Skandali: KOKSH-i i paregjistruar ende në gjykatë, pa president drejt Londrës…
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) nuk është i regjistruar ende në gjykatë. Një skandal i tillë pohohet dhe konfirmohet katërcipërisht jo vetëm nga ata që e kanë drejtuar këtë institucion, por edhe nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila është edhe në një farë mënyre si “donatorja” kryesore e KOKSH- it. Pra, në pak fjalë, KOKSH- i ka marrë në mënyrë arbitrare, krejt të pakuptimshme dhe pashpjegueshme, fonde pa fund nga shteti shqiptar për vite e vite të tëra, edhe pse nuk ka pasur një vendim gjykate që e njihte këtë institucion ligjërisht si të tillë. Për t’u kuptuar: që KOKSH-i të mund të përvetësojë fonde, donacione të ndryshme jo vetëm nga shteti shqiptar, por edhe nga jashtë, duhej që të ishte regjistruar në gjykatë, të kishte një numër NIPT-i dhe normalisht një llogari legjitime bankare.
Skandali – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është krijuar në vitin 1958 dhe është njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në vitin 1959. Gjatë viteve 1958-1989 ai ka funksionuar nën emrin Komiteti i Këshillit të Përgjithshëm të BFSSH (Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë). Më pas, në 1989-ën, u krijuan dy struktura: Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ky ndryshim u sanksionua me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 1992 dhe u konfirmua edhe me vendim të Këshillit të Ministrave nr.20 datë 24.01.1994 dhe nr.401 datë 22.08.1994. Menjëherë pas kësaj, VKMje, ky organizëm duhej të kishte miratuar statutin e vet dhe të regjistrohej në gjykatë, si të gjitha OJF-të. Madje, si për ta plotësuar këtë skandal vjen në ndihmë edhe neni 1, pika 1 e statutit të KOKSH-it ku thuhet: “Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është organizatë sportive kombëtare e pavarur, jo shtetërore, pa qëllim fitimi e organizuar në formën e shoqatës dhe që funksionon bazuar në parimet e Kartës Olimpike, të legjislacionit shqiptar”. Vetëm emërtimi “OFJ” e bën të detyrueshëm regjistrimin në gjykatë dhe ca më shumë kur kjo organizatë jofitimprurëse merr fonde nga shteti shqiptar, të cilat nuk dihet sesi i janë xhiruar KOKSH- it, duke qenë se ky organizëm ka qenë tërësisht i paligjshëm.
Ish-presidenti – Faktin se KOKSH-i është i paligjshëm, por që çuditërisht nuk është marrë asnjë masë nga shteti shqiptar, e ka deklaruar “e zezë mbi të bardhë” edhe ish-presidenti Agim Fagu. Në asamblenë e fundit të 17 shtatorit 2011, Fagu akuzoi pikë së pari sekretarin e Përgjithshëm, Stavri Bello, duke konfirmuar se deri në ato momente, para se të jepte zyrtarisht dorëheqjen edhe ai vetë si president, ishte i paligjshëm, për arsye se drejtonte një organizatë të paregjistruar në gjykatë. “KOKSH-i është shndërruar në një organizëm impotent, ndërtuar në funksion të filozofisë së sekretarit të Përgjithshëm, që vetëm me zhvillimin e sportit nuk merret. Për më shumë se 10 vjet nuk ka statut të miratuar nga shteti, e rrjedhimisht nuk mund të regjistrohet në gjykatë. Kështu, ky organizëm deri tani është i paligjshëm. Ai që është i ligjshëm në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH-it është indiferentizmi, amatorizmi, për të mos thënë injoranca, mungesa e ideve dhe angazhimeve serioze, imponimi i vendimmarrjes nga njerëzit dhe për interes të sekretarit të Përgjithshëm. Madje, me mburrje, ata e pranojnë atë publikisht, duke deklaruar se statuti duhet të jetë në funksion të sigurimit të vazhdimësisë së tij. Vetëm për parime e frymë olimpike nuk mund të flitet”, deklaroi në atë asamble Fagu. Sakaq, edhe pse deklarata e ish-presidentit ishte publike dhe u transmetua nga të gjitha mediat vizive e të shkruara, përsëri nga ajo ditë ka kaluar gati 6 muaj dhe nuk është marrë asnjë masë apo verifikim mbi këtë skandal në olimpizmin shqiptar.
KOKSH-i, një organizëm pa president drejt Londrës
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është prej gati gjashtë muajsh pa një president në drejtim. Që prej datës 17 shtator 2011, kur u zhvillua Asambleja e fundit, kur dha dorëheqjen e parevokueshme edhe ish-presidenti Agim Fagu, KOKSH-i ka mbetur “pa kokë”. Kompetencat e presidentit, “de jure” i kanë kaluar zëvendëspresidentit, në rastin konkret znj.Ela Tase, ndërsa “de fakto”, ky institucion drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello. Sakaq, nisur nga misioni, objekti dhe roli për të cilin ekziston në vetvete KOKSH-i, duhej që në prag të Lojërave Olimpike jo vetëm që të mos ishte pa një president në krye, por të kishte mundësi që nëpërmjet këtij të fundit, i cili përfaqëson në vetvete KOKSH-in në arenën ndërkombëtare, të mund të merrte sa më denjësisht pjesë në “Londër 2012”. Neni 4 i statutit të KOKSHit, pika 1, thotë shprehimisht se: “Misioni i KOKSH është të zhvillojë, promovojë dhe të mbrojë lëvizjen olimpike në Shqipëri në përputhje me kartën olimpike”. Ndërsa neni 5, pika 1, thuhet se: “KOKSH ka kompetencë ekskluzive për përfaqësimin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike dhe garat shumësportëshe, kontinentale dhe botërore”. Mjaftojnë këto dy pika për të kuptuar se është e patolerueshme që institucioni i olimpizmit shqiptar shkon drejt “Londër 2012” pa personalitetin numër 1 të vetin: presidentin. Në Asamblenë e 17 shtatorit 2011, me largimin e Fagut, u njoftua se kompetencat e presidentit përkohësisht do t’i kalonin zëvendëspresidentit, znj.Ela Tase. Por, skandali qëndron pikërisht këtu, pasi as Asambleja dhe as Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it nuk votuan sikundër duhej bërë, që Ela Tase të merrte edhe “de jure” rolin e presidentit. Sipas nenit 19, pika 4 dhe nenit 20, pika 1, i statutit të KOKSH-it, presidenti dhe zv/presidenti zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme nëpërmjet votimit të fshehtë me shumicën e thjeshtë të votave. Në këtë këndvështrim do të mjaftonte që të aplikohej neni 15, pika 1 e statutit për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të jashtëzakonshme dhe brenda një muaji ky institucion do të kishte zgjedhur edhe presidentin e ri.
Ç’THA DJE STAVRI BELLO
I pyetur dje, se cila është arsyeja që KOKSH-i nuk kishte ende një president, sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello, e ka arsyetuar me idenë se statuti i ri i është për miratim te ndërkombëtarët. “Ka një arsye se përse nuk kemi bërë zgjedhje të reja. Ne kemi miratuar statutin vitin e kaluar dhe tani jemi në pritje që edhe ndërkombëtarët të japin aprovimin e tyre për këtë gjë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Por, duke qenë se jemi në prag të Lojërave Olimpike, mendoj se do të ishte më e udhës që zgjedhjet të bëheshin pas ‘Londër 2012’, kur të ishim edhe më të qetë”, ka thënë dje Bello, në një prononcim për “Panorama Sport”.
Shteti e konfirmon: KOKSH-i, i paligjshëm
Edhe shteti shqiptar është në dijeni të problematikës që ekziston te Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Madje, konfirmohet katërcipërisht se ky institucion nuk është regjistruar në gjykatë prej vitesh, por gjithsesi ka përfituar buxhete pafund nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Këta të fundit pohojnë se një gjë të tillë e kanë bërë me qëllim që t’u vinin në ndihmë sportistëve shqiptarë dhe olimpizmit shqiptar, duke mos dashur që të krijojnë ngërçe mes shtetit dhe KOKSH-it në vetvete. I pyetur nga Panorama Sport, drejtori i sporteve në MTKRS, z.Vasil Bici, ka shtuar gjithashtu se drejtuesve të KOKSH-it u është bërë disa herë e ditur problematika që kanë dhe fakti se nuk janë regjistruar në gjykatë.
Deklarata Sakaq, drejtori i sporteve pohon se gjithsesi shteti e ka njohur KOKSH-in si institucionin e olimpizmit shqiptar, por drejtuesit e këtij të fundit nuk kanë bërë aq sa duhet që të ishin në rregull me ligjet e shtetit shqiptar. “E dimë mirë një gjë të tillë, por ju bëjmë me dije se gjithsesi KOKSH-i ka funksionuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe të mos harrojmë se është kupola e sportit shqiptar. Që nga vitet e para të demokracisë ka pasur vendim qeverie për këtë organizëm, por që në gjykimin tim nuk ka bërë shumë përpara në aspektin e dokumentacionit. KOKSH-i duhej të ishte i regjistruar prej kohësh në gjykatë. Ndërsa për të qenë transparentë deri në fund ne si ministri u kemi kërkuar disa herë që ta bëjnë gjë të tillë, pasi në të kundërt, ashtu siç janë edhe momentalisht, konsiderohen si të paligjshëm”, ka theksuar Bici.
Fondet Ndërkohë, edhe pse konfirmohet nga qeveria që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është i paregjistruar në gjykatë, ky organizëm ka marrë fonde pafund dhe jo vetëm nga shteti shqiptar. Pikërisht, kjo përbën edhe skandalin më të madh pasi është e pakonceptueshme mënyra krejtësisht e paligjshme e përvetësimit të fondeve nga drejtuesit e këtij institucioni ndër vite. “Po, ne si shtet u kemi dhënë fonde edhe pa qenë të regjistruar, pasi nuk kemi dashur që të krijonim konflikte. Në mjaft raste kemi mbyllur një sy dhe kemi vazhduar pikërisht për këtë fakt të japim parà pasi për ne i rëndësishëm ka qenë fakti që sportistët të ishin të financuar nga qeveria. Pra, ka qenë një ndihmë nga ana jonë për sportistët. Gjithsesi, e konfirmoj me të madhe edhe një herë tjetër, se KOKSH-i duhet të regjistrohet me patjetër në gjykatë”, ka vazhduar drejtori i sporteve.
Asambleja Në fund z.Bici ka dhënë edhe mendimin e tij lidhur me faktin e mospasjes së një presidenti në krye të KOKSHit. Sigurisht ai e konsideron si një problem më vete që duhej të ishte zgjidhur, ndoshta edhe për faktin e të qenurit në prag të Lojërave Olimpike. “Shikoni, unë nuk dua të mbaj anën e kurrkujt, por them se z.Fagu (Agim Fagu, ish-presidenti i KOKSH-it) duhej të kishte qëndruar në postin e presidentit. Ai nuk duhej ta kishte braktisur KOKSH-in pikërisht për këto arsye që sapo thashë. Mendoj se ishte në një vit Lojërash Olimpike, ndaj duhej të qëndronte për të dhënë deri në fund kontributin e tij. Thënë kjo, ne si ministri presim që aty të zgjidhen problemet sa më shpjet dhe KOKSH-i të regjistrohet në gjykatë”, ka përfunduar drejtori i sporteve në MTKRS.
31 federata nën “hijen” e Komitetit Olimpik Shqiptar
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar përmbledh në vetvete të gjitha sportet, ose më saktë të gjitha federatat sportive në vend, të cilat operojnë si OJF, pra si shoqata jofitimprurëse më vete, por gjithsesi janë anëtare të olimpizmit shqiptar. Nga këto federata, vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë një lloj pavarësie, sidomos financiare, pasi më së shumti ato subvencionohen nga shteti shqiptar. Kështu, federata më e pasur financiarisht është pa dyshim Federata Shqiptare e Futbollit, buxheti i së cilës i kalon 10 miliardë lekë në vit, shifër kjo që të gjitha federatat e tjera së bashku nuk e bëjnë dot. Pas saj, për nga rëndësia dhe buxheti, vijnë me radhë Federata Shqiptare e Atletikës, Federata Shqiptare e Peshëngritjes, Federata Shqiptare e Mundjes, si dhe Federata Shqiptare e Boksit. Këto të fundit (sidomos tri të parat) kanë sjellë edhe medalje në vendin tonë, si dhe kanë marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike. Sakaq, nën hijen e KOKSH-it janë edhe Federata Shqiptare e Notit, Federata Shqiptare e Basketbollit, Federata Shqiptare e Volejbollit, Federata Shqiptare e Qitjes, Federata Shqiptare e Çiklizmit, Federata Shqiptare e Gjimnastikës, Federata Shqiptare e Shahut, Federata Shqiptare e Karatesë, Federata Shqiptare e Xhudos, Federata Shqiptare e Taekondosë, si dhe disa federata të cilat janë sportivisht më pak të përhapura në vendin tonë si: Federata Shqiptare e Alpinizmit, Federata Shqiptare e Skive, Federata Shqiptare e Pingpongut, Federata Shqiptare e Bilardos, Federata Shqiptare e Hipizmit, Federata Shqiptare e Tenisit, Federata e Sportit për të Gjithë, Federata Shqiptare e Lojës Brixh, Federata Shqiptare e Hendbollit, Federata Shqiptare e Dancit Sportiv, Federata Shqiptare e Aeronautikës, Federata e Gjuetarëve dhe Peshkatarëve, Federata e Mundjes së Krahut, Federata Shqiptare e Regbisë, Federata Shqiptare e Rafting (kanoe) dhe Federata Shqiptare e Radio-amatorizmit.
Ndërkombëtarët vërtetuan paligjshmërinë e KOKSH-it
Duket si lojë fjalësh, por është fakt që në verën e vitit 2011, më konkretisht në korrik të 2011-ës, edhe organizmi më i lartë olimpik botëror ka konfirmuar në një farë mënyre problematikën e regjistrimit të KOKSH-it në gjykatë. Në një letër drejtuar krerëve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, më konkretisht presidentit të asaj kohe, z.Agim Fagu, si dhe sekretarit të Përgjithshëm, z.Stavri Bello, ndërkombëtarët ngrinin shqetësimin se si për një periudhë të gjatë kohore nuk ishte mbledhur asambleja e zakonshme e KOKSH-it, se si nuk ishte realizuar statuti i KOKSH-it, firmosja dhe regjistrimi i këtij të fundit në gjykatë. Me gjuhën urdhërore (IOC), ndërkombëtarët i kërkuan KOKSH-it zgjidhjen e këtij problemi dhe menjëherë pas kësaj sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello, pohoi se asambleja do të mblidhej më 17 shtator 2011, ashtu sikundër ndodhi. IOC u pat kërkuar drejtuesve të KOKSH-it që të sillnin menjëherë statutin, që më pas të miratohej edhe ndërkombëtarisht. Dhe vetëm pasi të ishte miratuar ky statut, do mund të bëhej edhe regjistrimi në gjykatë dhe do merrte formë zyrtare edhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv si shkalla më e lartë e gjykimit për çështjet sportive.
Shqipëria, 11 sportistë në Lojërat Olimpike
Është ende herët për të folur për gjëra përfundimtare, por tashmë duket se Shqipëria e ka të sigurt që në Lojërat Olimpike 2012, të cilat do të zhvillohen në Londër, do të përfaqësohet me minimumi 9 sportistë. Por, sipas drejtuesve aktualë të KOKSH-it, ka shanse që në këtë eveniment të rëndësishëm të marrin pjesë deri 11 sportistë, pra edhe dy më shumë. Për momentin janë kualifikuar xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, e cila është shpallur sportistja më e mirë për vitin 2011. Noti do të përfaqësohet me dy notare: është përcaktuar se një sportist vjen nga kategoria e meshkujve dhe një tjetër nga kategoria e femrave. Të dy këta të fundit do të shkojnë në “Londër 2012” me ftesë olimpike. Në të njëjtën mënyrë, grupit do t’i bashkohen edhe dy sportistë të atletikës, një djalë e një vajzë. Tashmë janë bërë 9 sportistë të kualifikuar nga Shqipëria: katër peshëngritës, një xhudiste, dy atletë e dy notarë.
Funksionet dhe komisionet te KOKSH-i
KOKSH-i drejtohet nga presidenti (vakant aktualisht) dhe Komiteti Ekzekutiv. Ky i fundit drejtohet nga presidenti, sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello (merret me anën administrative) dhe zv/presidenti Ela Tase (Komisioni i Kualifikimit). Anëtarët janë: Flobens Dilaveri (Komisioni Financë-Marketing), Genc Boga (Komisioni Juridik), Gëzim Panariti (Komisioni Kultura & Edukimi), Hyrmete Gjeta (Komisioni Femra & Sporti), Majlinda Pilingu (Komisioni Sporti për të Gjithë), Viron Bezhani (Komisioni Teknik), Vojo Malo (Komisioni i Etikës) dhe Skënder Anxhaku.
Agim Fagu: KOKSH-i është i paligjshëm
Që prej 17 shtatorit të vitit 2011 ai nuk është më president i KOKSH-it, vendim të cilin e mori në vetë të parë, duke dhënë dorëheqjen. Ishte pikërisht z.Fagu që deklaroi në atë asamble për paligjshmërinë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe këtë deklaratë ai e ka konfirmuar edhe dje, i kontaktuar nga “Panorama Sport”. “Shikoni, unë nuk kam se çfarë të heq apo të shtoj më shumë sa i përket problematikës së KOKSH-it. Ato kritika që kam pasur për këtë institucioni i kam thënë në asamble dhe u qëndroj, pasi janë tërësisht të vërteta. E drejtova vetë atë institucion dhe njoha më së miri gjithë problematikën, përfshi këtu edhe faktin që nuk kishte një statut të regjistruar në gjykatë, pra ishte krejt i jashtëligjshëm”, ka pohuar Fagu.
LEONARD KARAJ













