Mposhtja e Partizanit të Beogradit të Jugosllavisë e Serbisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2025 | 20:35

Mposhtja e Partizanit të Beogradit të Jugosllavisë e Serbisë

NGA BESNIK DIZDARI
VITI 1947: 1-0 E 4-2 PARTIZAN TE BEOGRADIT!
Është fjala për Partizanin e Beogradit të Jugosllavisë e Serbisë, me të cilin kemi tri histori të jashtëzakonshme. E, për hir të së vërtetës, prej tij kemi marrë emrin e Partizanit tonë. Është Partizani i Beogradit të Jugosllavisë. E sot si përherë edhe i Serbisë, e cila po mbërrin në Tiranë për një ndeshje të Kupës së Botës, këtë të 7 qershorit 2025, çka gjithë këto ditë po dramatizohet, për mua, padrejtësisht. Me këtë shkrim po synoj që duke rikujtuar një histori edhe pse të bujshme, megjithatë, të ndikoj që të çdramatizoj sadopak.

sdfdsffdssdffdsfsd

Partizani i Beogradit ka ardhur në Shqipëri për herë të parë para bukur 78 vjetëve, më 1947. Dhe ndodhi sensacioni kur, ndonëse sapo kishte të dalë në fushën e lojës, Partizani i Shqipërisë me dy fitoret e tij do të mahniste Partizanin e Jugosllavisë e të Serbisë mû në vitin kur ky do të fitonte trofetë e parë të tij, Kampionatin dhe Kupën e Jugosllavisë.

Ata janë takuar për herë të parë më 1947 në Tiranë në dy ndeshje sensacionale. Ishim në kulmin e miqësisë së madhe shqiptaro-jugosllave edhe pse ishim vetëm një vit para prishjes po të madhe. Një miqësi që sikur donte të përforcohej edhe përmes ndeshjeve të futbollit. Dhe merreni me mend: brenda viteve 1945-1948 dy shtetet kanë zhvilluar 85 ndeshje midis tyre në vetëm tre-katër vjet menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, vetëm krejt pak janë ndeshje midis Kombëtareve. Shumica janë ndeshje midis klubeve e përfaqësueseve republikane. Emrat e skuadrave jugosllave të kësaj 85-sheje mahnitëse që u ndeshën me futbollin shqiptar janë:

Jugosllavia tri herë, e së cilës do t’i rrëmbenin titullin e Kampionit të Ballkanit, Mali i Zi, Zagrebi, Crvena Zvezda e Partizan i Beogradit, Maqedonia, Nishi, Ljubiana, Cetina, Llovçen i Cetinës, Buduçnost i Titogradit, Bitoli i Manastirit, Rabotniçki i Shkupit, Shkupi, Hajduk i Splitit, Metallac i Beogradit, Zhelezniçar i Sarajevës, Çelik i Zenicës, Maqedonia, Pelister i Manastirit, Arsenalac i Tivatit, Bokelje e Kotorrit, Vardar i Shkupit, Nishi, Cetina, Napredak e Zetës, Proleter i Dubrovnikut, Prespa, Prilepi, Bitoli, Ohri. Pa shkuar te “shqiptarët” e Jugosllavisë, skuadra të tilla si Kumanova, Gjakova, Peja, Dibra e Madhe, Tivari, Prizreni, Prishtina. Pa harruar këtu as ndeshjet me skuadrat e Divizioneve të ushtrisë jugosllave.

Më 1947, Partizani i Beogradit sapo kishte siguruar titullin e Kampionit të Jugosllavisë, i pari për të, dhe ja ku vjen në Tiranë për te Shqipëria “mike”. Është dyvjetori i rënies së Berlinit, 9 maj 1947 dhe mû në këtë ditë, dy Partizanët, ai i Jugosllavisë, dhe ky i Shqipërisë, të cilët takohen në një ndeshje impozante të përkujtimit të luftës partizane që sapo ka mbetur mbas dhe të lirisë, që “shkëlqente” në “zenitin” e haresë së frikshme të saj në krejt Europën Lindore. Ngjarja ka vend në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës.

Sot mbasdreke, – shkruan fjalë për fjalë nën këtë drejtshkrim të kohës, shtypi shqiptar, – në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit, me rastin e festës së fitores kundër fashizmit, do të zhvillohet ndeshja miqësore e futbollit në mes të skuadrës së “Partizanit” t’Armatës Jugosllave dhe asaj të “Partizanit” t’Ushtrisë s’onë Kombëtare”… Për popullin t’onë dhe për popujt e Jugosllavisë mike, emri i Partizanit është simbol i luftës sonë të përbashkët kundër okupatorëve fashistë, është një epope e tërë heroizmash, është gjëja më e çmuar dhe më e përzemërt. Skuadra mike e “Partizanit” është ajo më e mira e Jugosllavisë. Një javë më parë fitoi kampionatin Jugosllav të futbollit. Përmbledh në radhët e saj shumicën e skuadrës së mirënjohur kombëtare të Jugosllavisë… Zhvillimi i ndeshjes së sotme po pritet me padurimin më të madh nga të gjithë sportdashësit tanë, të sigurt se do të shijojnë një lojë shumë të bukur dhe shumë interesante”.

Kështu do të ndodhte. Për historinë tonë ajo mbetet një nga ndeshjet më të bujshme. Zhvillohet para 15.000 shikuesve në prani të udhëheqjes, që në shtyp personifikohet me përmendjen e pranisë të vetëm një emri: Gjeneral lejtnant Koçi Xoxe, ai i cili shpejt në një natë të errët misterioze do të pushkatohej mû si agjent i Jugosllavisë e Serbisë të këtij Partizani.

Është një ndeshje e shpejtë, krejt sulmuese, por e cila do të kishte vetëm një gol, atë të minutës së 34-t të Parapanit mbas një goditjeje të fortë. Për çastin, Partizan i Beogradit nuk tronditet fort, sepse beson në kohën e mbetur që duhej t’i mjaftonte për të përmbysur gjithçka falë forcave të tij të mëdha si kampion i Jugosllavisë dhe si bërthamë e Kombëtares së Jugosllavisë. Ndërkaq, pjesa e dytë e befason FK Partizan-in beogradas, sepse ai gjendet përpara një mbrojtjeje të shkëlqyeshme me në krye portjerin e pakalueshëm Alfred Bonati, para të cilit ndodhej treshja e betonuar e mbrojtjes Gjeloshi – Fagu – Demneri. Dhe fitore 1-0 për Partizanin e Shqipërisë përballë Partizanit të Beogradit të Serbisë, rasti i parë në historinë e Shqipërisë që një skuadër shqiptare fitonte ndaj një skuadre të huaj kampione në fuqi në vendin e saj. Skeda e ndeshjes është përkujtimi ynë i rrallë për një njëmbëdhjetësh po aq historik të kampiones sonë:

PARTIZANI I USHTRISE KOMBETARE – PARTIZANI I ARMATES JUGOSLLAVE 1-0
9 maj 1947.
Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”.
PARTIZANI U.K.: Bonati, Gjeloshi, Hajdari, Demneri, Fagu, Vathi, Parapani, Pengili, Z.Gjinali, Biçaku, H.Bakalli.
PARTIZANI A.J.: Nikolic, Funtek, Popescu, Palfi, Djordevic, Jovanovic, Marianovic, Janevski, Firm, Radunovic, Seres.
GOLAT: Parapani 34’.
GJYQTAR: Adem Karapici.
SHIKUES: 15.000

Dhe gjithçka që nuk ndalet këtu, por vazhdon 48 orë më vonë me një ndeshje tjetër, edhe më sensacionale e përmbysëse. Është ajo midis Skuadrës Përfaqësuese të Tiranës dhe Partizanit të Armatës Jugosllave. Mbërrihet në një 4-2 spektakolar për futbollistët shqiptarë, të cilët në 11-shin e tyre fort të ndryshuar kanë edhe Spahiun, Boriçin, Kavajën, Llambin, Fakjen, Begejën dhe Barbullushin. Thuajse Kombëtarja e Shqipërisë. Ndërsa jugosllavët shtojnë Pozheng dhe Lazic. Fiton një skuadër më e freskët shqiptare përballë pothuajse një Kombëtareje të Jugosllavisë. Është 4-2 për shqiptarët e papërmbajtshëm, kësaj radhe para 20.000 shikuesve. Partizan i Beogradit turret për revansh, por përsëri gjen një Bonat të pazakonshëm. Arrin ta mposhtë në 9’ me anë të Janevskit, por në të 45’ Boriçi mbasi merr një top të çmueshëm prej Parapanit, nënshkruan 1-1.

Mbas pushimit, në të 57’, po Loro Boriçi kthen në gol një 11- metërsh dhe “dy minuta më vonë Vasif Biçaku përmbyll një zbritje energjike”, siç thotë kronika e kohës dhe 3- 1! Mandej vijnë dy gjuajtjet e Janevskit: shtyllë në të 63’ dhe gol në të 65’. Është 3-2 që do të shndërrohej në 4-2 falë pasimit të pagabueshëm të Fakjes që 7 minuta para mbarimit të çon te goli i Zyhdi Barbullushit, më i rëndësishmi i jetës së tij, një universal i futbollit, muzikës, fizarmonikës i cili, vite të fundit, pak para se ndahej nga jeta, ka botuar librin e kujtimeve të tij po universale. Partizani i Shqipërisë fiton 4-2 kundër Partizanit të Serbisë “jugosllave”!

Pamja e ndeshjes është kjo:

PERFAQESUESJA E QYTETIT TE TIRANES – PARTIZANI I ARMATES JUGOSLLAVE 4-2
11 maj 1947.
Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. 
PARTIZANI U.K.: Bonati, Spahiu (Hajdari), Fagu, Kavaja (Vathi), Llambi, Fakja, Parapani, Biçaku, Boriçi, Begeja, Barbullushi.
PARTIZANI A.J.: Nikolic (Lazic), Funtek, Popescu, Pozenga, Palfi, Jovanonovic, Marianovic, Janevski, Firm, Radunovic, Seres.
GOLAT: Janevski 9’, Boriçi 45’, 57’ (11-m), Biçaku 59’, Janevski 65’, Barbullushi 83’.
GJYQTAR: Ramazan Kuka.
SHIKUES: 20.000

Kjo është historia që të dukej se do të “shuhej” vetëm me këto radhë të shtypit shqiptar: “Loja u zhvillua në frymën më vëllazërore dhe lojtarët e të dyja skuadrave u brohoritën nxehtësisht nga spektatorët”. Dhe asnjë jehonë më tej. Frikë apo një modesti e tepruar për të mos iu shitur mend miqve jugosllavë? Kushedi!…

Një vit më vonë, 1948, mbërrin barazimi famëmadh i Beogradit, Jugosllavia – Shqipëria 0-0! Këtu është ndarja e madhe “informbyroistë”.

E, në këtë “miqësi” futbolli, gjithçka kishte nisur më 1945 në Tiranë, kur ka ardhur skuadra përfaqësuese e Maqedonisë. Dhe prapë kanë qenë dy ndeshje të rralla: Tirana – Maqedonia 3-3 e 5-2! Në krye të Maqedonisë një legjendar: trajneri Ilies Spitz, i cili do të ngrinte në qiell lojën e skuadrave dhe lojtarëve shqiptarë! Jam “takuar” me Spitz-in në FK Partizan përmes librit të historisë të këtij kubi. Befasia ishte se mbulesën e këtij libri e mbushte portreti i tij. As i Bobekut apo Zebecit, as i Cajkovskit, as i Jusufit, as i Soskicit, as i Vasovicit, as i Curkovicit, as i Valokut, as i Galicit apo i Mijatovicit. Por vetëm i Ilies Spitz-it, trajnerit të Maqedonisë së Tiranës 1945, i cili ishte mahnitur prej lojtarëve shqiptarë. Dhe mû Spitz-i ishte arkitekti i Partizanit të Beogradit. Ebreu i famshëm hungarez i Budapestit, lojtari i Ujpestit të Paraluftës, 6 ndeshje dhe tre gola me Hungarinë, më mbas i Hajdukut të Splitit dhe të Shkupit. Dhe më 1946, në Partizan Beograd. “Njeriu që tejkaloi kohën”, siç e përcaktojnë historianët e FK Partizan.

Ilies Spitz ishte themeluesi i asaj që Velibor Vasovic-i legjendar e ka përcaktuar “Akademia e Futbollit në Humsko Nr.1” të Beogradit”. Ishte ky Spitz, i cili qe mahnitur me futbollistët shqiptarë në atë 1945, me fjalët e tij të pafund për ta. Të cilët, siç u tregua, dy vjet më mbas, për çudi ata do të triumfonin edhe dy herë ndaj Partizanit të tij.

dsfgdsfdsfsfdfsdfdssfd

MBAS 40 VJETËVE – SENSACIONI I FLAMURTARIT 1987 1987.
Mbas 40 vjetëve. Kanë qenë ditë të paharrueshme të sportit shqiptar. Shqipëria sapo kishte fituar 8 medalje në Lojërat e Latakias: 3 ari në basketboll e volejboll për femra si dhe qitje (Kristo Robo); 1 argjendi në atletikë të lehtë (Ajet Toska) dhe 4 bronzi në atletikë të lehtë (Pavlina Evro e Adriana Vejkollari) dhe në peshëngritje (Hysen Cenaj e Fatmir Bushi). Dhe thuajse rrufeshëm kualifikimi i bujshëm i Flamurtarit ndaj një prej skuadrave më të sprovuara të Europës, që ishte pra, Partizan i Beogradit. Ndeshja e Beogradit përveç 40.000 shikuesve, do të shtangte ndërkaq, gjithë mjedisin futbollistik të Jugosllavisë. Për 75 minuta gjithçka dukej se po realizohej kualifikimi beogradas, teksa Partizan kryeson 2-0.

Papritmas protagonist bëhet një futbollist i shquar shqiptar nga Prishtina e Kosovës, me emrin Fadil Vokrri. Është Vokrri, ai i cili fiton 11-metërshin e realizuar nga Stefanovic dhe i cili mandej shënon po ai golin e dytë në minutën e 60-të. Është 2-0 për vendasit dhe futbollistët e mëdhenj jugosllavë, të tillë si Klincarski, Katanec apo Djurovski të duken se po e çonin Partizanin e tyre te goli i tretë kualifikues. Por Sokol Kushta i papërmbajtshëm, krijon gjuajtjen e tij që ka mbet emblematike: një hark tejet i gjatë topi nga e majta dhe 2-1! Çka mjafton për kualifikimin. Edhe pse ka ende 15 minuta lojë. Por tashmâ Arapi, P.Ruci, Memushi, Iljadhi, Taho, K.Çipi, Ferko, Zijaj e Gjondeda shndërrohen në kështjellë, çka lë pa mend publikun vendas. Kur ndërkohë treshja Daullja – Kushta – Bubeqi në këto 15 minuta të një drame të pamëshirshme futbolli, ka mjeshtëri edhe për të kundërsulmuar. Asnjëherë një ndeshje e humbur nuk ishte shndërruar në një ndeshje të fituar kësisoj.

Historia e kualifikimit të bujshëm vlonjat e flamurtaras bashkë, merr fund këtu dhe pamja e paharrueshme e tij fiksohet në këto dy skeda të skalitura në histori:

Kupa e UEFA-s.
16.09.1987.
Vlorë. St. “Flamurtari”:
FLAMURTARI – PARTIZAN BEOGRAD 2-0
FLAMURTARI: Arapi, P.Ruci, Iljadhi, Taho, K.Çipi, Ferko, Zijaj (Memushi 64’), Gjondeda, V.Ruci (Daullja 67’), Kushta, Bubeqi.
TRAJNER: L.Çuri.
PARTIZAN B.: Omerovic, Gjorgjevic, Vermezovic, M.Bajovic, Smajic, Klincarski (Kolb 64’), Radanovic, Katanec, Stefanovic, Vucicevic (Mi. Bajovic 72’), Vokrri.
TRAJNER: F.Jusufi.
GOLAT: Gjeorgevic 31’ (vetgol), Iljadhi 83’.
GJYQTARE: R.Blatmann (Zvicër).
SHIKUES: 15.000

Kupa e UEFA-s.
30.09.1987.
Beograd. St.: “Narodna Armija”:
PARTIZAN BEOGRAD – FLAMURTARI 2-1
PARTIZAN B.: Omerovic, Gjeorgjevic, Vermezovic, Klincarski, Katanec, Smajic, Radanovic, Stefanovic (Scepovic 80’), Vokrri, Djurovski (M.Bajovic 36’).
TRAJNER: F.Jusufi.
FLAMURTARI: Arapi, P.Ruci (Memushi 75’), Iljadhi, Taho, K.Çip, Ferko, Zijaj, Gjondeda, V.Ruci (Ziu 51’), Kushta, Bubeqi.
TRAJNER: L.Çuri.
GOLAT: Stefanovic 44’ (11-m), Vokrri 60’, Kushta 76’.
GJYQTARE: Libih (Poloni).
SHIKUES: 40.000.

Ky ishte Flamurtari i Vlorës – “autori” i madh i kësaj ngjarjeje të pashlyeshme. Ku bazamenti natyrisht ishte fitorja spektakolare e Vlorës 2-0, për të cilën, duke qenë se kemi shkruar aq shumë, po ndal me kaq.

Dhe ja që po më pëlqen të kthehem paksa edhe një herë te viti 2007 i shtatë orëve të qëndrimit në Beograd, në udhëtim e sipër për në Bregenz të Austrisë për në Kongresin e 70-të të AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv) së bashku me kolegun e paharrueshëm Vladimir Grillo. Synoja të përjetoja edhe 60-vjetorin e mposhtjes së Partizanit të Beogradit në Tiranë më 1947, Ladi sidomos atë të 20- vjetorit të triumfit të Flamurtarit të Vlorës, kur nga Stadiumi “Jugoslavenstvo Narodna Armija” (“JNA”) iu kishte dhënë shqiptarëve kualifikimin më zâmadh të një klubi shqiptar në Kupat e Europës.

Dhe drejt e në Stadiumin “JNA”, siç është thirrur dikur shkurtimisht ai. Aty ishte edhe selia e FK Partizan. Ky ishte stadiumi që kishte zhdukur edhe gjurmën e fundit të Ushtrisë së Josip Broz Titos. Kishte marrë emrin e ri, atë të klubit: “Partizan”.

Stojance Ristevski, sekretari i hershëm i klubit, një maqedonas tejet i sjellshëm e mikpritës, i cili kishte qenë pjesë e drejtimit të FK Partizan-it beogradas në Vlorë 20 vjet më parë, gjeti kohë të na bëjë një pritje të përzemërt. Ne vizitojmë Muzeun e Klubit, mjediset e tij korridoreve e zyrave të pafund, ndeshemi kudo me morinë e kupave e trofeve, fotove arkivore të jashtëzakonshme që pasqyrojnë një histori më vete, që nga fama e futbollit e deri te ajo e basketbollit, e ku natyrisht gjejmë edhe praninë e shqiptarëve “partizanas” të futbollit të Kosovës: Xhevat Prekazin, Fadil Vokrin – e para tyre Fahrudin Jusufin nga Potoku i Dragashit të Kosovës,  trajneri që përjetoi dramën e Vlorës në krye të të eliminuarve të tij, por firmë e parë e Kombëtares së Jugosllavisë, 55 herë nën fanelën e saj, Kampion Olimpik i Romës (1960), po dhe titullar i pazëvendësueshëm i Eintrachtit të Gjermanisë. Natyrisht, pa harruar edhe katër shqiptarë të tjerë të këtij Partizani. Në tanësi, ata ishin Luan Prekazi, vëllai i tij Xhevat Prekazi – njeriu i tetë sezoneve lojtar i klubit beogradas, dy herë kampion i Jugosllavisë, Kampion i Europës Qendrore; Fadil Vokrri – shqiptari i cili arrin lartësinë më të madhe: 12 ndeshje dhe 6 gola me Kombëtaren e Jugosllavisë; Zenun Brovina, Kujtim Shala, Isa Sadriu. Kjo është gjashtëshja puro shqiptare e FK Partizan të Beogradit.

asdsadasdsaasd

Dhe prapë te retrospektiva e largët…

Kur unë kthehem nga Latakia e Lojërave të Mesdhut, ATSH na jep të përkthyer një intervistë të futbollistit Fadil Vokrri, dhënë revistës së Jugosllavisë “Duga”. Me gëzim kërkova ta botoj. Assesi, këto intervista të shtypit të huaj, aq më tepër atij jugosllav, mund të botoheshin pa leje. Nuk m’u lejua. Do ta botoja tashmâ, sigurisht pa pyetur askënd vetëm kur do të lindte Shqipëria pluraliste, më 1991, po në faqet e asaj gazete që ma kishin ndaluar katër vjet më parë, më 1987.

“FADIL VOKRRI: “Përse vajza ime quhet Albana”?

Ky ishte titulli. Po shkëpus këte fragment:

“DUGA”: “Ju jeni i ri. Keni dy fëmijë. Kombi juaj e ka zakon që lind shumë fëmijë”….

“F.VOKRRI: “… Me siguri ju do të më pyesni, sepse shikoj që e keni shkruar këtë pyetje: përse vajza ime quhet Albana? Ky është emër i bukur. Ndërsa mua asnjëherë nuk më ka rënë ndër mend të pyes përse dikush djalit të tij, ia ka vënë emrin Serbosllav? Kam dëgjuar të flitet për emrin e vajzës sime se përse quhet kështu. Në fakt, më vjen keq kur ndodhem në një situatë të tillë, e bile më vjen keq që edhe të mendoj për këtë. Përse gjithçka duhet të ketë një mesazh të fshehtë”?

Ishim më 1987. Kosova kishte filluar të ziente. Fadil Vokrri – i vetmi shqiptar i Kosovës, i cili do të luante 12 ndeshje me Jugosllavinë dhe do të shënonte 6 gola – do të largohej nga Beogradi për një karrierë tjetër të shkëlqyeshme, tash me Fenerbahçen e Stambollit. Kurrë nuk do t’i ketë shkuar ndërmend se nja 10 a 15 vjet më vonë, ai do të bëhej drejtuesi i paharrueshëm i futbollit të Kosovës së pavarun, madje duke mbërritur me të deri në anëtare e UEFA-s e FIFA-S, dhe duke marrë pjesë deri në kualifikimet e Kupës së Botës!…

Siç shihet, vetvetiu i rikthehem një historie të përbashkët, natyrisht shumë të diskutueshme sot e kësaj dite, ku nostalgjitë nuk kanë assesi vend. Ajo që gjithmonë ka vend është vetëm historia, historia e mirëfilltë, autentike, e paluajtshme, e cila ka një të mirë: synon thjesht te futbolli dhe jo te nacionalizmat e sëmura tipike serbe dhe as tek euforia shqiptare – çka uroj të mos kenë assesi vend në ndeshjen e këtij 7 qershori 2025 për Kupën e Botës. Duke shpresuar fort për një fitore të Shqipërisë sonë…

Dhe nuk ndalim këtu. Do të vazhdojmë me sensacionin tjetër në numër tjetër të “Panorama Sport”.
Tiranë, 7 nëntor 1947: Përfaqësuesja e Tiranës – Crvena Zvezda 0-1
Tiranë, 9 nëntor 1947: Përfaqësuesja e Tiranës – Crvena Zvezda 2-1

PANORAMASPORT.AL