Sinjale nga stoli për Dajën, sulmuesi 20-vjeçar kërkon konfirmimin
Hekuran Berisha nuk ka pasur minuta të shumta këtë sezon me Dinamon, megjithatë në ato pak ndeshje, ka arritur të shfaqet protagonist.
Talenti i Kosovës U21, ishte autori i golit të tretë të shënuar në fitoren ndaj Besës, ndërkohë që diçka të tillë e ka bërë edhe në fillimet e këtij sezoni. Sulmuesi 20-vjeçar shënonte një gol shumë të rëndësishëm në verë, duke i realizuar Hajduk Splitit në fitoren 3-1, ndërkohë që edhe pak ditë më vonë, i shënoi Vllaznisë në debutimin në Superiore.
Pas këtyre dy golave që dhanë sinjale të qarta në fillim të sezonit, gjërat nuk shkuan mirë me kalimin e javëve dhe trajneri Daja nuk i ka dhënë shumë besim e minuta, teksa për shumë ndeshje ka qëndruar në stol, duke u mjaftuar vetëm me nxehmje. U desh të vinte Kupa e Shqipërisë, që Berisha të gjente golin e radhës, i cili ishte edhe i treti sezonal për të, duke dhënë një sinjal se është sulmues që e njeh portën dhe që ka nuhatje.
Me golin e shënuar, Berisha shpreson që Daja t’i japë më shumë hapësirë në javët në vazhdim dhe të ketë mundësi që të kthehet në protagonist te Dinamo e ndoshta, edhe për të treguar se blutë nuk kanë nevojë për të bërë përforcime në repartin e sulmit. Berisha është lojtari që i ka kushtuar arkave të Dinamos, duke qenë se drejtuesit kanë paguar kartonin e tij prej 150 mijë eurosh, por që deri më tani nuk e ka justifikuar ende.
PANORAMASPORT.AL













