Talentet nën 20 vjeç, ata që po marrin hapësira nga klubet e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 11:39

Talentet nën 20 vjeç, ata që po marrin hapësira nga klubet e Superiores

Kategoria Superiore prej vitesh ka vuajtur nga mungesa e hapësirave për lojtarët e rinj. Shpeshherë klubet kanë preferuar të afrojnë të huaj ose futbollistë me eksperiencë, duke ia mbyllur rrugën brezit të ri që vjen nga akademitë shqiptare. Por ky sezon duket se po sjell një frymë ndryshe, ndonëse të huajt janë në plan të parë.

Screenshot 2025-09-24 113855

Paçka fryrjes së ekipeve me lojtarë jo shqiptarë, gjithnjë e më shumë skuadra po i japin minuta lojtarëve nën 20 vjeç, të cilët jo vetëm po fitojnë eksperiencë, por edhe po i japin kampionatit një freski të re. Ndër ekipet që po eksperimentojnë me të rinjtë spikat Tirana, e cila ka vendosur t’i besojë Serxho Voglit. Mesfushori i qendrës është vetëm 18 vjeç, por ka qenë titullar në dy nga ndeshjet e para të sezonit, duke treguar se ka personalitet dhe nuk druhet para kundërshtarëve më me përvojë. Vogli është shembulli i qartë se kur ka besim nga stafi, të rinjtë dinë të përgjigjen.

Partizani është një tjetër klub që duket i vendosur të promovojë brezin e ri. Katër emra janë aktivizuar tashmë. Nebi Qokthi, Tedi Malaj, Elson Himallari, të tre sulmues qendre, si dhe mesfushori Dion Vata. Veçanërisht Vata shihet si një projekt afatgjatë i klubit, pasi është pjesë e një familjeje me traditë futbolli, ndërsa sulmuesit Qokthi, Malaj dhe Himallari janë në fazën e parë të integrimit me ekipin e parë. Partizani duket se ka kuptuar se për të krijuar një identitet të qëndrueshëm, duhet të besojë tek akademia e vet.

Vllaznia, një tjetër klub me traditë në prodhimin e talenteve, ka hedhur në fushë Gerald Kubazin, i cili luan në krahun e djathtë të sulmit. Shkodranët gjithmonë kanë qenë të lidhur fort me talentet vendase, ndaj ky është një hap i natyrshëm në vazhdën e filozofisë së tyre. Kubazi është vetëm në fillimet e tij, por aktivizimi i hershëm në elitë do ta ndihmojë të zhvillohet. Pa harruar edhe Arrën e Tafilin të parë në fushë edhe sezonin e shkuar. Edhe AF Elbasani, që këtë vit është po ecën mirë në elitën e futbollit shqiptar, ka treguar se nuk ka frikë t’u japë hapësira të rinjve. Armir Boriçi, mesfushor qendror, ka filluar të marrë minuta dhe shihet si një lojtar që mund të ndihmojë klubin jo vetëm këtë sezon, por edhe në të ardhmen.

Ndërkohë, Bylisi është klubi që tashmë ka një traditë më të konsoliduar në këtë drejtim. Sezonin e kaluar ata aktivizuan Fabjan Përndrecën, një mbrojtës i majtë që tashmë ka fituar përvojë në elitë. Aktivizimi i tij i vazhdueshëm tregon se kur një i ri merr shansin dhe e justifikon, klubi mund të ndërtojë mbi të. Përndreca është shembulli se si një lojtar i ri mund të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrës në një kohë të shkurtër.

Ky trend i ri është një shenjë pozitive për futbollin shqiptar. Deri pak vite më parë, të rinjtë e aktivizuar në Superiore numëroheshin me gishta, ndërsa sot janë gjithnjë e më shumë. Nëse këto minuta do të shndërrohen në besim afatgjatë, atëherë kampionati mund të fitojë jo vetëm në cilësi, por edhe në identitet, duke pasur në fushë lojtarë vendas që përfaqësojnë klubet e tyre me krenari.

Screenshot 2025-09-24 113718

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL