Sot testi miqësor me Teutën, Karrica shihet si lider te Vora

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2025 | 13:17

Sot testi miqësor me Teutën, Karrica shihet si lider te Vora

Vora vijon fazën përgatitore. Ajo është në ditën e katërt të stërvitjeve pranë qendrës rekreative sportive të Ohrit, ku dhe do të zhvillojnë të parën miqësore.

karrica

Sot, në orën 18:00, Vora do të përballet me Teutën e Durrësit në stadiumin “Struga” të po të njëjtit qytet, ku zhvillojnë ndeshjet dy skuadrat vendase Struga dhe Karaormani. Kjo është dhe ndeshja e parë mes dy skuadrave të të njëjtit nivel, pasi të dyja luajnë në Kategorinë Superiore. Përballja e tyre e parë historike në kampionat do të zhvillohet në javën e tretë, më 13 shtator 2025. Parashikohet që ky të jetë një test i fortë dhe tepër i vlefshëm. Kjo është përballja e parë e vorakëve me skuadrat elitare pas dy testeve me ekipet e Kategorisë së Parë. Ajo ndaj Korabit që përfundoi 1- 2 dhe Besës 1-1. Këto teste do të shërbejë edhe për ambientimin me skuadrat e nivelit elitar, pasi të dyja skuadrat ndodhen në kulmin e ngarkesave fizike të lojtarëve. Gjithashtu, skuadrat kërkojnë që të shohin dhe ambientimin e shumë lojtarëve, që kanë ofruar gjatë kësaj merkatoje. Një prej tyre, nga më të fundit, është sulmuesi i majtë, gjakovari 24-vjeçar Bernard Karrica.

Ai ka firmosur për Vorën një javë më parë e tashmë pritet që ambientimi i tij të jetë sa më i shpejtë, gjë që e tregoi edhe në miqësoren ndaj Besës, ku debutoi me gol. Futbollisti, edhe pse në një moshë të re, ka një karrierë të pasur me mjaft ekipe kosovare. Ai është aktivizuar edhe në Superligën e Kosovës si pjesë e Ballkanit, me të cilin luajti një sezon të plotë. Në 33 ndeshje ku u aktivizua, shënoi 8 gola, dy prej të cilëve me penallti. Më herët, ai ka qenë pjesë e Akademisë “Dinamo” të Zagrebit dhe pjesëmarrës në kampionatin kroat në ekipet si Rijeka, Dragovoljac. Akoma më herët kur ishte në moshën 19-21 vjeç, ka qenë pjesëmarrës edhe në kampionatin slloven, ku ka luajtur për ekipet e Goricës dhe Seredit. Në Shqipëri është bërë i njohur edhe si lojtar i Kombëtares kuq e zi të U-21 dhe U-19, ku numëron 22 ndeshje të luajtura me këtë fanellë.

Pas ndeshjes kundër Besës, Karrica u shpreh: “Shqipërinë e njoh si lojtar i Kombëtares U-21 dhe U-19, ndërsa me Vorën prezantohem për herë të parë. Po për herë të parë, unë do të luaj në një kampionat të Superiores shqiptare. Dëshiroj të bëj mirë në këtë skuadër e të jap maksimumin, për të qenë edhe vendimtar në fitoret e saj. Këtu po ambientohem shpejt dhe drejtuesit më shohin si premtues për të ardhmen, pasi jam bërë pjesë si titullar në kampionatin e parë historik të Vorës në Superiore. Së bashku, Vora dhe unë po debutojmë në një kampionat të panjohur. Detyra ime është të shënoj, që t’i shërbej skuadrës në ecurinë dhe objektivat e saj modeste, që janë mbijetesa. Jam optimist se çdo gjë do të shkojë mbarë e mirë”, ka deklaruar sulmuesi Bernard Karrica.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL