Te Egnatia janë të shqetësuar, ndaj Tiranës mund t’u mungojë arma më e fortë e kampionëve
Egnatia po vijon përgatitjet intensive për sfidën e radhës me Tiranën këtë fundjavë dhe gjithçka duket se po shkon sipas planit. Raportohet se grupi është në gjendje të plotë, pa probleme të rëndësishme fizike dhe atmosfera brenda ekipit është motivuese.

Me një përgatitje të fokusuar dhe një strategji të qartë, rrogozhinasit synojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive dhe të surprizojnë bardheblutë në fushën e tyre. Siç dihet, kampionët janë mësuar të fitojnë duke “fshehur” topin, por frika e një terreni të rënduar të shtunën mund të ndryshojë planet e Edlir Tetovës.
QARKULLIMI I TOPIT – Një nga pikat më të forta të Egnatias është qarkullimi i topit, që përkthehet në kontroll të lojës dhe dominim të ritmit. Ky stil i karakterizuar nga pasime të shpejta dhe lëvizje të vazhdueshme, është ndërtuar mbi bazën e lojës së Tetovës dhe kualiteteve teknike të futbollistëve që Egnatia ka në përbërje.
Statistikat flasin qartë: mesatarisht, Egnatia ka mbajtur topin 55% të kohës gjatë ndeshjeve të këtij sezoni. Edhe pse është një rënie nga 59% që ishte në sezonin e kaluar, kjo shifër tregon dominancën e lojës dhe aftësinë për të diktuar ritmin në fushë. Pikërisht ky kontroll i topit do të jetë fokusi i tyre ndaj Tiranës. Egnatia synon të kalojë topin shpejt dhe të mbajë kundërshtarin larg portës, duke krijuar hapësira dhe duke shfrytëzuar çdo mundësi për të krijuar presion. Stili i qarkullimit të dendur, me topin që rrjedh nga një repart në tjetrin, është arma kryesore që mund të bëjë diferencën në sfidën ndaj bardhebluve.
MERAKU I FUSHËS – Megjithatë, një shqetësim i madh mbetet gjendja e terrenit, sidomos duke marrë parasysh motin e paqëndrueshëm që po kalon vendi. Një fushë me probleme mund të ndryshojë planin e lojës dhe të vërë në vështirësi një ekip si Egnatia, që mbështetet fuqishëm tek kontrolli i topit dhe lojtarët teknikë. Aktualisht, ndeshja pritet të luhet në “Selman Stërmasi”, një lajm që mund të konsiderohet jo i favorshëm për djemtë e Rrogozhinës. Për këtë arsye, stafi i Egnatias shpreson që, nëse kushtet e fushës nuk janë optimale, ndeshja mund të zhvendoset në “Air Albania”, ku terreni është më i mirë dhe lojtarët mund të shfaqin aftësitë e tyre të plotë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













