka, i cili fitoi penalltinë, kërkoi edhe ta godiste. Në fund ishte Domgjoni që e ekzekutoi, ndërsa u ndal nga traversa. Derbi me dinamovitët rezultoi dhe ndeshja e fundit e Abilaliajt në krye të pankinës.

Penalltia e radhës u fitua në Kupë ndaj Egnatias. Ishte Keko që e fitoi dhe pikërisht ai e goditi. Në gjysmëfinalen e parë të Kupës ra në sy Zeka, që mori topin dhe kërkoi të gjuante. Gega nuk dha aprovim nga pankina.

Episodi i fundit ishte po ndaj Egnatias, këtë herë për kampionat. Kote e fitoi 11-metërshin ndaj kampionëve, ndërsa Eleke dëshironte ta gjuante. Në fund e mori përsipër Keko, i cili mposhti Dajsinanin në të dytën përballje.

Tri penallti që shohin tre sulmues në konkurrencë brenda ekipit. Në fund, Gega ia beson Kekos që e ka shpërblyer me dy gola të rëndësishëm deri tani.

PANORAMASPORT.AL