TABELA/ Egnatia dhe Dinamo përmirësojnë pikët, Partizani e Tirana në rënie. Shihni krahasimin e renditjeve të tre fazave të para të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2025 | 17:52

TABELA/ Egnatia dhe Dinamo përmirësojnë pikët, Partizani e Tirana në rënie. Shihni krahasimin e renditjeve të tre fazave të para të Superiores

Kategoria Superiore ka mbyllur tre fazat e para të saj dhe bëhet gati për të katërtën, ku në lojë janë ende shumë objektiva. Por si shkojnë ekipet drejt 9 javëve të fundit të sezonit, që do të përcaktojnë edhe arritjen apo jo të tyre?

superiore

Duke parë pikët që kanë grumbulluar secila skuadër në çdo fazë të mëparshme, shihet se një trend rritjeje ka Egnatia kryesuese, e cila pas 15 pikëve në fazën e parë dhe të dytë, ka arritur kuotën e 19 të tillave në fazën e tretë të kampionatit ku edhe bëri diferencën duke marrë kreun.

Edhe Dinamo që e ndjek ka qenë konstante në ecurinë e saj me një rritje të lehtë, pasi nga faza e parë me 15 pikë, ka kaluar në 16 pikë në dy fazat e tjera duke treguar qëndrueshmëri në rezultate. Vllaznia e vendit të tretë ka si bilanc më të mirë atë të fazës së dytë, me 17 pikë të grumbulluara, ndërsa ka regjistruar 14 në të parën dhe 15 në të tretën.

Ndërkohë, bie në sy rënia e vazhdueshme e Partizanit i cili kishte bilancin më të mirë me 16 pikë në fund të fazës së parë, për të rënë në 14 pikë në të dytën dhe vetëm 10 në të tretën ku ka ecur me ritmin e një skuadre që lufton për mbijetesë.

Elbasani që synon të ngjitet në katërshe, ka shënuar gjithashtu luhatje duke kaluar nga 14 pikët në një fazë, te 8 te ajo pasardhëse e së fundmi 12 të tilla. Ndërkaq, rritje kanë Laçi dhe Bylisi të cilët kanë kaluar nga një start shumë i dobët i kampionatit me përkatësisht 6 dhe 5 pikë në fazën e parë, në një bilanc më të mirë në fazën e dytë dhe të tretë. Sidomos sa u përket kurbinasve të cilët me 14 pikët e tyre në fazën e tretë, e shohin veten si skuadra e katërt me rezultative.

asdsadasdsa (1)

Teuta dhe Tirana që luftojnë gjithashtu për mbijetesën, kanë pësuar rënie pas fazës së parë të kampionatit ku bënë më mirë se në ato pasardhëset, sidomos durrsakët që kaluan nga 14 pikët e fazës së parë, te vetëm 6 pikët e fazës së tretë. Kurse Skënderbeu i vendit të fundit ka pësuar shumë luhatje, pasi 10 pikët e fazës së parë dhe 11 të fazës së tretë mund të cilësohen bilanc pozitiv. Por 5 pikët e fazës së dytë dhe një kalendar i saj që përsëritet në fazën e katërt, nuk japin sinjale të mira për korçarët.

PANORAMASPORT.AL