Statistikat pas rikthimit te Tirana, Shkëmbi mund Maganin dhe… veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2025 | 20:51

Statistikat pas rikthimit te Tirana, Shkëmbi mund Maganin dhe… veten

Bledi Shkëmbi është kthyer sërish në krye të Tiranës, por këtë herë po bën më mirë se vetja e tij në pesë javët e para. Jo vetëm kaq, por korçari ka kaluar edhe Gugash Maganin në pesë javët debutuese si bardheblu.

bledi shkembi

Trajneri aktual i Tiranës, në rikthimin e tij në pesë ndeshjet e para, ka grumbulluar 8 pikë. Më saktë, dy fitore dhe dy barazime, veç humbjes në transfertën e Durrësit. Mesatarja e pikëve është 1.6 për takim ose goxha më shumë se në aventurën e tij të parë me bardheblutë.

Nga java e parë deri në takimin e pestë të këtij kampionati, bardheblutë, nën kryesimin e Shkëmbit, kanë grumbulluar pesë pikë, me pesë barazime rresht. Ndeshje të humbura asnjë, por as edhe të fituara. Mesatarja e pikëve është 1 për sfidë.

MAGANI – E ndryshme është situata me drejtimin e Gugash Maganit. Peqinasi skuadrën e mori në javën e 13-të dhe në pesë ndeshjet e para të tij në rikthimin bardheblu arriti të grumbullonte shtatë pikë. Në këto pesë takime nuk u mund asnjëherë, ndërsa mori një fitore dhe katër barazime. Mesatarja e pikëve është 1.4 për takim, duke qenë pas Bledi Shkëmbit.

GOLAVARAZHI – Situata është ndryshe përsa i përket golave të shënuar dhe të pësuar. Mbrojtjen më të mirë në pesë javët debutuese e ka pasur Gugash Magani me 1 gol të pësuar dhe pesë të shënuar.

Sulmi më i mirë i atashohet Bledi Shkëmbit, që në dy aventurat e veta, skuadrat e tij kanë shënuar 7 dhe 6 gola. Korçari ka pasur problem anën defensive, me 6 gola të pësuar në aventurën e parë dhe 4 në këtë aventurë të dytë. Pozicionin më të keq në renditje e ka Bledi Shkëmbi, edhe pse në pesë javët krahasuese ka bërë më mirë se Gugash Magani.

PANORAMASPORT.AL