Skuka bashkohet me grupin, Partizani merr formë para sfidës me Vorën
Partizani do të përballet me Vorën, ditën e diel ora 20:00. Sfida në “Arena e Demave” do të mbyllë javën e parë të Superiores. Mladen Milinkoviç do të debutojë me të kuqtë.

Pas 3 javëve në dispozicion të skuadrës, tifozët do të kenë mundësinë të shohin trajnerin e ri në një ndeshje zyrtare. Dëmtimet e kanë shqetësuar jo pak Partizanin, megjithatë ekipi po merr formë. Ndeshja me Vorën po vlerësohet në maksimum. Me skemën e re të “Final Four” çdo pikë ka vlerë.
BASHKOHEN ME SKUADRËN- Tre lojtarë që kishin pasur më parë shqetësime, Xhuliano Skuka, Tedi Malaj dhe Mateo Shanaj janë bashkuar me skuadrën. Lajme të mira këto për Partizanin, ndërsa po punojnë që të fitojnë formën e duhur fizike. Skuka ishte i pari që shfaqi probleme nga lojtarët e përmendur më sipër, ndërsa qëndron në garë më kohën për të dielën. Një emër tjetër nga ekipi, Gjergji Kote, do e ketë të vështirë që të jetë i gatshëm.
DËMTIME TË RËNDA- Dy lojtarë tashmë dihet që do mungojnë për një kohë të gjatë. Albers Keko dhe Amos Nondi vuajnë nga dëmtime të rënda. Keko është operuar, ndërsa pritet e njëjta gjë edhe për Nondin. Jo vetëm ata, por Partizani ka edhe futbollistë të tjerë nga shërbimet e të cilëve po privohet. Dhe për më tepër që nuk bëhet fjalë për lojtarë stoli.
PANORAMASPORT.AL













