Epoka e Zan Rragamit… (PJESA IV)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2022 | 20:24

Epoka e Zan Rragamit… (PJESA IV)

SPECIALE NGA BESNIK DIZDARI
KAPITULLI IV
SHKOLLA E MREKULLUESHME E PARTIZANIT.
Ashtu siç duhet t’ia veshin rolin e pamatë çka për vite ka shkaktuar dobësimin e skuadrave të qyteteve në të mira të vetvetes, të “egoizmit” të tij po aq të pamatë, duke rrëmbyer talente të pafund, duhet të pranojmë se klubi sportiv Partizani ka qenë shkolla e mrekullueshme e sportit shqiptar.

YhlfA8sz

Ai ishte i pamëshirshëm në rrëmbimet e tij falë mbështetjes që i bënin parti e shtet me në krye Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, por ende nuk e kemi treguar siç duhet anën tjetër të medaljes të forcës së tij: fuqinë gjeopolitike të historisë së tij, çka ka ndikuar fort për zhvillimin e sporteve në Shqipëri.

Në këtë dukuri të dy anëve të medaljes së saj, kujtoj se në vitet ’50 e’60 në Shqipëri disa herë ka ekzistuar kampionati i ashtuquajtur i rezervave. Kjo do të thoshte që çdo skuadër që merrte pjesë në kampionatin kombëtar kishte edhe skuadrën e rezervave të cilat merrnin pjesë në një kampionat krejt të veçantë, gjithçka sipas modelit të futbollit sovjetik. Ky kampionat luante një rol shumë të rëndësishëm për formimin, moshumbjen e lojtarëve të tjerë, kryesisht më të rinj ose nga ata që nuk mund të ishin titullarë të skuadrave të para. Duhet thënë ndërkaq se nga skuadrat e Rezervave, ka dalë një plejadë e pafund lojtarësh të talentuar. E, Partizani, përmes shërbimit të detyrueshëm ushtarak, u rrëmbente skuadrave të qyteteve lojtarë edhe për skuadrën e rezervave të tij. Pa droje mund të themi se në qoftë se asokohe skuadra e rezervave të Partizanit do të merrte pjesë në kampionatin kombëtar, me siguri do të ishte e pakta ndër pesë më të mirat. E pra, nuk ishte aspak e drejtë që këta futbollistë të rezervave të Partizanit të mos luanin me skuadrat e para të qyteteve të tyre. Mirëpo, Partizani ynë ushtarak donte edhe titullin kampion të rezervave të Shqipërisë. Nuk ndalej!

Mirëpo, ne ende nuk e kemi treguar, siç duhet pra, anën tjetër të medaljes së forcës së tij, si të thuash, fuqinë gjeopolitike të historisë së Partizanit. Jemi marrë gjithnjë me titujt, me sukseset kampionale të tij dhe vetëm kaq. Por falë një përparësie që nuk e pati asnjë klub tjetër, mbërrinin të pafund edhe përfitimet që patën prej tij klubet e tjerë, ata të qyteteve. Kësisoj, duke lënë mënjanë shembullin e mësipërm, na duhet të blatojmë respektin e madh për vlerat e jashtëzakonshme të klubit sportiv Partizani, i themeluar sipas modelit të Jugosllavisë, por i vazhduar, i përsosur mandej sipas modelit të Bashkimit Sovjetik. Partizani i Shqipërisë ka qenë kështu, një shkollë e mrekullueshme e formimit, forcimit, zhvillimit të talenteve të sportit shqiptar. Dhe kjo thjesht për kushtet po të mrekullueshme që sportistët gëzonin në këtë klub. Ata mund ishin ushtarë të popullit, siç quheshin, por nga ana tjetër, në njëfarë mënyre, ata mund të quheshin edhe sportistë profesionistë. Me një mangësi thelbësore, megjithatë: nuk paguheshin, nuk merrnin rrogë. Por stërviteshin madje edhe dy herë në ditë dhe nuk bënin asnjë “punë” tjetër.

Ka qenë vërtet e rrallë, madje e jashtëzakonshme, teksa shihnim se si sportisti i qytetit mund të vinte te Partizani, bie fjala, me fizik të brishtë, disi ende të dobët, të thyeshëm, dhe papritmas, brenda një kohe krejt të shkurtër, fiziku i tij merrte përmasa atletike, në muskulaturë, forcë, shkathtësi e rezistencë. Ushqimi i garantuar, shumë i mirë, përkujdesja moderne e stërvitjes bënin që sporti shqiptar të përfitonte tejet nga shkolla e paharrueshme e Partizanit. Mandej, kur këta sportistë ktheheshin në qytetet e tyre, natyrisht luanin një rol të madh në forcimin e nivelit të sporteve të klubit të tyre. Kështu ndodhte për të gjitha sportet: basketboll, volejboll e atletikë e lehtë, gjimnastikë, peshëngritje, mundje, boks e deri në not. Duke kulmuar pa dyshim, në mënyrë të veçantë, me sportin më popullor që ishte futbolli. E vërteta është se futbollistët që merreshin ushtarë dhe vinin te Partizani, ndiheshin fort të gëzuar. Ata ndiheshin profesionistë të vërtetë në të gjitha drejtimet.

Kështu do të ndodhte edhe me Zan Rragamin e shokët e tij…

RRËMBIMI SPEKTAKOLAR I ZAN RRAGAMIT PREJ PARTIZANIT.
Dhe mbërrijmë te “romani” i protagonistit tonë. Gjithçka duket se fillon qysh në janarin e vitit 1965, çka përkon me kohën kur Loro Boriçi, tash për pak kohë trajner i Kombëtares, thërret Rragamin e Selami Danin. Të Vllaznisë së Shkodrës? Dani po, e Rragami jo. Sepse kishte vetëm pak ditë që ishte rrëmbyer prej Partizanit!

Rragami është caktuar mësues në gjimnazin e Shkodrës, po pikërisht aty pranë, në një ditë të bukur, një xhips i Ushtrisë së quajtur Popullore, e ndal dhe njerëzit ushtarakë e ftojnë disi rreptësisht të hyjë brenda, duke i deklaruar se qysh në atë çast ai ishte ushtar i popullit. Gjithçka duhej bërë si në një film pa zë aventurash “të frikshme” dhe mbasi i japin një leje të shpejtë për të shkuar për pak çaste në shtëpi, mbasi e qethin pa vonuar, mbasi i vënë një batanije sa për të kaluar po në fshehtësi Urën e Bahçallëkut, e nisin rrufeshëm për në Tiranë.

1970. Zan Rragami i Partizanit menjëherë mbas shënimit të golit të tij në fitoren kualifikuese 2-0 ndaj Atvidabergs të Suedisë për Kupën e Kupave të Europës.

1970. Zan Rragami i Partizanit menjëherë mbas shënimit të golit të tij në fitoren kualifikuese 2-0 ndaj Atvidabergs të Suedisë për Kupën e Kupave të Europës.

Rrëmbimi i tij kishte ditë që pëshpëritej dhe Shkodra me aparatin e saj sportiv dhe të pushtetit, në të vërtetë po e ruante. Diku ishte thënë një fjalë se ai nuk do të prekej, sepse tash edhe Shkodra duhej të bënte një skuadër të mirë futbolli. Po Ministria e Mbrojtjes për këto punë sportive kishte “carta bianca” dhe ishte shtet mbi shtet ose “çadër e madhe”, siç thoshte i paharrueshmi Xhevdet Shaqiri. Ironia është se kur mbërrin në repart, Rragamit i del për zot një ushtar shkodran dhe së bashku përfundojnë deri vonë në dhomën e tij. E kërkojnë dhe nuk e gjejnë, jepet alarmi, “sulmohet” Shkodra me telefona, deri sa Rragami shfaqet “kadal-kadalë” te kapanoni e tij. E pret burgu i repartit për disa orë dhe kështu merr fund aventura e tij unikale. E donin vetëm për fushën e blertë të futbollit!

“VIKTIMAT” E PARTIZANIT: SHKODRA, VLORA, KAVAJA, BERATI, KORÇA…
Jemi në kohën kur po vinte epoka e 17 Nëntorit (SK Tirana), e cila ia kishte arritur të rikthente nga Partizani emrat që përmendem në kapitullin III, po tashmë goditja që kishte pësuar Partizani, nuk mund të durohej gjatë. Dhe superklubi i Ushtrisë hedh vështrimin ndër rrethet e Shqipërisë. “Viktimat” bëhen pesë qytete tradicionale të futbollit shqiptar: Berati, Shkodra, Vlora, Kavaja, Korça. Kështu, Zan Rragami i Vllaznisë, Muharrem Karriqi i Besës, Teodor Vaso i Skënderbeut, Mexhid Haxhiu e Nako Saraçi të Flamurtarit, Qojle e Hodo të Tomorit, rrëmbehen ditën për diell me dinakërinë “e ligjshme” të marrjes ushtar.

Mbas kaq vitesh po lihej i qetë 17 Nëntori, por pa asnjë problem po prisheshin pesë skuadra qytetesh në vitin e tyre më interesant të një rilindjeje. Ndërkohë që edhe Dinamo, pa u ndier aspak, në kulisa siç e kishte në stil, kishte bërë të sajin Iljaz Çeçon e Traktorit të Lushnjës, Aleko Pilikën e Skënderbeut, Medin Zhegën, i cili sapo kishte veshur fanellën e Vllaznisë në 1963-‘64, talent i madh i futbollit kombëtar, Selim Gjocin e fortë dhe pozicional të Besës së Kavajës, dike si student të ardhur në Tiranë, dike si ushtar edhe ajo.

Nëntori-dhjetori 1964 përbën, kësisoj, në historinë e futbollit shqiptar, ditë dhe net të pamëshirshme sportive për gjithë këto qytete. Në Ministrinë e Mbrojtjes gjeneralët dhe kolonelët, shumica e të cilëve kanë përfaqësuar tifozët më të ashpër në futbollin shqiptar, vështrimi i të cilëve, me pak përjashtime, nuk shkonte përtej klubit Partizani, të dukej se më fort e kalonin kohën duke menduar se ku kishte lojtarë për t’i veshur ushtarë për Partizanin, sesa me “shqetësimin” që mund të krijonte për shembull, kërcënimi nga Traktati i Varshavës! Mëngjeset e Tiranës në mjedisin e tifos, sidomos në bar “Sahati” e “Vollga”, sepse “Dajti” ishte i paprekshëm, gumëzhinin bisedat për këto rrëmbime. Sot e gjithë kjo tablo duket diçka e pabesueshme, por ai popull jetonte kryesisht me tifo futbolli e shkallë stadiumesh. Partizani e Dinamo ndanin fetën e madhe përgjysmë, në luftë për tituj të domosdoshëm, duke shpresuar se kështu do ta mposhtnin 17 Nëntorin rebel që u kishte prishur gjumin, dhe i cili papritmas, për herë të parë qysh nga koha e Mbretërisë, më në fund po e shihte veten kampion. Nuk do ta mposhtnin. Ajo çka do t’ia arrinin, ishte shkatërrimi i pesë skuadrave të qyteteve. Por me një të mirë të madhe: futbollistët e rrëmbyer, nën fanellën e Partizanit do të mbërrinin nivel vërtet të lartë të futbollit.

E, tashmë rruga e Zan Ragamit për konfirmimin e futbollit të tij të jashtëzakonshëm ishte çelur përfundimisht. “Afër detit, afër mbretit”, çka do të thoshte se do të merrte fund nëpërkëmbja e talentit të tij të përmasave. Një gjë nuk do të mund ta kapërcente megjithatë, as treshja e re partizanase, ajo Rragami-Haxhiu-Karriqi, edhe pse dihej se çka ishin ndërkaq, Lin Shllaku, Panajot Pano e Robert Jashari apo 17 Nëntori (SK Tirana) i Fatmir Frashërit e Skënder Halilit.

NDËRKOMBËTARIZIMI I ZAN RRAGAMIT TË PARTIZANIT.
Më 7 mars 1965 Zan Ragami ka ndeshjen e tij të parë kundër Vllaznisë së tij dhe 3-0 për Partizanin ku janë të saporrëmbyerit: Vaso-Rragami-Haxhiu-Qojle-Hodo, pesëshja korçaroshkodranovlonjatoberatase – një togfjalësh i padëgjuar ky, për gjuhën e futbollit shqiptar. Dhe papritmas, më 28 mars 1965, është Partizani – 17 Nëntori 2-0, kryesim i kampionëve në fuqi dhe “titulli në pikëpyetje”, siç titullon shtypi. Nuk do të ndodhte. Rragami është më i miri në fushë dhe para kohe mendohet se “operacioni i dimrit ‘64″ do të shkatërronte krejt ambicien e madhe të atij që prej mbi njëtëkatërtshekulli nuk thirrej sportklub Tirana, por 17 Nëntori!

Dhe ja tek vjen Zvicra e fiton 2-0 në Tiranë, e për Rragamin përsëri nuk ka vend. Do të ishte e fundit herë. Gradualisht po perëndonte ylli i Mehdi Bushatit e i Fatbardh Deliallisit.

Kishin qenë protagonistët e mëdhenj të mbrojtjes dhe të sulmit shqiptar. Në logjikë për të dytin që i kishte kaluar të tridhjetat, dhe një absurd i tanë për të parin, që ende nuk kishte mbushur 26-27 vjetët, i cili madje, mbas pak muajve do ta braktisë futbollin për profesionin e detyra të tjera. Do t’i kthehej sportit vetëm mbas nja 15 vjetëve si kryetar i BFSSH-së duke kulmuar në drejtimin e sportit shqiptar të viteve ’80 me rezultatet ndër më të pashlyeshmet për sot e kësaj dite. Midis të cilëve do të shkëlqente edhe Shqipëria 21-vjeçare e trajnerit Rragami në 8-she të Europës. Por jemi ende te Rragami – futbollisti i ri i Partizanit, te historitë e tij e të shokëve të tij si lojtarë në fushën e blertë që nuk do të ndalin.

Në ndeshjen me Zvicrën, trajneri Zyber Konçi sjell edhe rini në skuadër me Haxhiun, Xhaçkën e Ali Memën, po në fund të fundit, është i detyruar të bartë mbi shpinë një mal me kritika. Kjo shpejton ngjitjen në skenën e madhe të Zan Rragamit dhe nxit ardhjen e elementit të ri. Skuadra shkon në Zvicër e Irlandë të Veriut dhe këtu është debutimi i tij në Kombëtare. Për fat janë dy humbje 1-4 dhe 0- 1, e saktësisht, më 2 maj 1965 në Gjenevë, Rragami në 90 minuta është pjesë e këtij 11-shi të bukur:
Janku, Deliallisi, Halili, Frashëri, A.Mema, Shllaku, Pano, Rragami, Duro, Zhega, Jashari.

Mû këtu është dukja për herë të parë qysh nga vitet ’50 e tre shkodranëve së bashku në Kombëtaren e Shqipërisë: Shllaku-Rragami-Zhega, ku dyshja Ragami – Zhega e sapoardhur nga Shkodra, nuk është veçse 21 e 19 vjeç. Sensacionale për moshën e të dyve me këtë përurim shì në Kupës së Botës. Në ndeshjen e Gjenevës dyshja Rragami-Zhega është e mrekullueshme, ashtu si vetë ndeshja e Kombëtares, pavarësisht nga humbja. Ky ishte starti i madh ndërkombëtar i Rragamit, tash i Partizanit.

Mandej, kur më 22 maj zhvillohet ndeshja midis të rinjve të Shqipërisë dhe të Kubës, një 5-0 i pandalshëm për shqiptarët, titullari i ri i Kombëtares, Rragami, është kapiteni. Për ironi, si një ngushëllim për Vllazninë e lënë pa yjet e saj, Partia i çon të rinjtë e Kubës në Shkodër e në 11-shi janë tre shkodranët e Partizan-Dinamos: Shllaku-Ragami-Zhega, në një 2-0 të lehtë sa për t’ia “përkëdhelur” Shkodrës talentet që ajo i kishte nxjerrë edhe për të tjerë.

Mbërrijmë kështu te 16 qershori 1965, kur mbas gati tri dekadave,17 Nëntori (SK Tirana) shpallet Kampione e Shqipërisë me vetëm 1 pikë mbi Partizanin e Dinamon.

Ky do të ishte fati “i vogël” i Rragamit. Në plot tre vjet lojtar i Partizanit, ai nuk do të fitonte asnjë titull të kampionit të Shqipërisë. Duhej të kënaqej dy herë me atë të nënkampionit, një vend të pestë në 1967 dhe vetëm një Kupë të Shqipërisë në 1966, dy finale, 2-1 e 4- 3 kundër Vllaznisë së tij, e cila ende ëndërronte ta kishte të sajin…

Historitë e tjera ndërkombëtare të kësaj periudhe të protagonistit tonë po dhe mbas saj, dihen. Janë shkruar gjatë prej meje në librat e viteve të fundit dhe nuk është ky qëllimi parësor i këtij tregimi. Synimi është për të treguar jo pak prej asaj ato çka nuk diheshin fort mire për lindjen, ecurinë, vështirësitë e daljes në skenën e madhe, shpërthimin e futbollistit Zan Rragami dhe epokën e tij. E gjitha kjo shpesh me gjithë mantelin e një hijeje sportive të dyshimtë, kapriçoze, lokaliste dikasteresh e spaletash, që mbartte ajo Shqipëri e një diktature të egër, që drejt me e thënë, sportin nuk e lëshonte prej duarsh…

Fati kishte caktuar që Shkodra të bënte një “kryengritje” të re në futboll, mbas dështimit të së parës. Do të ishte një “kryengritje” e pamëshirshme. I kishte dhënë Kombëtares Rragamin e madh dhe Zhegën – një artist i futbollit. Ua kishte dhënë edhe për Partizanin e Dinamon. Ishin dy emra, ndër të rrallët e një historie të cilët nuk do të lëkundeshin asnjëherë për 11-shin e kuqezinjve, deri në herët që do të ndërpritej jeta e Kombëtares. Dhe ende askush nuk i mendonte se mund të ktheheshin më në Shkodër.

Kështu, fati “zemërgjerë” kishte paracaktuar që Rragami do të merrte lavdinë e parë ndërkombëtare me Partizanin si lojtar i Kombëtares, si një universal i pazëvendësueshëm i saj, e më vonë në një ndeshje madje, deri kapiten i saj: Finlanda në 1973, fitore 1-0 , gol me 11-metërsh i Rragamit. Ashtu siç do të jetë edhe me Partizanin e Kombëtaren, aq sa edhe kur të shkëputej prej tyre, nuk do të shkëputeshin ata prej tij. Kësisoj, ngaqë me Rragamin do të ndodhte ajo që te Partizani nuk do të ndodhte me asnjë futbollist tjetër. Edhe kur ai kthehet në Shkodër, Partizani nuk e tradhton. Do të mbesë futbollisti i vetëm ish-partizanas, që në ngjarjet e jashtëzakonshme të historisë së tij, klubi i shquar, do ta thërriste nga Shkodra dhe do t’ia dorëzonte përsëri fanellën e kuqe në ndërkombëtarizimet e tij.

Po veçoj këtu tri ngjarje të paharrueshme të Partizanit me Zan Rragamin:
1968: Partizani – Torino e Italisë 1-0, e saposhpallur kampione e Europës, këtu ndeshje për Kupën e Kupave të Europës – fitorja e parë e klubeve shqiptare në Europë.

1968. Partizani fitues 1-0 ndaj Torinos për Kupën e Kupave të Europës. Nga e majta: Lin Shllaku, Mikel Janku, Ramazan Rragami, Robert Jashari, Mihal Gjika, Sabah Bizi, Pëllumb Shaqiri, Teodor Vaso, Neptun Bajko, Spiro Gjika, Panajot Pano.

1968. Partizani fitues 1-0 ndaj Torinos për Kupën e Kupave të Europës. Nga e majta: Lin Shllaku, Mikel Janku, Ramazan Rragami, Robert Jashari, Mihal Gjika, Sabah Bizi, Pëllumb Shaqiri, Teodor Vaso, Neptun Bajko, Spiro Gjika, Panajot Pano.

1970: Partizani – Atvidabergs i Suedisë 2-0, mbas atij të Panos, goli i dytë që vulosi fitoren e bujshme është i Rragamit, një gol që vulos kualifikimin e parë të një klubi shqiptar në Kupat e Europës.
1970: Partizani – Kampion i Ballkanit sot e kësaj dite suksesi i vetëm i këtij rangu prej një skuadre klubi të Shqipërisë.

Në të tria këto ngjarje të një historie të pashlyeshme ndërkombëtare për ne, Rragami është i huajtur nga Vllaznia, siç thuhet sot. Ky është, përveç të tjerave, nderimi i madh që i bëri Partizani, i cili në kësi arritjesh nuk mund të bënte pa futbollin e madh të Zan Rragamit.

Por edhe të tjera:
1966: Partizani – Fenerbahçe 2-0 për Kupën Ballkanike e Bizi që thirret nga Shkodra, aty pranë Rragamit të Partizanit. Bizi është 18 vjeç, Rragami 22.
1966: Shqipëria – Bullgaria 2-0 – skuadrat olimpike dhe dyshja Rragami-Bizi është e pandashme tashmë, teksa sundojnë gjithë hapësirën e fushës, duke befasuar 20.000 spektatorët e kryeqytetit. Ky është çasti kur trajneri Loro Boriçi nuk ka mëdyshje. Dhe kurrë më nuk e prek atë. Ishte një obsesion i tij ndoshta. Kur merrte fletoren e tij në netët pa gjumë dhe kur vendoste emrat, ndër punët e para që bënte ishte të shkruante “Rragami dhe Bizi”. Pa asnjë diskutim, sepse ata ishin truri i lojës. E bisedoja këtë punë me të vite më mbas dhe Boriçi nuk i lëvizte pikën. Assesi dyshja nuk duhej prishur.

Ndërkaq, duke kaluar te Kombëtarja kemi:
1965: Shqipëria – Irlanda e Veriut 1-1, eliminim sensacional nga Kupa e Botës i skuadrës më të fortë veriirlandeze të George Best në histori, në të mirë të Zvicrës. Për të kuptuar më mirë se kundër kujt u arrit ky barazim i Rragamit e bashkëlojtarëve të tij kombëtaras të trajnerit Loro Boriçi, që bëri bujë në gjithë Europën, për herë të parë po botoj këtu me germa kapitale madje, klubet angleze që i përkisnin secilit futbollist irlandezoverior:
Jennings – TOTTENHAM, Magill – BRIGHTON, Elder – BURNLEY, Harvey – SUNDERLAND, Neill – ARSENAL, Nichols – HUDDERSFIELD TOWN, Macliroy – STOKE CITY, Crossan – MANCHESTER C., Irvine – BURNLEY, Dougan – LEICESTER, Best – MANCHESTER U.

1965. Shqipëria – Irlanda e Veriut 1-1, eliminim i britanikëve nga Kupa e Botës në të mirë të Zvicrës. Nga e majta Kombëtarja shqiptare në çastin e fillimit të ndeshjes: Lin Shllaku, Mikel Janku, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Ramazan Rragami, Medin Zhega, Ali Mema, Bashkim Rudi, Mexhid Haxhiu, Foto Andoni.

1965. Shqipëria – Irlanda e Veriut 1-1, eliminim i britanikëve nga Kupa e Botës në të mirë të Zvicrës. Nga e majta Kombëtarja
shqiptare në çastin e fillimit të ndeshjes: Lin Shllaku, Mikel Janku, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Ramazan Rragami, Medin Zhega, Ali Mema, Bashkim Rudi, Mexhid Haxhiu, Foto Andoni.

1967: Shqipëria – RF e Gjermanisë 0-0, eliminim po sensacional nga Kampionati i Europës i gjermanoperëndimorëve (në të mirë të Jugosllavisë, e Rragami shtyllë e mesfushës dhe e mbrojtjes madje. Shto këtu dhe Lin Shllakun dhe bëhet një katërshe magjike Shllaku-Rragami-Bizi-Zhega, që e çon Panajot Panon në mrekullitë e tij duke pështjelluar gjithë një mbrojtje të nënkampiones së botës.
1971: Shqipëria – RF e Gjermanisë 0-1, humbja më dinjitoze në historinë e futbollit shqiptar, dhe Rragami-Bizi-Zhega është treshja sunduese e ndeshjes në një baraspeshë të paparë ndaj Beckenbauer-it e shokë.
1971: Shqipëria – Finlanda për Kampionatin Europian. Për herë të parë dhe të vetme Rragami kapiten i skuadrës, teksa nënshkruan fitoren me golin e tij me 11-metërsh.

Kudo Rragami. Janë brilante të historisë sonë.

Dhe nuk e ndiej të nevojshme të përshkruaj në hollësi këto ngjarje, sepse për to kam shkruar kaq shumë në libra e shkrime sa s’ka ku shkon më.

ZAN RRAGAMI – ME SHOKËT E TIJ I RISJELLIN SHKODRËS LAVDINË E HUMBUR.
Është vërtet diçka interesante me Rragamin. Ai është larguar nga Partizani andej nga fundi i verës 1967. Dhe largimi tij ka qenë krejt i qetë, pa bujë e zhurmëra, pa rezistencë të Partizanit për ta mbajtur më gjatë, në qetësi krejt të akullt. Sot e kësaj dite nuk arrij ta shpjegoj këtë dhe për çudi asnjëherë nuk e pata diskutuar këtë me Zanin. Pra, me rikthimin e tij në Shkodër nuk ndodhi aspak ajo që ndodhi me rikthimet e Zhegës e Bizit, rikthime që u shoqëruan me diskutime, ndalesa e lirime të bujshme e të papërshkrueshme. Zan Rragami u kthye në Shkodër te Vllaznia e tij, si të thuash, në qetësi të plotë. Zhurmat do të mbërrinin pak më vonë. Do të ishin zhurmat e fitoreve të mëdha të tij e shokëve të tij.

Po rikthehej lavdia e futbollit të qytetit i cili ia kishte dhënë sportin tonë nobël Shqipërisë për herë të parë në histori.

Konfirmim i kësaj lavdie është data e 4 qershorit 1972 , kur duke fituar 4-1 me Studentin në Tiranë, Vllaznia e Shkodrës e drejtuar nga kapiteni Rragami, shpallej mbas 25 vjetëve kampione e Shqipërisë, duke lëvizur vetë rrotën e historisë së futbollit shqiptar, me një largim spektakolar të titullit nga kryeqyteti mbas plot njëtëkatërtshekulli. E krijuar kjo ngjarje edhe prej mitit të protagonistit tonë si ditë e një kthese të madhe në futbollin kombëtar, duke provuar se titulli i kampionit të Shqipërisë nuk mund të mbetej më vetëm pronë e kryeqytetit në majat e pushtetit fitimtar të tij.

Mandej, kur Partizani merr pjesë në Kupën Ballkanike dhe fiton 2-0 me UTA të Aradit më 3 dhjetor 1966, mbas katër ditëve, më 7 dhjetor, Vllaznia fiton thellë 5-0 një miqësore të bujshme me UTAn e Aradit të Rumanisë– vatër e futbollit rumun – dhe miqtë që habiten kur shohin Rragamin të luajë edhe me skuadrën shkodrane! Këtu është çasti kur për herë të parë në histori, 22-vjeçari Zan Rragami luan së bashku me 18-vjeçarin Sabah Bizi, ndeshja madhështore e këtij të fundit dhe e Nikoll Gjergjit, autor i dy golave dramatikë, falë kombinimeve befasuese Bizi-Rragami dhe me një gol të bukur të këtij të fundit.

Gjashtë ditë më vonë, 23 dhjetor 1967, Vllaznia shkatërron 4-0 Beroe të Stara Zagorës së Bullgarisë, gjithashtu vatër e futbollit bullgar, në përurimin e saj për Kupën e Ballkanit në ndeshjen që grumbulloi katërshen e yjeve të Shkodrës: Ragami-Bizi-S.Dani-Zhega dhe bash kjo është dita ndezëse e asaj që e kam quajtur “kryengritja” e dytë e skuadrës së Shkodrës. Shto këtu dhe Ali Memën dhe me këta pesë protagonistë të 17 dhjetorit 1967, në të vërtetë kishim të bënim me serinë e dytë mbas barazimit famëmadh kundër Gjermanisë. Zan Rragami, 23 vjeç djalë, si një burrë i moçëm i futbollit, ndihet protagonist midis protagonistëve. 11-shi shkodran ishte ky:
Z.Dani, Çapaliku, Gjoni, Dedja, A.Mema, Lekaj, Gjergji, Rragami, Bizi, Zhega. S.Dani.

Për mua këtu merr fund edhe realizimi i asaj që e kam quajtur rikthimi i lavdisë së humbur të futbollit të Shkodrës. Lavdia ishte kthyer tashmë. Ndonëse duheshin jo pak, por edhe pesë vjet të tjerë që të mbërrihej te më e pambërritshmja: Vllaznia – Kampione e Shqipërisë mbas 25 vjetësh: 4 qershor 1972. Gjithë ky pesëvjeçar ka kthimin e Zan Rragamit e të Selami Danit, të Medin Zhegës e Sabah Bizit. Fati i madh i Shkodrës ishte se kur Partizani rrëmben Sabah Bizin, detyrohet të kthejë Zan Rragamin dhe ky do të mbante mbi shpatulla një skuadër të tërë.

E kishte filluar i pari “kryengritjen”. Ia kishin shtypur duke e larguar nga skena e Shkodrës dhe kur ishte kthyer, e kishin ndarë nga Sabahu. Kjo ishte një vonesë, po me çka do të paraqiste gjithë këta pesë vjet Vllaznia, Rragami tashmë ndihej krahëlehtë. Vllaznia e tij është e 4-ta e Shqipërisë në 1968, e 3-ta në 1970 e 1971 dhe kampione e fituese e Kupës në 1972.

Si intermexo janë, ndërkaq, tri finale rresht të Kupës së Shqipërisë të tria me Partizanin, të fituara po prej këtij me lojë e gola shkodranësh të rrëmbyer. Një herë të vetë Zan Rragamit, një herë tjetër të Selami Danit e të Ismet Hoxhës, një herë tjetër të Sabah Bizit. Duele të paharrueshme që për Shkodrën vijnë përmes shifrave tronditëse 4-3, 4-1, 4-0! Asnjëherë futbollistë shkodranë nuk kanë dhuruar kupa më të bukura se këto për Partizanin. Po Vllaznia tashmë ishte bërë.

Në 1969 përfundimisht Rragami ka në krah Selami Danin, Medin Zhegën, Esat Rakiqin dhe tashmë mbas “internimit” në Skrapar është kthyer portieri i madh Paulin Ndoja, i cili para ndalesës së pamëshirshme që do t’i bënte Partia, duke ia hequr të drejtën e luajtjes futboll, rast unikal në historinë e Europës, prej Bashkimit Sovjetik të Stalinit e deri te gjithë demokracitë e popullore të Ballkanit, Vllaznia tashmë është skuadër e shkëlqyer:
Ndoja, Çapaliku, Dedja, Rragami, Lekaj, Koçobashi, Rakiqi, Rauf Çanga, Zhega, Dani. Po dhe Zyhdi Basha e Plumbini.

Asokohe ishte bërë gati të mbërrinte ndërkaq edhe brezi i tretë i talenteve të mëdha: Ismet Hoxha e Çesk Ndoja, Halil Puka dhe i paharrueshmi Suat Duraj – dëshmori i vetëm i fushës së futbollit në historinë e Shqipërisë, por edhe shoku i tij aq i afërt, Millan Vaso.

E, ndonjërin do ta shtynin deri në Gjirokastrën e largët, që edhe qyteti i Jugut të bënte futboll të cilësisë së parë. Vllaznia është si një fabrikë, që prodhon margaritarë për të tjerët. Rragami është më i shndritshmi, aty, i palëvizshëm, kapiteni tashmë mitik, i cili qëndron si një fortesë, që nuk lëkundet edhe pse shpesh mureve të saj mbërrijnë goditje nga të gjitha anët. Si te Rozafa e moçme.

Kështu shkohet te mbarimi i “kryengritjes” ose te konsakrimi i saj. Dirigjenti është kapiteni ynë i madh.

Dhe mbërrijmë te mbingjarja, duke eliminuar më së fundi Partizanin, duke larë gjithë haqet e fundit të viteve ’60. Rragami ishte një hap para mitit të futbollit shqiptar. Në finale janë Besa e Vllaznia.

Drama ka dy akte. I pari në Kavajë 2-0 për Besën dhe i dyti në Shkodër më 23 prill 1972, po 2-0 për Vllazninë në 120 minuta lojë. Mandej 11-metërshat mitikë të kapitenit Rragami. Kishte shënuar dy herë gjatë ndeshjes po me dy 11-metërsha historikë. Dhe vjen radha e atyre të jashtëlojës. Rragami përballë Feshtit 5 herë dhe 5 herë rrjetë! Merhori 5 herë përballë Ndojës dhe vetëm 3 herë rrjetë. Kjo ishte dhurata e fundit që do t’i linte para ndalimit të përjetshëm që do t’i bënte Partia, portieri i madh Paulin Ndoja. Dhe 5-3 për Vllazninë, një vepër arti e penalltistit me emrin Zan Rragami! Ky ishte miti! Ka vite që endem nëpër labirinte arkivash dhe askund nuk kam gjetur rastin që një futbollist të ketë shënuar shtatë 11-metërsha brenda ngjarjeve të një ndeshjeje të vetme kësisoj. Nga Pele deri te Johan Cruyff, nga Garrincha deri te Gerd Müllei, nga Di Stefano deri te Van Basten e të sotmit Christiano Ronaldo e Messi.

Ky është Zan Rragami, njeriu i cili nuk ka lënë pa u përshkuar në thuajse asgjë që mund të arrihet apo të ndodhë në futbollin shqiptar: kampion, fitues i Kupës, ushtar i rrëmbyer, shtatdrejti, universali i lojës, eleganti, gjysmëmbrojtësi, mesfushori, qendërmbrojtësi i lirë, sulmuesi, shuteri i pagabueshëm edhe tridhjetë metra larg, 18 herë i Kombëtares, pak natyrisht, thjesht për shkak të ndalimit së saj në kulmin e futbollit të Rragamit (1967-‘70).

Dhe mandej periudha e dytë e kampionatit ’72 që edhe pa “artistin e futbollit”, Din Zhegën Vllaznia – kampione me 3 pikë mbi 17 Nëntorin. Triumf i Zan Rragamit, njeriu që kishte udhëhequr “kryengritjen” e tij dhe të shokëve të tij të rrallë, prej e pakta dhjetë vjetësh. Trajnerët janë Xhevdet Shaqiri dhe Xhelal Juka – zbuluesi, gatitësi, paraqitësi i parë i Zan Rragamit me shokë.

E vërteta është se atë ditë të 4 qershorit 1972 kur Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë mbas 26 vjetëve, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” kanë qenë pak spektatorë, edhe ata ishin shkodranë të ardhur posaçërisht. Ka qenë pra, viti 1972. Pikërisht 10-vjetori i dukjes në potencë në skenën e futbollit kombëtar të një djaloshi të quajtur Zan Rragami, njeriu i cili së bashku me shokët e tij do t’i sillte Shkodrës lavdinë e harruar të futbollit. Iu deshën plot 10 vjet. E, Zan Rragami deri në fund të jetës së tij ishte gjithnjë i vetëdijshëm se këtë nuk mund ta arrinte kurrë pa shokët e tij të mrekullueshëm. Ne që e kemi parë nga lozha e këtij teatri gjigant siç është fusha magjike e futbollit, e dimë fort mirë se pa të ndoshta nuk mund të mbërrihej te kthimi i një historie që ishte shuar. Zan Rragami ka qenë ndarja e dy epokave të futbollit, asaj që mbyllej me vitin 1960, me suksese e dështime dhe asaj që po vinte me një epokë moderne

E ka mbyllur karrierën e futbollistit në qershorin 1975, mbas plot 15 vjetëve në fushat e blerta. Ka qenë vetëm 31 vjeç dhe ndoshta ky është gabimi më i madh dhe i vetëm i jetës së tij sportive, sepse mund të luante edhe për shumë vite të tjera.

Kur është larguar, ai ishte ende qendërmbrojtësi më i mirë i Shqipërisë. Edhe në këtë eveniment të largimit nga futbolli, ai është unikal. Historia e futbollit shqiptar nuk njeh një rast të dytë që një futbollist të largohet nga fusha duke luajtur aq mirë e bukur.

Zan Rragami është ndër modernët universalë më të parë të futbollit shqiptar.

Në librin e tij të çmuar “… Faleminderit Zan Rragami”, shkrimtari dhe dramaturgu ynë i madh Fadil Kraja ka sjellë këtë përcaktim të jashtëzakonshëm sa poetik aq dhe të një metafore të muzikës prej kompozitorit për ne legjendë, Prenk Jakova:

“E çka kam me thanë për Zan Rragamin? Ah, po. A e di si asht Zani? Si violinë e parë. Kur mbaron koncerti dhe salla ngrihet në kambë dhe duartroket, unë urdhëroj orkestrën simfonike të ngrihet në kambë. Mandej i jap dorën violinistit të parë, që e kam aty pranë. Tue ia dhanë dorën atij, ia kam dhanë dorën gjithë të tjerëve. Njashtu edhe puna e Zanit. Tue ia dhanë dorën Zanit, ia kam dhanë gjithë skuadrës. I them ‘bravo’ atij dhe i kam thanë ‘bravo’ gjithë Vllaznisë”. ( 4 dhjetor 1969).

E megjithatë, ka edhe një tjetër Rragam. Është historia e trajnerit Zan Rragami – në 8-she të Europës në duel me Gjermaninë e 21- vjeçarëve të Berti Vogts-it – arritja më e madhe e deritashme e Shqipërisë në një garë të Europës. Përveçse kampion i Ballkanit me 21- vjeçarët gjithnjë si trajner së bashku me Shyqyri Rrelin. Por edhe trajneri kampion me Vllazninë.

Epoka e tij vazhdon me atë të trajnerit Zan Rragami, që do ta tregojmë e rikujtojmë në kapitullin V dhe të fundit të kësaj historie unikale të futbollit të Shqipërisë.

* Ribotimi i shkrimit është i rezervuar.
* Për vazhdimësi shih kapitullin I , II dhe III të këtij dossier-i historik në “Panorama Sport” të 11 e 22 mars dhe të 7 prill 2022.