SOT, ORA 13:30/ Dinamo për triumfin në derbi, nëndetësja i beson historisë kundër Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2026 | 8:18

SOT, ORA 13:30/ Dinamo për triumfin në derbi, nëndetësja i beson historisë kundër Tiranës

Dinamo do të përballet sot me Tiranën në Superiore, aty ku do të synojë që të rikthehet te fitorja për të shkelmuar krizën e njëkohësisht për të marrë fitoren e parë për këtë vit kalendarik.SOLERSkuadra e drejtuar nga Ilir Daja e nisi shumë mirë vitin duke mundur në Kupën e Shqipërisë skuadrën e Besës, por më pas gjërat ndryshuan dhe Dinamo prej 4 ndeshjesh nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Besimi në kampin blu se gjërat mund të ndryshojnë janë të mëdha dhe ky besim rritet më shumë për faktin se Dinamo ka arritur të fitojë këtë sezon të gjitha ndeshjet kundër skuadrave të kryeqytetit, duke nisur nga përballjet me Tiranën te ato me Partizanin, apo edhe me Vorën në dy sfidat e zhvilluara mes tyre.

Të njëjtën gjë, blutë shpresojnë ta bëjnë edhe sot në “Selman Stërmasi” kundër Tiranës që në fakt është në një moment shumë të mirë dhe nuk pëson humbje prej 8 ndeshjesh. Një fakt interesant i Dinamos këtë sezon, është edhe shënimi i golave, pasi Dinamo është nga ato skuadra që di të përmbysë, por asnjëherë nuk është përmbysur ose barazuar.

STATISTIKAT- Këtë sezon, Dinamo ka kaluar e para në avantazh 9 herë në 22 javët e para të kampionatit. Në këto 9 ndeshje, Dinamo ka arritur t’i fitojë të gjitha duke marrë në këtë mënyrë 27 pikë të fituara. Asnjë skuadër tjetër, nuk e ka këtë statistikë në Superiore, teksa i afrohet Vllaznia e cila në 16 ndeshje që ka kaluar e para në avantazh, ka arritur të fitojë 13 prej tyre. Natyrisht shkodranët kanë ecuri më të mirë në këtë drejtim duke parë edhe shkëputjen në klasifikim, por tani te Dinamo shpresojnë që të realizojnë të parët, pasi motivimi është i lartë për të mbrojtur rezultatin, ose edhe për të thelluar. Sa i përket ruajtjes së avantazhit, Dinamo di ta bëjë mirë këtë punë dhe tani Dajës i mbetet që të punojë më shumë skuadrën për të qenë më e qartë dhe më cinike para portës e për të mos shpërdoruar raste, siç ka ndodhur shumë shpesh këtë sezon në Superiore.

KLASIFIKIMI- Dinamo ka aktualisht presionin e klasifikimit duke qenë se Vllaznia e vendit të parë mori një tjetër fitore pasditen e djeshme ndaj Vorës në transfertë. Ajo fitore e ka shkëputur Vllazninë në vendin e parë dhe tashmë është 11 pikë larg Dinamos së vendit të katërt, ndërkohë që fitore mori edhe Elbasani që thelloi diferencën me blutë. Sikur të mos mjaftonin fitoret e rivalëve të kreut, Dinamo mund të ndjejë edhe presionin e Partizanit nga poshtë. Të kuqtë arritën të fitonin me përmbysje në transfertën e Ballshit ndaj Bylisit dhe tashmë janë 4 pikë larg vendit të katërt, që e fut në zonën e “Final 4”. Për Dinamon do të ishte e pafalshme që të humbiste vendin e saj në këtë katërshe që e fut në garë për titull, duke qenë se shpesh herë ka bindur duke u ngjitur edhe më lart e shpesh herë të tjera ka zhgënjyer, duke iu dhënë shanse dhe shpresa skuadrave të tjera se mund të ngjiten në klasifikim dhe mund të hyjnë në zonën Europiane e ndoshta për të tentuar edhe titullin pasi përgjysmimi i pikëve, iu jep shans të gjithave.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL