Skandali me votat në FIFA, reagojnë gazetarët sportivë shqiptarë
Një punonjëse e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në TVSH ka përfaqësuar gazetarët sportivë shqiptarë në votimin për lojtarin dhe trajnerin më të mirë të vitit 2016, një eveniment që organizohet nga FIFA. Përtej respektit dhe profesionit të zonjës Dhurata Bejzade, gazetarët sportivë janë ndierë të fyer që janë përfaqësuar nga një person që nuk ka lidhje me këtë fushë.

Dhurata Bejzade
Megjithatë, votimi është tashmë një fakt i kryer, edhe pse ka lënë një shije të hidhur për mënyrën se si kanë rrjedhur gjërat, që gazetarët sportivë nuk janë përfaqësuar nga një njeri që i përket fushës së tyre. Drejtues të mediave, por edhe gazetarë të njohur shqiptarë të shtypit të shkruar sportiv kanë reaguar ashpër, duke e quajtur këtë rast si skandaloz.
“Panorama Sport” kontaktoi dje me vetë punonjësen e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në TVSH, Dhurata Bejzade, por gjithashtu mori mendimin e drejtorit të “Sport News”, Denis Dyrnjaja, gazetarëve Gëzim Sinemati, Enkeleida Zeko dhe Jagert Dyrmishi.

Dyrnjaja: Përzgjedhje e gabuar, nuk është etike
Drejtori i kanalit “Sport News” në platformën “SuperSport”, Denis Dyrnjaja, nuk e konsideron etike formën që është ndjekur për përzgjedhjen e Dhurata Bejzades si përfaqësuese të gazetarëve sportivë për të votuar në aktivitetin e FIFA-s për më të mirët e vitit që lamë pas.
Reagimi
“Në këtë rast unë nuk paragjykoj personin, pasi nuk është e detyrueshme që të merresh me sport që ta njohësh atë. Ka plot njerëz që e ndjekin, lexojnë dhe e kuptojnë sportin. Megjithatë, mendoj se do të ishte më mirë një mendim kolegjial dhe një vendim i qarkulluar. Ja lejoj vetes që të më pyesin që të jap edhe unë një mendim. Ose të mos përfaqësohem nga mendimi i dikujt tjetër sikur është mendimi im, në një kohë që unë nuk e kam dhënë.
Nuk e vlerësoj ose gjykoj emocionalisht këtë gjë. Nuk hyj te kategoria që paragjykoj njerëzit. Sigurisht që do të doja që, në pikëpamjen e shtresëzimit, do të ishte më mirë një mendim më i gjerë dhe më i pjekur midis njerëzve që merren përditë me këtë gjë. Absolutisht që do të ishte më mirë. Gjithsesi, futbolli është një sport shumë popullor dhe personi që ka votuar mund të jetë një ndjekëse shumë e mirë e lojës.
Por, nëse është një person i ‘rënë nga qielli’ dhe flet në emër të shumë njerëzve dhe nuk e ka idenë se çfarë bëhet, atëherë kjo është një histori tjetër. Unë nuk e di këtë gjë dhe nuk marr përsipër të them se si është e vërteta. Nëse e njeh sportin dhe është marrë me të, nuk kam përse ta paragjykoj. Megjithatë, do të ishte më mirë që njerëzit e sportit të flisnin për sportin dhe nëse ajo do t’i bashkëngjitej këtij komuniteti, do të ishte më mirë. Por, me sa di unë, nuk kam dijeni që të jetë bërë kjo gjë dhe të jetë marrë një opinion i përgjithshëm i njerëzve”, është shprehur Dyrnjaja.
“Siç po më pyesni ju tani mua. Kjo është ta pyesësh dikë dhe të bësh një anketim. Por, përderisa ne nuk jemi pyetur, kjo ha diskutim dhe është jo fort e këndshme dhe as etike njëkohësisht. Unë personalisht, në këtë rast, nuk e kam me personin, por me formën. Forma është problemi dhe jo personi, pasi ajo mund të jetë në rregull dhe nuk duhet ta paragjykojmë. Megjithatë, kjo nuk e rregullon gabimin që është bërë, pasi është zgjedhur forma e gabuar. Edhe nëse do ishit ju apo dikush nga ‘Super Sport’-i që merren çdo ditë me sport, por unë sërish nuk do isha dakord. Kjo është ideja ime, nuk kam asgjë me personin, por me formën që është ndjekur. Forma që është zgjedhur për përfaqësim, është e gabuar”, shtoi ai.

Sinemati: Diçka anormale, është ofendim për të gjithë ne
Gëzim Sinemati, një prej gazetarëve më të vjetër në Shqipëri, drejtues i portalit “sfidanti.al”, njëkohësisht opinionist në “Panorama Sport” dhe i ftuar i përhershëm në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top-Channel”, është i drejtpërdrejtë dhe ironik njëkohësisht. Si gjithmonë, me batuta pikante, ai e konsideron si diçka anormale votimin e Dhurata Bejzades në aktivitetin e FIFA-s si përfaqësuese e gazetarëve sportivë.

Deklarata
I pyetur nga gazeta në lidhje me këtë çështje, Sinemati përgjigjet: “Është diçka anormale. Unë nuk e kam fare idenë se kush është kjo që po thoni ju. Kjo është ofendim për të gjithë ne që voton një person që nuk ka fare lidhje me sportin. Sa gjëra anormale ka këtu në Shqipëri, të gjithë e shohim dhe i ndeshim përditë”, shprehet fillimisht Sinemati jo pak i zhgënjyer.
Më tej, ai lëshon edhe batutën e rastit duke thumbuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka. “Gjëja më normale që më duket është që presidenti i FSHF-së u jep dreka gazetarëve!”, e mbyll me ironi prononcimin e tij gazetari Gëzim Sinemati.
Fakti që në votimin e FIFA-s për më të mirët e vitit që lamë pas, gazetarët sportivë përfaqësoheshin nga një punonjëse e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në TVSH siç është Dhurata Bejzade, ngjalli reagime të shumta në media dhe në rrjetet sociale.

Zeko: Skandaloze, në TVSH prioritet kanë interesat
Enkeleida Zeko, gazetarja e njohur që prej vitesh drejton emisione sportive dhe që aktualisht është moderatore në “Fair-Play”, në televizionin “News 24”, është shumë kritike për mënyrën se si funksionojnë gjërat në TVSH. Në të kaluarën, Zeko ka qenë pjesë e Televizionit Publik, ndërsa rastin më të fundit e cilëson si skandaloz. Por, Zeko thekson se ajo që ka ndodhur nuk i krijon aspak habi.
“Së pari, dua të theksoj se Televizioni Publik Shqiptar asnjëherë nuk u ka dhënë përparësi gazetarëve sportivë. Në TVSH, më shumë prioritet u kanë dhënë interesave, të njërit apo tjetrit drejtues. Prej kohësh aty janë vendosur këto standarde, madje unë kam folur më përpara për problemet që ka pasur në TVSH dhe raportet që drejtuesit kanë pasur me gazetarët sportivë. Me sinqeritet jua them se nuk jam aspak e habitur nga kjo që ka ndodhur.
Për mua, ky veprim është diçka e pritshme, pra asgjë e re. E them këtë sepse aty në televizion më shumë rëndësi kanë interesat e njerëzve, se sa fakti që duhet të përfshihen gazetarët sportivë apo të kenë të drejtat e tyre. Këtu nuk flas vetëm për gazetarët sportivë, por në përgjithësi me atë që ndodh te TVSH. Kjo që ka ndodhur me votimin në FIFA pa dyshim që është skandaloze”, ka thënë fillimisht Zeko.
Në fund, moderatorja e njohur ka rezerva edhe për mënyrën e funksionimit të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë. “Mendoj se Shoqata e Gazetarëve Sportivë nuk funksionon prej shumë vitesh. Unë nuk di që gazetarët të jenë mbledhur ndonjëherë dhe të kenë bërë një takim për të mbrojtur të drejtat e tyre”, theksoi drejtuesja e emisionit “Fair-Play”.

Dyrmishi: Nuk është zgjedhje e drejtë
Edhe gazetari i platformës “Tring Sport”, Jagert Dyrmishi, është kundër faktit që është përzgjedhur një person jashtë sportit për të votuar pikërisht në një aktivitet shumë të rëndësishëm për futbollin siç ishte ai për lojtarin dhe trajnerin më të mirë të vitit.
“Mendoj se nuk është logjike që, në një aktivitet të tillë si ai i FIFA-s, të votojë një person që nuk është i Departamentit të Sportit. Do të ishte e drejtë që ai që voton të jetë pjesë e Departamentit të Sportit. Nuk mendoj se është e drejtë që të japë vlerësim për më të mirët e vitit në futboll një që nuk është pjesë e sportit”, deklaroi Dyrmishi në reagimin e tij.
BESAR BOZGO













