Situata te Dinamo, një titullar shton problemet para Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2025 | 20:31

Situata te Dinamo, një titullar shton problemet para Elbasanit

Elbasani-Dinamo është sfida përmbyllëse e javës së tretë të Kategorisë Superiore. Ky takim ka karakterin e një derbi, si për faktin se të dy ekipet kanë si fushë pritëse stadiumin “Elbasan Arena”, por edhe për pretendimet që kanë në këtë sezon futbollistik.

DINAMO

Dinamo vjen me moral të lartë, pasi në javën e dytë dominuan bindshëm ndaj një tjetër rivali, Vllaznisë, duke e mposhtur 3-1. Trajneri Ilir Daja shkon me statusin e ish-it në Elbasan dhe në këtë 90-minutësh kërkon trepikëshin e radhës me skuadrën dinamovite.

Por trajneri Daja nuk do ta ketë të lehtë, pasi ka lojtarë me probleme. Listës i është shtuar edhe mesfushori Ledio Beqja, të cilin stafi e ka përdorur edhe si qendërmbrojtës në raste emergjence. Me shumë mundësi, Beqja nuk do të jetë i gatshëm për Elbasanin. Mesfushori Klevi Qefalija po kalon një situatë komplekse, pasi herë afrohet dhe herë largohet nga formacioni titullar.

Progres rikuperimi ka bërë kapiteni Bruno Dita, por në fund është trajneri Daja ai që vendos për aktivizimin e tij. Dinamo prej ditësh ka ndjerë edhe mungesën e tre pjesëtarëve të ekipit, mbrojtësit Naser Aliji, sulmuesit Hekuran Berisha dhe trajnerit të portierëve Ilir Bozhiqi, të cilët kanë qenë të grumbulluar me ekipet kombëtare.

PANORAMASPORT.AL