“Të kisha të gjithë skuadrën do flisnim ndryshe”, Nuhiju pas humbjes së Tiranës në Kupë: Përqendrimi është te kampionati, nuk është dorëzim por…
Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiju, ka theksuar se paraqitja e bardhebluve në Kupë ishte pasojë e situatës me mungesat apo formën e lojtarëve.

“Mungesat ndikojnë padiskutim se janë futbollistë shumë të rëndësishëm për ne. Ky ishte maksimumi i skuadrës sot, pashë që nuk ka freski te grupi. Na e vështirësoi edhe ndërrimi i Ndong i cili e kërkoi edhe mes pjesëve, por shtrëngoi dhëmbët të ishte me skuadrën edhe disa minuta. Nuk deshëm ta rrezikonim se na duhet në kampionat. Vështirësitë erdhën nga mosfreskia apo mungesa e futbollistëve. Këto forca kishim dhe u munduam t’i shfrytëzonim në maksimum.
Me ndërrimet e mesfushorëve u mundova të freskoj, duke menduar edhe ndeshjen në kampionat që është e rëndësishme për ne. Ishim në sulm vetëm me një lojtar, por kishim avancuar edhe Voglin e Patrik. U munduam që në mesfushë të kishim më shumë lojtarë, duke parë si luan ekipi, si vertikalizon mes qendrës, të mbyllim pikat e pasimit dhe të kapim ndonjë kundërsulm, duke ndihmuar edhe Vera me Ndong.
Me Ndong duhej të kishte kujdes Ismailin dhe daljen në kundërsulm. Por mendoj se Ndong sot u sforcua shumë se kishte shqetësime, por u mundua të ndihmojë skuadrën me aq sa kishte fuqi.
Dy qendrat me mesfushorin e fundit kishim përgatitur që të mbyllnim dhe ndërronim pozicionin kur të qarkullohej topi, na futën në vështirësi. Në aspektin mbrojtës ishim shumë më të vendosur, në pjesën e parë nuk i lejuam të krijonin raste. Në pjesën e dytë si gjithmonë bëri diferencë Bregu i cili doli në sipërfaqe që golin e parë apo te i dyti ku bëmë një gabim në mesfushë ku ishin të hapur mbrojtësit.
Deshëm të shfrytëzonim Mihanën për shkak të shpejtësisë, i kishim kërkuar të ishte me Ismailin. Ishim të detyruar dhe nuk kishim mbrojtës tjetër për të mbyllur zonën. Shpresoja që të shfrytëzonte shpejtësinë, por na rrezikuan në atë zonë që nga momenti që doli Ndong.
U kërkuam sulmuesve të kishin kujdes në qendër, pastaj e dimë se pas linjave kanë lojtarë cilësor si Bregu, Malomo apo edhe Guindo që dinë të ruajnë topin e qarkullojnë. U desh të ishim të kujdesshëm. Sulmuam me Diar te Guindo dhe Metën e kishim të mbyllte korridorin për pasimin te Bregu dhe sulmuesi tjetër.
Ishim të detyruar në këtë formë, të kishim të gjithë skuadrën do flitnim ndryshe. Po të kisha Alvarez, Xhixhën apo Ernest në formë… Pastaj përveç mungesave, ka lojtarë që nuk janë në gjendje të mirë se janë bashkuar shumë vonë dhe është vështirë të dalësh te ajo që ke përgatitur. Koha ka qenë e shkurtër. Padiskutim na vjen keq, nuk them se është dorëzim por është rezultat shumë pozitiv për kundërshtarin. Ka edhe 90 minuta, por përqendrimi është në kampionat në ndeshjen e radhës. Urojmë të kthehen sa më shpejt lojtarët që të kemi forca dhe ato ndërrime të ndihmojnë skuadrën”, tha Nuhiju pas ndeshjes për RTSH.
PANORAMASPORT.AL













